RRETH FLAMURIT TË PËRBASHKUAR

Flamuri shqiptar - shqiponja dykrerëshe e zezë në sfondin e kuq - është simboli më sublim i shprehjes së identitetit të shqiptarëve, kudo që jetojnë ata. Ky flamur ka mbajtur gjallë qenësinë shqiptare në rezistencën kundër pushtuesve të huaj, sidomos gjatë shekullit XX. Flamuri është dëshmi e besnikërisë ndaj atdheut dhe ndaj kombit. Prandaj, përderisa në pothuaj të gjitha shtetet e botës presidenti betohet mbi Biblën apo Kuranin, në Shqipëri betimi i tillë bëhet para flamurit.

Pas 28 Nëntorit 1912, shqiptarët e Shqipërisë ishin të lirë ta përdorin këtë simbol kombëtar, por e njëjta nuk vlente për shqiptarët e Kosovës. Ishte pikërisht ky mohim që cenonte më së shumti përkatësinë e tyre etnike, por edhe që përforconte bindjet patriotike dhe ndjesinë për rezistencë ndaj pushtetit jugosllav.

Historia e përdorimit të flamurit shqiptar në ish-Jugosllavi ndryshonte varësisht nga klima politike: herë lejohej përdorimi, e herë ndalohej - si u tekej serbëve që s’na bënin hesap. Pas Luftës së Dytë Botërore, me mbetjen sërish të padrejtë të Kosovës në ish-Jugosllavi, në heshtje dhe pa asnjë vendim u ndalua përdorimi i tij. Madje, shumë shqiptarë u dënuan me burg të rëndë, vetëm pse atyre u është gjetur ky flamur.

Gjërat nisin të ndryshojnë pas rënies së Aleksandër Rankovicit në Plenumin e Brioneve të vitit 1966. Në vitin 1967 delegacioni i Kosovës, i prirë nga Veli Deva, në takimin e parë me liderin e ish-Jugosllavisë, Josip Broz Tito, ndër të tjera kishte iniciuar edhe çështjen e lejimit të përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar. Zyrtarizimi i këtij lejimi u bë në mbledhjen e Kryesisë së Lidhjes Socialiste të Kosovës, më 4 tetor 1968, në Prishtinë, pasi paraprakisht ishte dhënë pajtimi në nivelet më të larta shtetërore të Federatës jugosllave.

Mirëpo, ky vendim erdhi pasi më 1968 shpërthyen demonstratat e studentëve shqiptarë të Kosovës, të cilët kërkuan të drejtat e tyre kombëtare: përdorimin e gjuhës shqipe dhe të flamurit kombëtar.

Këto demonstrata ishin kthesa kryesore në rrjedhat politike të Kosovës. Kërkimi i përdorimit të flamurit ishte luftë për identitet. E, ky identitet ishte halë në sy për serbët. Prandaj, më 1968, babai i kombit serb, Dobrica Cosic, thoshte: “Po ua lejuam flamurin, ata pastaj do të kërkonin edhe republikën, shtetin, dhe madje bashkim me Shqipërinë”.

Flamuri u lejua, por në vitet e ‘80-ta të shekullit XX nisën diskutimet edhe për ndërrimin e pamjes së tij, vetëm e vetëm të dallonte nga flamuri kombëtar që përdorej në Shqipëri. Një gjë e atillë u arrit deri-diku, duke e imponuar një yll të madh majtas, pra para shqiponjës dykrerëshe. Por, sa më shumë cenohej flamuri e luhej me të, sa më shumë që trashej ylli, aq më inat i vinte shqiptarit e më këmbëngulës bëhej ai në luftën e tij për liri.

Kosova u bë shtet 40 vite pas “legalizimit” të 1968-ës. Profecia e Cosicit u realizua jo krejt, sepse bashkimi me Shqipërinë nuk ndodhi. Ndërsa, flamur i Kosovës u bë një hartë e verdhë e Kosovës me gjashtë yje lartë, në një sfond të kaltër. Ide sa për të qenë dhe një kombinim i keq ngjyrash.

Sidoqoftë, shqiptari i Kosovës, i Maqedonisë, Malit të Zi, Greqisë e Luginës së Preshevës, ndonëse në aspektin administrativ u “bindet” flamujve shtetërorë, identitetin prapë e shpreh përmes flamurit kombëtar. Për të dëshmuar besnikërinë ndaj çështjes kombëtare dhe identitetit shqiptar, ata i përkulen flamurit dhe e puthin me pietet, siç bëri Isa Boletini në Vlorë, më 1912.

Flamuri është edhe thelbi i himnit kombëtar. Derisa te popujt tjerë esenca e himneve ndërlidhet me atdheun, kombin, luftën, lirinë, sundimtarët, Zotin, te shqiptarët në qendër është flamuri.

“O Flamur, flamur, shenj' e shenjtë/ tek ti betohemi këtu/ për Shqipërinë, atdheun e shtrenjtë/ për nder' edhe lavdimn e tu”, thotë një varg i himnit.

Me këtë flamur u shpall pavarësia e Shqipërisë më 28 Nëntor 1912. Gjatë historisë atij i shtoheshin “dekore”: herë përkrenarja e Skënderbeut, herë simbolet fashiste, e herë ylli i Davidit apo ai komunist. Por, thelbi nuk u ndryshua: shqiponja dykrerëshe e zezë me sfondin e kuq. Me këtë flamur kuqezi u bë edhe betimi në luftën e fundit në Kosovë, në Maqedoni dhe në Luginë të Preshevës.

Por, gjërat kanë ndryshuar paksa tash vonë. Politika euro-atlantike i ka bërë politikanët shqiptarë të Kosovës më të “urtë”. Dhe, me këtë urtësi flamurin kombëtar e kanë vënë në plan të dytë. Dikush mund të thotë se kjo është lojë politike, dikush tjetër se s’kemi çare, e dikush se e “kënaqëm”. Për të ditur se cila është e vërteta, është mirë t’i kujtojmë shqiptarët që jetojnë në Mal të Zi, Luginë të Preshevës, Maqedoni e Greqi, dhe kërkesat e tyre për përdorim të lirë të këtij simboli kombëtar, e po ashtu edhe urrejtjen që të tjerët e shprehin ndaj shqiptarëve pikërisht me djegien e tij, gjë që neve na bën të plasim për inati.

Prandaj, “rreth flamurit të përbashkuar/ Me një dëshir` e një qëllim”, duhet të jemi të gjithë ne, siç thonë vargjet e para të himnit tonë kombëtar.

Pa marrë parasysh frustrimet që shqiptarët i kanë me origjinën e këtij himni, me muzikë dhe tekst të adaptuar rumun, ky himn është mishëruar në psikologjinë dhe patriotizmin shqiptar. Prandaj, me të drejtë shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, thotë se frikën dhe optimizmin e mosshuarjes si komb shqiptarët e kanë përforcuar edhe nga Himni Kombëtar.

E, siç dihet, himni kombëtar është Hymni i Flamurit. Prandaj, kush nuk lufton për flamurin, “ai është i lindur tradhëtor”. Pikë.

Agron Shala, kryeredaktor
Telegrafi.com



NJËRI VERSION I PREJARDHJES SË SHQIPONJËS DYKRENËSHE

Shqiponja ka qenë dikur në periudhën e Romës antike simbol i këtij shteti. Si simbol i Romës shqiponja u përdor edhe nga strategët e saj si Kaj Mari, Luç Serg Katilina, Pompeu i madh, Cezari etj. P.sh. ky i fundit përdorte si simbol të tij shqiponjën e artë të vendosur në një fushë të kuqe. Po kështu veproi me stemën e Cezarit edhe i nipi Oktavian Augusti, i cili u pasua më vonë edhe nga Konstantini i madh.

Shqiponja dykrenëshe e Perandorisë Hitite (shek. XII p.e.s.)

Me ndarjen e Perandorisë Romake në vitin 395 shqiponja u transformua me dy koka, duke simbolizuar njëra Perandorinë e Perëndimit me qendër Romën dhe tjetra Perandorinë e Lindjes me qendër Kostandinopojën (Bizantin). Ndërkohë Perëndimi u pushtua nga barbarët në vitin 476 duke humbur traditat më të vyera të antikitetit, e bashkë me to edhe simbolin e tij. Ndërsa Lindja (Bizanti) vazhdoi të jetojë edhe për 10 shekuj të tjerë duke ruajtur këtë simbol që vinte prej "qytetit të amshuar" (Romës).
 
Sipas Kasem Biçokut, shqiponja dykrerëshe është përdorur si simbol pushteti dhe dokumentohet se është përdorur për herë të parë nga perandori me origjinë ilire, Konstantini, dhe më pas u bë traditë vendëse në të gjithë Ballkanin. U përdor edhe nga Skënderbeu, për të treguar se ishte përfaqësues i sundimit paraosman.


Skicë e shqiponjës dykrenëshe ilire e shekullit VI p.e.s. Shqiponja ishte në mburojën e një luftëtari ilir

Se cila është rrjedha historike, Biçaku tregon: “Në lashtësi ka qenë shumë i përhapur totemizmi (lloj besimi që adhuronte kafshët dhe shpendët, duke i konsideruar si mbrojtës dhe themelues të njerëzimit). Shqiponja është konsideruar si bashkudhëtare e perëndive dhe vet perëndi. Ajo dhe luani janë konsideruar kudo si mbretër, përkatësisht të shpendëve dhe të kafshëve. Për këtë arsye figura e shqiponjës dhe luanit janë më përfaqësueset në heraldikat (stemat, shenjat) e vjetra. Shqiponja është simbol pushteti, guximi dhe lartësimi shpirtëror. Ka qenë simbol pushteti perandorak, prandaj është dhe në heraldikat e shumë vendeve.
 
Shqiponja me dy krerë është përdorur si simbol që në shekullin VII para erës sonë në Turkmenistan. Shqiponja e zezë me një kokë është përdorur si simbol në perandorinë romake dhe me përhapjen e krishterimit u përdor edhe nga kisha katolike.
 
Shqiponja dykrerëshe është përdorur për herë të parë nga perandori me origjinë iliro-shqiptare, Konstantini (306-337), themelues i Kostandinopojës, duke i krijuar perandorisë romake dy qendra administrative: Romën dhe Kostandinopojën. Dhe, shqiponja simbolizonte këto dy vende. Gjatë sundimit të perandorit iliro-shqiptar, Justiniani I (527-565), u bë bashkimi i dy kishave dhe si simbol i përbashkët kishtar u bë shqiponja dykrenëshe, prandaj gjendet si simbol nëpër kishat mesjetare të Shqipërisë dhe Ballkanit. Në shekullin X në Perandorinë Bizantine shqiponja dykrenëshe shfaqet me krahë gjysmë të hapur dhe vazhdoi të shfaqej ashtu.


Shqiponja si simbol i Perandorisë Romake
 
Formën dhe ngjyrat e tij, flamuri Bizantin i mori gjatë sundimit të Justinianit (527-562) - Perandorit me origjinë Ilire. Dukej se atij i pëlqente që dy kokat e Shqiponjës t’i identifikonte me vetveten dhe të shoqen, Perandoreshën Teodora. Më vonë, me kalimin e kohës, me anë të martesave dhe dhënies së privilegjeve, Bizanti ia dhuroi simbolin perandorak fisnikërisë së kombeve, që ishin integruar në këtë Perandori shumëkombëshe, si: princave rumunë, bullgarë, gjermanë, rusë, serbë, grekë, shqiptarë etj. Kjo është arsyeja që këtë simbol sot e përdorin një duzinë popujsh e shtetesh, të cilat dikur kanë patur kontakte kulturore me Bizantin. Ndërkohë, ai shfaqet si simbol i kishës Ortodokse, pasardhëse e drejtpërdrejtë e Perandorisë së Lindjes - Bizantit. Flamuri Bizantin ruhet sot në një nga manastiret e Malit të Shenjtë (Athos) në Greqi, në ngjyrat e tij origjinale: shqiponjën e zezë me dy koka, të vendosur në një fushë të artë.


Shqiponja në njërën anë të monedhës së perandorit romak Neron

Në Shqipëri, si simbol pushteti, shqiponjën e kanë përdorur familjet sundimtare shqiptare të mesjetës, si: Kastriotët, Arianitët, Muzakajt, Topiajt, Gjurashët, po ashtu edhe Çernojoviçët e Malit të Zi. Duke përdorur shqiponjën si simbol të pushtetit të tyre, dëshmohet se këto familje kanë qenë funksionare të larta gjatë Perandorisë Bizantine.
 
Me shembjen e Perandorisë Bizantine në vitin 1453, shohim që nga Skënderbeu u përdor edhe ngjyra e flamurit të Bizantit dhe me këtë donte të tregonte se ishte vazhdues i pushtetit paraosman, megjithëse i bëri dallime qoftë stemës dhe flamurit, për ta dalluar nga ai i Bizantit. Në vulën e Skënderbeut, ku është shqiponja dykrenëshe, ndërmjet dy krerëve të saj është vendosur një yll me gjashtë cepa. Mbi këtë yll është një yll tjetër me tetë rreze.


Emblemë e Perandorisë bizantine
 
Kurse, në stemën e Kastriotëve që është gdhendur dy herë në varrin monumental të nipit të Skënderbeut, Konstantin Kastrioti, ylli është me tetë cepa dhe mbi krerët e shqiponjës janë dy kurora mbretërore. Me këto simbole Skënderbeu tregonte pretendimin se kishin prejardhje nga Aleksandri i Madh, gjë që e kemi të shprehur në epigrafin e Alfonsit në një kishë të Valencias në Spanjë. Pra, shqiponja dykrenëshe është përdorur masivisht nga sundimtarët si simbol pushteti dhe mund të konsiderohet traditë romako- bizantine.


Shqiponja e Perandorisë së Shenjtë Romake

Gjatë kohës së Rilindjes, aktivistët e saj të të gjitha feve e grupeve punonin dhe vepronin nën hijen e këtij flamuri edhe pse ai nuk ishte i standardizuar deri në kohën e krijimit të shtetit të parë shqiptar. Me kthimin e Ismail Qemailit në Vlorë, dhe krijimin e shtetit të parë të shqiptarëve bëhet edhe standarizimi i flamurit kombëtar shqiptar i cili ishte gjithashtu edhe flamuri shtetëror i qeverisë së parë të Shqipërisë. Ky flamur llogaritet si një ndër elementët kryesorë të kombit të tyre.

 

VERSIONI I JAHO BRAHAJT PËR SHQIPONJËN DHE PËR FLAMURIN

Një version i prejardhjes së flamurit të shqiptarëve, i vendosur shumë më herët në histori, me kohën e kultit pagan të diellit dhe simbolikës që përfaqësonte atë

Shqiponja dykrenëshe është e dokumentuar qartësisht tek paraardhësit tanë, që nga shek. VI p.e.r.(para erës së re).

Varëse me dy koka shpendësh me drejtime të kundërta (periudha e bronzit)

Që në periudhën e bronzit kemi nga paraardhësit tanë, me formën e artit të lashtë, të dëshmuara koka të shpendit me drejtime të kundërta në objekte kulti dhe zbukurimi, por që gjithmonë edhe këto të dytat kanë ngarkesa religjioze të besimeve të lashta.

Dy kokat e shpendit kultik janë të pranishme në të gjitha epokat që kaloi populli ynë deri në ditët e sotme.

Hajmeli me dy koka të zogut

Interesi ynë është tek shqiponja dykrenëshe, që është emblema e flamurit kombëtar shqiptar. Shqiponjën dykrenëshe, së pari, e njohim tek Perandoria Hitite, 12 shekuj p.e.r., e pothuajse të njëkohshme pak më vonë e kemi tek popujt e Mesopotamisë së lashtë dhe në rajone të Iranit të sotëm.

Në lashtësi dhe në vazhdim shqiponja dykrenëshe përfaqëson fuqinë diellore në këtë e atë botë, botën tokësore dhe botën e përtejme, ditën dhe natën, si një trup i vetëm që ekziston i shfaqur vetëm me njësinë brenda unitetit të dyzuar. Përfaqëson ekuilibrin e ndryshimit ritmik të errësirë-dritës, të lëvizjes qiellore, që sjell ndryshimin e stinëve në mënyrë ritmike.

Emblemë nga Kështjella e Lezhës. Shqiponja ka gjarprin nën kthetra (shek. XIII-XIV)

Në një fjalor lexojmë se ajo paraqet mashkullin dhe femrën (në bimësi dhe në qeniet e gjalla), si dy të kundërta të një uniteti të përbashkët. Në vazhdimësi do të hedhim dritë mbi kulte, besime e rite të trashëguara tek kombi ynë, nga lashtësia e deri në ditët e sotme, që lidhen me shqiponjën. Ndalemi dhe veçojmë dy nga këto atribute të shqiponjës dykrenëshe të dëshmuara tek paraardhësit tanë.

Shqiponja dykrenëshe përfaqëson dritën, por dhe errësirën.

Fragment i pllakës së zbuluar në Gostil me tematikë kultin e diellit dhe të rrufesë. Anash diellit duken dy shqiponja, më vonë të trashëguara në skenat e krishterimit 

Kjo na trashëgohet edhe nga gojëdhëna e lashtë e ruajtur në kronikat e Gjon Muzakës. Ky na shpjegon se simboli i lashtë epirot nga rridhte dera e tij, ishin dy pishtarë: kur njëri ndizej, tjetri shuhej e kështu me radhë; kur drita agonte nuk kishte errësirë dhe kur errësira binte nuk kishte dritë. Kjo është e lidhur me besimin e popullit tonë (dhe pothuaj mbarë popujve të botës), se kur dielli ndriçon botën tonë, atje (në botën e përtejme), nuk ka dritë dhe kundërta. Shqiponja udhëtonte sipas besimeve të lashta deri tek dielli, kjo e dëshmuar në mitet e besimet e Dodonës Pellazgjike, me shqiponjën me simbolin e rrufesë ndër kthetra që ia sillte Zeusit.
 
 
Shqiponjë e lashtë e gdhendur në gur në një banesë popullore
 
Që shqiponja udhëtonte drejt lartësive të qiellit, është e dëshmuar dhe në Bibël. Shqiponja drejtonte diellin që të lindte në botën tonë (sipas besimeve të lashta), por dhe e përcillte për të ndriçuar në botën e përtejme. Ajo kishte pushtet në drejtim të Lindjes nga kishte vazhdimisht të drejtuar njërën kokë, por edhe në Perëndim, për ku e përcillte diellin, nga ku e kishte të drejtuar tjetrën kokë.
 
Shqiptarët e kanë paraqitur shqiponjën, që në kohë të lashta, në objekte kulti e në artin popullor, pra mijëra vite përpara se ta vendosnin në stemat e tyre dhe në flamur.
 
 
Pëllumb bronzi i zbuluar në rrënojat e tempullit pellazg të Dodonës
 
Tempulli më i lashtë në Ballkan, Dodona, kishte kultin e shqiponjës lajmëtare të Zeusit dhe në disa raste vetë Zeusi paraqitej grafikisht në formën e shqiponjës. Populli ynë në vazhdimësi kultin e shqiponjës e ruajti dhe e kishte pjesë të strukturës shpirtërore, kjo e ruajtur dhe në dekoracione dhe objekte kulti. Kjo nuk do të thotë se nuk e kishin dhe popuj të tjerë të lashtë.
 
Shqiponjën dykrenëshe e kemi tek paraardhësit tanë, ilirët, të dokumentuar që nga shek. VI p.e.r, fakt i cili qartëson, që kjo formë grafike e shqiponjës dykrenëshe nuk u huajt nga popujt e tjerë pas kësaj kohe.
 
Hajmeli imituese e vargut të shpendëve shtegtarë e përdorur nga ilirët e më vonë edhe nga arbrit në mesjetë
 
Dëshmi të tërthorta na thonë se shqiponja dykrenëshe ishte e njohur që në muzgun e historisë tek popullsia paraardhëse e Ballkanit.
 
Ka referenca për objekte kulti që paraqesin shqiponja dykrenëshe janë zbuluar në rrënojat e tempullit të Dodonës, por kjo është e padokumentuar grafikisht, prandaj si kohë e dëshmisë materiale mbetet e sigurt shek. VI p.e.r.

Shqiponjën-kult dihet se e kanë shumë popuj, deri dhe aztekët e Amerikës, por me dy kokë vetëm hititët. Popullsia e vjetër e Iranit dhe ilirët e njihnin dhe e praktikonin. Kur flasim për shqiponjën dykrenëshe në Ballkan, janë iliro-arbrit që e kishin, dhe si rrjedhojë, ata ua dhanë të tjerëve.


Blatë për bekimin e bukës
 
Më vonë e shohim se e kanë bizantinët, për të cilët nuk dihet me siguri se a u fiksua në stemë më parë tek ata (bizantinët) me paleologët apo tek shqiptarët. Paleologët (perandorë bizantinë) e përvetësuan dhe fiksuan në stemë në fillim të shek XIII. Në këtë kohë tek shqiptarët e kemi tek dera Gropa (shek XIII), kurse për derën Kastrioti e dimë se e kishin paraardhësit e Skënderbeut, d.m.th. para shekullit XV. Aranitët që e kanë edhe ata shqiponjën dykrenëshe, e kanë zanafillën e dokumentuar që nga shek. XI.
 
Më përpara nga popujt e tjerë të Ballkanit dhe Evropës, shqiponjën njëkrenare të stemave heraldike familjare e gjejmë tek arbrit. Gjurmët më të hershme i kemi me Principatën e Arbrit, ku natyrshëm edhe në flamurin shtetëror të këtij formacioni politiko-shtetëror, është shqiponja njëkrenare në shek XII. Kjo do të thotë se shqiptarët e praktikonin para fqinjëve të tyre ballkanikë këtë simbol në flamur.


Nga e majta në të djathtë: 1. Monedhë ilire; 2. Tokëz ilir me motivin e shpendit me dy kokë (shek. V p.e.s.); 3. Shqiponjë mesjetare e gdhendur në gur
 
Në shek. XIV në Arbëri praktikohej në emblema dhe në flamuj shqiponja dykrenëshe. Shqiponja dykrenëshe në stema dhe në flamuj mesjetarë ndoshta është bashkëkohëse me paleologët bizantinë, por është e sigurt se tek arbrit është shumë përpara serbëve, rusëve, habsburgëve të Austrisë, Perandorisë së Shenjtë Romake etj. P.sh. rusët e morën nga martesa e Sofia Paleologut me djalin e Carit të Rusisë. Martesa u bë më 1472 me ndërhyrjen e Vatikanit.  Shqiponja dykrenëshe u vendos në stemat ruse disa vite pasi dhëndri u kurorëzua Car.
 
Pas shkatërrimit të Perandorisë Bizantine nga otomanët me një shpejtësi të vrullshme në heraldikë në shumë vende dhe familje evropiane u përqafua shqiponja dykrenëshe. Të gjithë donin të shpallnin trashëgiminë ose veprat për mbrojtjen e kësaj perandorie. Shqiponja dykrenëshe nuk u ruajt dhe trashëgua nga hititët në vazhdimësi, as tek iranianët. Ajo u ruajt që nga shekujt e mijëvjeçarit të parë p.e.r. vetëm në truallin ballkanik nga arbrit dhe nga Bizanti. Ajo si simbol u përhap me shpejtësi në mbarë Evropën.


Mozaik i shekullit IV i zbuluar në Besianë (Kosovë), pjesë e një objekti kulti ku ka edhe shqiponja
 
Flamuri i shek. XV i kombit tonë me shqiponjën dykrenëshe u ruajt në vazhdimësi vetëm tek shqiptarët. Në Evropë asnjë flamur nacional nuk ka vazhdimësi në pesë shekuj, prandaj flamuri kombëtar shqiptar renditet si flamuri më i vjetër në Evropë. Duke marrë parasysh se simboli kultik i shqiponjës dykrenëshe është pjesë e kulturës shpirtërore e materiale të ilirëve e në vazhdimësi deri në ditët tona, atëherë konkludohet se është simboli i flamurit më të lashtë në Evropë dhe nga më të lashtët në botë.
 
Figura e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, qëndron në kulmin e panteonit të kombit shqiptar, sepse veprimtaria e lavdishme të epokës së tij, solli procese të mëdha historike gjithëpërfshirëse kombëtare. Gjatë periudhës më se njëshekullore të luftës kundër furisë pushtuese të osmanëve, sidomos gjatë viteve të qëndresës nën udhëheqjen e Skënderbeut, u kristalizuan tiparet kombëtare, që erdhën prej thellësive të shekujve dhe u çimentuan në këtë fund mesjete.


Nga e majta në të djathtë: 1. Unazë e shekullit IX, e zbuluar në Kaninë të Vlorës; 2. Shqiponjë e gdhendur në drurin e mishrave të pjekur
 
Është i njohur fakti, që shqiponja dykrenëshe u pranua njëzëri, si flamuri i kombit shqiptar, më 2 mars 1444.
 
Dihet se flamuri, që u shenjtërua i tillë, ishte simboli heraldik administrativo-politik i Dinastisë Kastrioti, të cilët e trashëgonin, si shenjë dhe flamur, që shumë kohë përpara shekullit XIV. Ruajtja e flamurit kombëtar shqiptar në shekujt e robërisë pesëshekullore, është e lidhur dhe në traditën e lashtë të paraardhësve të shqiptarëve me kultin e shqiponjës.
 
Gjatë gjithë rrugës së mbijetesës nga prehistoria dhe iliro-arbëresho-shqiptarët e ruajtën kultin e shqiponjës, dhe kjo është një ndër faktorët që simboli heraldik kombëtar (flamuri kombëtar shqiptar), i përcaktuar nga Kuvendi Shqiptar i Lezhës të pranohej, sepse ishte edhe pjesë përbërëse e pasurisë shpirtërore tradicionale mbaretnike. Fakti që perandoria bizantine e mori dhe e përdori shqiponjën dykrenëshe nga fondi kulturoro-shpirtëror i Ballkanit, nuk duhet të shihet si huazim më vonë tek shqiptarët. Studiuesit kanë vënë re dhe kanë konkluduar se “Shqiponja dykrenëshe e Skënderbeut nuk ishte ndikim nga ‘faktori bizantin’, por ishte përfytyrim i një kulti të paraardhësve të shqiptarëve”.


Nga e majta në të djathtë: 1. Motiv kultik i ngjashëm me zvastikën: qëndisje në veshjen e lartë të xhubletës; 2. Shqiponja dykrenëshe në xhyben e veshjes tradicionale të grave qytetare të Prizrenit 
 
Flamuri kombëtar i pranuar nga Kuvendi Shqiptar i Lezhës nuk ishte vetëm akti i pranimit të një simboli heraldik kombëtar, por përkoi me atë, që ky simbol kultik e shpirtëror u bë edhe simbol politik dhe identiteti etnik.
 
Prej shekullit XV e këtej, tek ne shqiptarët, ky simbol kombëtar mbështolli rreth vetes atribute të shumta të shenjta. Shqiptarët, që nga shekulli XV, në flamurin e tyre shihnin vazhdimin simbolikisht të kultit të hyjnisë, së bashku me shenjën etniko-historike të bashkimit shtetëror e politik të kombit shqiptar. Deri më sot na ruhen disa monumente e dokumente, që e pasqyrojnë motivin e shqiponjës së Kastriotëve.


Shqiponjë dykrenëshe e qëndisur në xhubletën e lashtë, që u ruajt në Shqipërinë e veriut

Ky simbol, që është njëkohësisht edhe shqiponja e flamurit tonë kombëtar, ruhet në varrin e nipit të heroit tonë Konstandin Kastrioti në Napoli, në disa stema të kështjellave të Puljes, ku jetuan pasardhës të kësaj dere.
 
(Teksti dhe ilustrimet: Jaho Brahaj, “Famuri i kombit shqiptar - origjina, lashtësia”,  Tiranë, 2007)

HERALDIKA SHQIPTARE

Heraldika është shkenca që studion historinë dhe evoluimin e stemave dhe armëve mesjetare. Heraldika shqiptare e parë, në planin krahasimtar, rezulton me një moshë me heraldikën evropiane. Gjurmët më të hershme të saj i gjejmë në shekullin XI, në emblemën e principatës së Arbërit, që ndiqet më pas me emblemën e Topiajve, Dukagjinëve, Skurrajve, Muzakajve, Buajve, Balshajve, Gropajve etj. Në Shqipëri ajo pati një zhvillim të vrullshëm me përjashtim të disa ndërprerjeve të shkurtra gjatë pushtimeve të huaja kalimtare. Kulmin e zhvillimit ajo e pati gjatë periudhës historike të Skënderbeut 1444, i cili preu edhe Besëlidhjen Shqiptare me flamur të kuq, me shqipe të zezë dykrenëshe, në çlirimin kombëtar nga zgjedha osmane.

Pulla postare të Shqipërisë me elemente të traditës së heraldikës shqiptare
 
Në vitin 1478, me rënien e shtetit të Skënderbeut, nis ndërprerja e kulturës heraldike në Shqipëri, pasi perandoria osmane nuk e aplikonte heraldikën si disiplinë kulturale dhe identifikuese. Në 1479 ra qyteti i Shkodrës, qendra më e lulëzuar e kulturës heraldike. Tradita spostohet në qytetin e Durrësit, qytet që rezistoi deri në vitin 1508, vit ky kur osmanët uzurpuan qytetin. Ulqini dhe Tivari e ruajtën traditën heraldike, por me sa duket viti 1508 shënoi agoninë e kulturës heraldike pasi ajo emigroi bashkë me fisnikërinë shqiptare në Venedik, Ankonë, Raguzë, Napoli etj. Më pas gjurmë janë gjetur në 1690 në qytetin e Pragës për të mbetur të konservuara deri në vitin 1797, si stemat e familjeve Avloniti, Barabati, Basani, Kapodistria, Gonemi, Lança, Trandafili etj.


Nga e majta në të djathtë: 1. Emblema e derës shqiptare Buzëzezi (fillimi i shek. XIV); 2. Emblema e Gjergj Arianitit (fundi i shek. XIV); 3. Emblema e Lekë Dukagjinit (shek. XVI)
 
Janë pikërisht 33 stema dhe shenja heraldike që dikur kanë zbukuruar kështjellat, oborret, parzmoret e kalorësve dhe familjeve më të moderuara, ndërkohë që Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë ka vetëm 7 të tilla.
 
Shqiptarët pra kanë një traditë tipike europerëndimore në kreimin, materializimin dhe ruajtjen e stemave, flamujve dhe emblemave tjera princërore, mbretërore, nacionale, shtetërore dhe politike. Porse, për habi, ato më me zell janë mbledhur dhe ruajtur, madje edhe studiuar nga të huajt, se sa nga vetë shqiptarët. Sidoqoftë, kohëve të fundit në Kosovë e ka bërë një përpjekje të tillë Shyqyri Nimani, ndërkaq në Shqipëri me studimin e heraldikës merret Gjin Varfi.


Stema e familjes Balshaj

SHQIPONJA NË SHTETIN E PARË TË ARBËRIT

Dëshminë e parë shtetërore të shqiponjës, e kemi te shqiponja njëkrenëshe e Shtetit të Arbërit me sundimtarin Progon (1190-1199). Shteti Arbërit u themelua më 1190 dhe për kryeqytet e kishte Krujën. Pas vdekjes së Progonit, më 1199, sundimin e Arbërit e trashëgoi i biri Gjini (1199-1208). Gjatë sundimit të Gjinit do të ndodhin ngjarje të rëndësishme: si pasojë e Kryqëzatës së Katërt do të përmbyset sundimi bizantin dhe do të krijohen formacione të reja territoriale.

Flamuri i Principatës së Arbërit

Në jug të Arbërisë themelohet Despotati i Epirit, në veri Mbretëria (serbe) e Rashkës, ndërsa në lindje Mbretëria Bullgare. Në këtë kohë, kur Republika e Venedikut po pushtonte një pas një qytetet shqiptare: Durrësin, Kaninën, Jerikonë... sundimtarët arbër do të krijojnë aleanca martesore me sundimtarët e vendeve fqinje me qëllim të sigurisë shtetërore.

Me rastin e kremtimit të jubileut të madh, 800-vjetorit të shtetit të Arbërit (1190-1990), Drejtoria e Përgjithshme e PTT-së Shqiptare, më 30.I.1991, emetoi pullat postale me shqiponjën e Shtetit të Arbërit.

MUZAKAJT...

Një nga njerëzit më të shquar të kohës së tij në Shqipërinë e shekullit të XIV ishte edhe Princi Andrea i II-të Muzaka. Me ndihmën e Balshajve dhe aleatëve të tjerë të tij, si Arianitët, Matrengët, ai theu në vitin 1370 pranë Kosturit mbretin serb Vukashinin që ishte zotërues i Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore (Histori e Popullit Shqiptar. Tiranë 2002, fq.294). Pas kësaj fitoreje të bujshme, Perandori Bizantin Joani i V-të Paleologu i konfirmoi A. Muzakës titullin e despotit (princit), duke i dhuruar stemën Perandorake Bizantine, siç ishte shqiponja e zezë me dy krerë e me yll në mes vendosur në një fushë të artë. Kjo zëvendësoi emblemën e hershme të Muzakajve e cila paraqiste një burim që shpërthente nga toka dhe ndahej në dy rrjedha, duke patur një pishtar në mes.


Transformimi i stemës së familjes Muzakaj

Këtë ndërrim simbolesh, humanisti shqiptar Gjon Muzaka e pasqyron kështu në Memorialin e tij: "Duhet ta dini se qysh nga kohët antike stema e derës tonë ka qenë një krua i gjallë i cili rridhte në tokë me dy rrjedha në dy anë… Pastaj kanë patur shqiponjën me dy krerë të kurorëzuar me një yll në mes". (Gjon Muzaka. Memorie. Tirane 1996. fq.24).

Pas këtij pasazhi të parë nga i njëjti burim mund të përmendim se në Kishën e madhe të Frankavilës në Otranto (Itali) ndodhet një tjetër epitaf i gdhendur mbi pllakën e varrit të Despotit Gjon Muzaka.

"I Plotfuqishmi Jezu të falet këtu Gjon Muzaka, i biri i Gjin Despotit, Zot i Myzeqesë dhe i Epirit që nga qytetit i Bizantit trashëgoi shqiponjën dy krenare që mbante në flamur".

SKËNDERBEU...

Shqiponja e derës Kastrioti në afreskun e Kishës së Shna Dout në Rodon

Skënderbeu përdori si simbol të shtetit të tij shqiponjën dykrenëshe. Njihet fakti se këtë simbol ai e huazoi nga Muzakajt, duke e zëvendësuar stemën që kishte trashëguar nga i ati Gjoni. Ky i fundit përdorte si stemë figurën e një princ (burri) me flokë të gjatë dhe togë (Gjin Varfi, Heraldika Shqiptare. Tiranë 2000, fq. 27). Shqiponjën dykrenëshe e kanë përdorur si simbol të tillë edhe Arianitët, Cernojeviçët e Zetës, Lekë Dukagjini etj.

Vula e Skënderbeut

Për herë të parë në histori emblema e Gjergj Kastriotit me shqiponjën dykrenëshe shfaqet në vitin 1451. Ajo paraqitet në një libër uratash që ju dhurua Skënderbeut nga Alfonsi i V-të, Mbreti i Napolit me rastin e nënshkrimit të traktatit të Gaetës - 26 Mars 1451 (Gj. Varfi. Heraldika Shqiptare, fq. 32). Ai ju dorëzua ambasadorëve të Skënderbeut që nënshkruan këtë traktat, Peshkopit Stefan të Krujës dhe at Nikola Bergucit nga Protonoteri i Alfonsit Arrnaldo Fonoleda.

Flamuri shqiptar i kohës së Skënderbeut i vizatuar në një hartë të vitit 1459

Simboli përfaqësues i shtetit të Skënderbeut del përsëri në një katalog venecian stemash në vitin 1463, kur Gjon Kastrioti, i biri i heroit mori titullin "Fisnik i Republikës" (Akademia e Shkencës, Historia e Popullit Shqiptar, fq.434). Po kështu ky simbol ruhet i gdhendur në varrin monumental të Konstantin Kastriotit, ndërtuar në vitin 1500 nga gjyshja e tij Donika, në kishën e Shën Marisë së Ëngjëjve në Napoli (Itali). Njëlloj si në flamur, Skënderbeu e përdori shqiponjën dykrenëshe me krahë të ulur dhe yllin me gjashtë cepa sipër edhe në vulën e tij të madhe, të cilën e përdorte në dokumentet zyrtare (Historia e Popullit Shqiptar, fq.433). Ndërkohë, kur Kastriotët u larguan në Itali pas vdekjes së Skënderbeut me 17 Janar 1468, ata jo vetëm e ruajtën simbolin e tyre por e përdorën gjerësisht atë si stemë të heraldikës së tyre...

Vula e Skënderbeut në dyllë

RIZBULIMI DHE IDENTITETI KUQEZI

“Ndoshta e dini që asnjë nga flamurët e fqinjëve tanë ballkanikë nuk është më i vjetër se njëqind e pesëdhjetë vjet. Disa prej atyre nuk e kanë mbushur as qindëshin akoma. Flamuri ynë është të pakën 500 vjet i vjetër, dhe ndoshta disa qindra vjet të tjera përmbi to. Është flamuri historik i Skënderbeut, kryetrimit kombëtar që luftoi njëzet e pesë vjet me radhë kundër Turqve; luftëtari i fundit në Ballkan, i cili ka përballuar Sulltanët më të mëdhenj të Turqisë. Pas vdekjes së Skënderbeut, Shqipëria, e neveritur prej fuqive evropiane, ra në duart e Turqve. Për katërqind vjet me radhë atdheu ynë ka rënkuar nën zgjedhën e sulltanëve. Në këtë periudhë Flamuri i Skënderbeut u harrua, dhe askush nuk e dinte që ekzistonte, gjersa u zbulua prej një studenti të ri nga historia - në latinishte - e Skënderbeut nga Barleti. Ai student ishte Faik Konica...”, ka thënë Fan Noli.

Kopertina e veprës së Marin Barletit: "Historia e jetës dhe veprave të Skënderbeut, princit të Epirit

“Faik Konica, sikundër e dini, ka qenë një nga kampionët më të mëdhenj të indipendencës kombëtare; pa dyshim, ka qenë mjeshtëri më i madh i shkrimit të gjuhës sonë dhe, veç këtyre, është njeriu që na ka zbuluar flamurin e Skënderbeut. Ja tre tituj, që nuk munt t’ia mohojnë as kundërshtarët më të egër”.

Kur e thotë këtë, Noli bazohet në tri tekstet e Faik Konicës për flamurin, që janë të zhanreve të ndryshme dhe janë shkruar në kohë të ndryshme: një poezi: Flamuri (1899); një artikull kritik: Flamuri i Shqipërisë (1909); dhe një ese: Flamuri (shkruar më vonë). Pikërisht në artikullin kritik Flamuri i Shqipërisë, të botuar në Albania, vëllimi XII, 1909, kemi informatat, në të cilat bazohet Konica për zbulimin e tij, ku në përfundim, konkludoi:

“Le të kërkojmë në këto vepra me rëndësi në bëhet fjalë për flamurin e Skënderbeut dhe ç’thuhet

I. Anonimi i Tivarit, 1480 (i cituar prej Biemit, faqe 23) thotë: “L’isegna di Skander begh era un’aquila negra distinta in due tete sopra campo rosso”. Domethënë: “Flamuri i Skënder Beut ish një shqiponjë e zezë me dy krerë dhe e hapur në shesh të kuq”.

II. Barleti, 1508 (fletë XV) thotë: “Rubea vexilla nigris et bicipitibus distincta aquilis gerebat Scanderbegus”. Domethënë: “Skënder Beu mbante flamur të kuq të shkruar me shqiponjë të zezë dhe dykrerësh”.

III. Lavardin-i, 1576 (faqe 42) thotë: “Dans ses estendars, qui estoient tous rouges, il portoi une Aigle noire a deux testes”. Domethënë: “Në flamujt e tij, që ishin të gjithë të kuq, Skënder Beu kishte një shqiponjën e zezë  me dy krerë”.

“Si e shihni, pra, o vëllezër, flamuri, i cili është një nga më të ndershmit dhe nga më të lëvuarit të botës, është pa dyshim edhe nga më të vjetrit”.

Faik Konica, njeriu që bëri të mos harrohet flamuri i Skënderbeut

Këtë artikull Faik Konica e shkroi në vigjilje të shpalljes së pavarësisë kombëtare, kur pamja e flamurit ishte imperativ. Dhe, që nga Shpallja e Pavarësisë (1912), flamuri kombëtar shqiptar ka shqiponjën e zezë dykrerëshe mbi sipërfaqe të kuqe.

Faik Konica në shënimin “Fiamuri kombëtar i shqiptarëve”, botuar në revistën “Albania” (15 shtator 1901), ndër të tjera shkruan: “Ngjyma kombëtare jona ësht e kuqja edhe e zeza; këto ngjyma të vëna bashkë janë shenji kombëtar i shqiptarëve”. Marin Barleti, për të cilin Konica thotë: “Qe shkodran dhe e kish parë me sy Skender Beun”.

Po ashtu edhe historianë të tjerë, konstatojnë se flamuri i Skënderbeut i ka pasur këto ngjyra. Në këtë kontekst flet Dr. Nikollaq P. Zografi në komentin “Pse u ngrit flamuri në Vlorë dhe jo në Durrës” (“Hylli i Dritës”, nr. 9-10, 1937). Autori në këtë punim përmend atdhetarin e devotshëm, diplomatin e madh, Ismail Qemalin, i cili me atdhetarë të tjerë, në Vlorë më 28 nëntor, 1912 “proklamuan Independencën Shqiptare me shkabën dy-krenore kuq - zi - kuq, dy ngjyra të cilat invokojnë pa dashur kujtimet e ditëve të zeza dhe të gjakut që u derdh për Shqipëri”.

I bazuar në zakonet e vjetra të kombit tonë, Bejtullah Destani në esenë “Historia e flamurit tonë kombëtar” (“Albanica”, Prishtinë, nr. 73, 2007) thotë: “Ngjyra e kuqe ka qenë shenja dalluese e fisnikëve në kohërat e vjetra. Pra është afër mendjes që edhe stërgjyshërit tanë ta kenë përdorur në këtë kuptim”.

Shqiponja dykrenëshe në revistën “Albania” të Faik Konicës

Simbolikës së ngjyrave të flamurit tonë kombëtar kuptim më të gjerë i ka dhënë revista “Leka” në punimin “Shqipni, Liri, Flamur” (pa emër autori), botuar në numrin special të nëntorit 1937 me rastin e 25-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shpipërisë. Në këtë punim është shkruar: “Shtroja e kuqe, toka, e shqipja e zezë, populli. E kuqja njihet në heraldikë si ngjyra mâ fisnike, e ka Martin, Zotin e luftës për planet. Përfaqëson zjermin e rubinit; difton dashtnin e Zotit e të robit, e prandaj bashkim. Këtë vështrim e shofim pá pra në drandofille të kuqe e cila merret prej gjithkuj si shembllesë dashtnije; shembullon marren, gjak të derdhun në luftë, lakmi hakmarrjeje, guxim, trimni, fuqi, madhni, bujari, fisniki të shqueme zotnim. Ngjyra e zezë âsht ngjyrë trishtimi, idhnim, kryengritje, hakmarrje, dëshpërim, dekë”.

Siç shkruan revista “Leka” (nëntor, 1937), sipas rrëfimeve popullore, kur është folur për shqiponjën dykrerëshe, është thënë: “Shifet se ka një vështrim bashkimi dymbretnish; e për Shqipnin ka vështrimin e bashkimit të dy vllaznivet që e përmbajnë këtë komb: Toskë e Gegë.

Gjatë gjashtë misioneve amerikane në Hënë, astronautët kanë lënë flamuj të vendit të tyre si simbol të arritjeve shkencore dhe inxhinierike. Flamuri shqiptar thuhet se është vendosur në Hënë, gjatë misionit Apollo 14, më 1971, nga astronauti i NASA-s që mëtohet të ketë origjinë shqiptare, Alan Shepard (foto: Ilustrim)
 
Në esenë “E kuqja dhe e zeza në shkrimet diskursive”, të botuar më 13 tetor në “Zëri”, Hysni Hoxha shkruan: “Simbolika e ngjyrave të flamurit tonë kombëtar: e kuqja dhe e zeza strukturohen shpeshherë në krijimtarinë tonë poetike. Flamuri, që në krijimet e para, si frymëzim poetik, evokohet si simbol i shenjtë kombëtar, si në vjershën e Zef Skiroit: ‘Flamuri i arbërit’:

‘Fluturo te i rimti qiell/ Shejti flamur lyer me gjak’.

Fan S. Noli në vjershën e njohur: ‘Shpell’ e Dragobisë’ krijoi një figurë të re simbolike: Bajram Curri, trim i historisë sonë kombëtare, që u flijua për atdhe, në imagjinatën e Nolit është bajrak, flamur i gjallë, qenie e gjallë e mrekullueshme, që simbolizon heroizmin kombëtar në luftë kundër pushtuesve barbarë të trojeve tona etnike.

Në vëllimin ‘Konkursi për Hymnin e Flamurit’ nr. 2, (Tiranë 1937), ku janë publikuar tekstet e konkursit për një himn të ri kombëtar, që u shpall me pëlqimin e Këshillit Ministrit të Shqipërisë, ngjyra e kuqe, në 16 vjersha të zhanrit të himnit, si në vjershat e përmendura, është simbol i sakrificës, flijimit për idealin më të lartë kombëtar - çlirimin e Shqipërisë nga armiqtë.

‘Me gjak e ngjyem flamurin ndër beteja/ Kur shkrepëtiu dhe gjëmoi rrufeja...’
(vjersha 28, me pseudonim i riu plak)


Tifozët shqiptarë me flamurin kombëtar kuqezi
 
‘Prej Prokupje deri në Nish’, që e këndon rapsodi dhe atdhetari ynë, Dervish Shaqa, është këngë, thirrje e gjakut të qenies sonë, është gjëmë kundër forcave barbare të Serbisë. Prej fundit të vitit 1877 dhe fillimit të vitit 1878, pushteti barbar i Serbisë, me terror të organizuar vetëm gjatë tri ditëve dëboi me dhunë 700 fshatra shqiptare të Sanxhakut të Nishit! Në duart e barbarëve të Serbisë ra Nishi, ra Piroti, Pllana, Toplica, Prokupja, Vranja! Ranë edhe qytete dhe vise të tjera të stërgjyshëve tanë. Rapsodi ynë Dervish Shaqa i shqetësuar thellë këndon:

‘Hajde, hajde Zeqir Llausha/ Tre llogore me gjak i mbushe/ Ço’ Zeqir Bajrakun!/ - S’mund po e luej prej gjakut /- Ço’ Zeqir Bajrakun!/ - S’mund po e luej prej gjakut’.

Në këtë këngë rrëqethëse është krijuar imazhi më tragjik, më tronditës që evokon flamuri ynë kombëtar i skuqur, i shenjtëruar dhe i rënduar nga gjaku i derdhur i trimave tanë që u flijuan në mbrojtje të trojeve tona.

Si në poezinë gojore, lidhur me të cilën kemi shkruar, po ashtu edhe në poezinë e shkruar, fati i kombit shqyptar, identifikohet me flamurin tonë kombëtar, simbolin e shenjtëruar nga gjaku i trimave atdhetarë, që u flijuan për çlirimin e trojeve tona etnike, si në poezinë e Gjergj Fishtës, Asdrenit, Fan S. Nolit, Lasgush Poradecit, Dhimitër Shuteriqit etj.

Në himnet e poetëve tanë evokohet jo vetëm guximi, gatishmëria për sakrificë në mbrojtje të atdheut, por edhe virtytet e larta të qenies sonë kombëtare.

Në mes të fushës simbolike të flamurit tonë kombëtar për të cilën folëm, është shqiponja dykrerëshe, e cila edhe vetë është simbol, që evokon guximin, trimërinë, fuqinë, lirinë, lashtësinë e kombit tonë. Kombi ynë identifikohet edhe me vetë shqiponjën jo vetëm në krijimtarinë letrare, por edhe në valle popullore. Historiani bashkëkohor amerikan, Edwin Jacques në veprën ‘Shqiptarët’ (Shtëpia Botuese “Kartë e Pendë”, Tiranë) shkruan: ‘Ata nuk e quajtën vendin e tyre ‘Albania’, por ‘Shqipëria’, ‘Toka e Shqiponjës’. Ata nuk e quajtën veten ‘Albanians’ por Shqiptarë, ‘Bij të Shqiponjës’. Kështu ata u identifikuan me më fisnikun prej shpendëve që fluturon më lart, që çiftohet për jetë dhe që bën çerdhen ndër maja mbi dy mijë metra të larta’”.

RRUGËTIMI I FLAMURIT TË PAVARËSISË, SIPAS EQEREM BEJ VLORËS

Don Alandro Kastrioti ishte një princ spanjoll. Një stërgjysh i tij kish qenë nën mbret i Napolit. Në vitin 1600 ky fisnik ishte martuar me markezen Auleta Kastrioti. Me një origjinë të tillë Don Alandroja e shpalli veten në fillim të viteve 1900 pretendent të fronit të Shqipërisë. Me famën që gëzonte, propagandën dhe mjetet financiare të shpenzuara prej tij, Alandro Kastrioti pati meritën që e bëri të njohur problemin shqiptar në qarqet politike evropiane. Diku në vitin 1907, Eqrem Bej Vlora, një nga kushërinjtë e Ismail Qemalit dhe njëri prej personaliteteve më të shquara të Shqipërisë së gjysmës së parë të shekullit XX, pati fatin të vizitonte Don Alandron në Paris (E. B. Vlora, Kujtime. Tirane 2003. fq.215). Takimin me këtë "personazh të çuditshëm" ai e përshkruan kështu: "Don Alandro na ftoi për darkë në vilën e madhe si pallat ku na njohu me shoqërinë e lartë të pranishme. Pasi përfundoi darka, një shërbëtor solli një kuti kadifeje të kuqe mbi një tabaka argjendi dhe e vendosi para Don Alandros. Ai u ngrit dhe mbajti një fjalim të bukur... dhe pastaj hapi kutinë e kadifenjtë dhe nxori prej andej një flamur shqiptar: një shqiponjë e zezë dykrenëshe në fushë të kuqe dhe ma dha mua... Pesë vjet e ruajta këtë flamur në dhomën e gjumit varur me një gozhdë anash krevatit, derisa erdhi vërtet dita që kishte profetizuar don Alandroja. Krejt papritur e krejt rastësisht ky flamur u ngrit vërtet si simbol i Pavarësisë së Shqipërisë...

Flamuri i Alandro Kastriotit

Lidhur me flamurin shqiptar, Eqerem Bej Vlora shkruan po ashtu: “Historia e Flamurit shqiptar tretet në mjegullën e kohës. Në veprën e tij, ‘Jetët paralele’, Plutarku thotë se Pirroja, mbreti i Epirit, pas betejës së Heraklesë (280 para Krishtit), kur dëgjoi luftëtarët e tij tek po këndonin një këngë, ku e shquanin si shqiponjë, ai iu tha atyre: ‘Në qofsha unë shqiponjë, ju jeni krahët që më sollët fitimtarë deri këtu’. Në monedhat e qytetit iliro-epirot të Orikumit duket një shqiponjë, që mban në kthetra rrufetë e Zeusit. Po kështu, kalorësit e Skënderbeut (Sipas ‘De vita… Georgi Castrioti’ të Barletit) gjatë fushatës së tij në Pulje, në ndihmë të mbretit të Napolit, në luftën kundër baronëve, mbanin flamuj të vegjël, të kuq, me një shqiponjë të zezë dykrenëshe në mes.

Eqerem Bej Vlora
 
Shqiponja dykrerëshe është simbol i pushtetit perandorak (bizantin,gjerman, rus). Sundimtarët e mëdhenj dhe të vegjël, që u shkëputën nga perandoria bizantine, vazhduan ta mbajnë këtë simbol pushteti.

Kështu, mbase, ka bërë dhe Skënderbeu. Sidoqoftë, në gojëdhënat e arbëreshëve ky kumt ruhet ende i gjallë. Mbi varrin e nipit të Skënderbeut në kishën e shën Mërisë së engjëjve, në Napoli, është vënë stema e tij: një shqiponjë heraldike me një yll të bardhë e vezëllitës pesëcepësh mbi dy krerët.

Midis viteve 1880-1895, Zef Skiroi e më vonë Anselmo Sorekio, në të përmuajshmen e tyre arbëreshe, e botuan, thuajse në çdo numër, këtë emblemë, si flamur të Shqipërisë.

Pas 1900-ës, atë e vë edhe Faik Konica në të përmuajshmen e tij ‘Albania’ në Bruksel. Në shtator të vitit 1909, së bashku me djelmërinë e qytetit, unë organizova në shtëpinë time shfaqjen e dramës ‘Pirrua’ të Mihal Gramenos. Aty, kur kryepriftëresha e Orikumit i zgjat Pirros, që po nisej për në Itali, një flamur, dhe me një ton patetik e duke shkërbyer legjendën e Kostandinit, i thotë: ‘Me këtë shenjë ti do të fitosh (in hoc signo vinces)’. Në prani të prefektit, oficerëve turq, si edhe të gjithë trupit konsullor, me shaka, por edhe me një farë kapaidallëku, unë ngrita për herë të parë në skenë flamurin shqiptar.


Pikturë e shndërruar më vonë në kartolinë ku fiksohet momenti kur Ismail Qemali, nga ballkoni i sarajeve në Vlorë njofton popullin për shpalljen e mëvetësisë së Shqipërisë dhe më pas ngre flamurin e Skënderbeut
 
Asnjë nga zyrtarët e pranishëm turq nuk u ndie, ndërkohë që salla shpërtheu në duartrokitje.

Euforia atdhetare krijoi një gjendje të nderur. Natyrisht, që u raportua menjëherë në Stamboll, por qortimi i vetëm, që dëgjova unë pastaj, më erdhi nga xhaxhai, Ferit pasha, asokohe, ministër i Brendshëm. Ai e quajti ‘të pahijshme’ këtë sfidë në shtëpinë time dhe para të ftuarve të mi...

Një javë pas kthimit tim në Vlorë, çova Murat bej Toptanin dhe Hydaj efendin tek Ismail Qemali, duke iu lutur të më kthente flamurin që i pata huajtur. Më premtuan të ma kthenin atë menjëherë, sapo zonja Marigo Posio (një atdhetare e madhe demokrate, por që i pëlqente reklama) ta kishte qepur e qëndisur flamurin e ri. E pra, më 28 nëntor kryeobjekti i ditës, flamuri si simbol i pavarësisë, me atë pakujdesin tipike shqiptaro-lindore ishte harruar. Për më tepër shumica nuk e dinte sesi ishte ai. Kurrkush më përpara as e kishte parë, as e kishte mbajtur. Askush në Vlorë nuk kishte flamur në shtëpi. Shtetformuesit ranë në hall dhe vështruan njëri-tjetrin të hutuar.

Atëherë ngrihet miku im Hydai efendiu dhe thotë se në dhomën e gjumit të Eqrem beut varet në mur një flamur shqiptar, i futur në një kornizë të bukur. Dhe pyeti se a mund të merrej pa qenë aty i zoti? Ismail beu i dha leje dhe kështu flamuri që dikur don Aleandro Kastrioti më kishte dhuruar solemnisht në Paris, shtegtoi në konakun fqinj dhe ra në duart e Ismail beut, i cili ia dorëzoi Murat bej Toptanit, me porosinë ta varte jashtë, ndërkohë që vetë qëndronte në dritare. Mijëra njerëz u mblodhën në sheshin para shtëpisë dhe në kopsht, duke brohoritur ‘rroftë, rroftë’ edhe pse shumë prej tyre nuk e kuptonin edhe aq se ç’po bëhej.

Më vonë kur unë në ditët festive të shpalljes së pavarësisë si shtet i lirë dhe i pavarur, ngrita flamurin shqiptar në ballin e shtëpisë sonë, disa kosovarë të mirë më thanë: ‘Shumë mirë e bëtë ju të diturit që ngritët flamurin e babë Kralit (pra të perandorit Franc Jozef) se tani nuk ka më se ç’të na bëjë as serbi i poshtër, as malazezi morracak’. Kur pyeta se ku e kam parë shqiponjën e zezë m’u përgjigjën krenarisht : ‘Tek ushtarët e babë Kralit, në Pazarin e Ri’.


Kartolinë e vitit 1920, që mendohet se paraqet flamurin origjinal të ngritur në Vlorë më 28 nëntor 1912

Por, natyrisht, pati edhe të tillë si një farë Haxhi Muhamet efendiu, një klerik i rëndësishëm e fanatik në Vlorë dhe ithtar i fortë i tim eti, i cili shprehej me zemërim se Ismail beu kishte zgjedhur një korb si simbol të Shqipërisë së lirë. (Ah ta kishte bërë Shqipërinë Syria beu, ankohej ai, tani do të kishim në flamur syret e bukura të kuranit. Po ç’mund të presësh tjetër nga Ismail beu, që ka e kaluar të gjithë jetën në vendin e frëngjve?)! Kur ia rrëfeva historinë Ismail beut, ai qeshi me të madhe, por edhe më kërcënoi me gisht se do t’i tregonte hoxhës që flamurin nuk e kishte gjetur ai, por unë”!
(Eqrem Bej Vlora. Kujtime, Tiranë 2003)

MISTERI I FLAMURIT TË 28 NËNTORIT 1912

Simboli i pavarësisë në 28 nëntor 1912, flamuri, vazhdon të ketë disa enigma të pazgjidhura deri në ditët e sotme. 100 vjet më vonë, nuk është zbuluar ende se cili ishte ai person që solli flamurin në Vlorë dhe ia dha Ismail Qemalit, që më pas, me krenari valëviti flamurin e parë të Shqipërisë së pavarur. Dokumentet e shkruara dhe fotografitë mungojnë. Kjo është arsyeja përse gjendemi sot përballë aq shumë hipotezave apo fakteve që lënë vend për dyshim, se kush e solli flamurin dhe nëse mund të zbulohet e vërteta historike.



 
Varianti i parë: Në verën e vitit 1911, zonja Marigo Pozio, me pretekstin se do të mjekohej, udhëtoi drejt ishullit të Korfuzit. Aty takohet me përfaqësues nacionalistë të kolonive shqiptare që ishin mbledhur në ishullin grek. Midis tyre ishin edhe përfaqësues nga SHBA-ja të dërguar nga shoqëria patriotike “Besa-Besën”. Patrioti Kola, me të vëllain Thoma Katundi i dorëzuan zonjës Marigo flamurin me të cilin ajo u kthye në Vlorë duke e veshur nën teshat e saj. Një vit më vonë, Marigoja ia dhuroi këtë flamur plakut të Vlorës, Ismail Qemalit, për ta ngritur në 28 nëntor, në ballkonin e shtëpisë së Xhemal Beut.
 
Gazeta “Arbëria” që dilte në Gjirokastër, në kohën e saj shkruan se “Flamurin kombëtar që u ngrit për herë të parë në Vlorë nga Ismail Qemali është qëndisur nga Marigo Posio mbi copën e blerë te tregtari Diamant. Qëndisja është bërë sipas modelit të shqipes që kishin vizatuar patriotët don Mark Vasa dhe Petro Fotografi. Këtë e dinin dhe shumë patriotë të tjerë. Me të hollat e saj punoi dhe 500 flamuj për zyrat e ndryshme të shtetit të parë shqiptar”
 
 
Varianti i dytë: Shumë patriotë kanë të njëjtin mendim se flamuri i ngritur në 28 nëntor është pikturuar nga vetë dora e zonjës Marigo, sipas modelit të shqipes së vizatuar nga Dom Mark Vasa. Këtë hipotezë e mbështet edhe zonja që ka punuar pranë Marigosë gjatë të gjithë jetës. Ndërsa, flamuri prej Amerikës që solli Marigoja iu dorëzua Llambi Bimblit, i paprekur kur këta po niseshin për në Korçë dhe ky flamur u ngrit kur Korça deklaroi nga ana e saj pavarësinë. “Flamuri që bëmë ne nuk është krejt i kuq, por në ngjyrën e specit”, kujton ndihmësja e Marigosë.
 
Varianti i tretë: Bejlerët e Vlorës thoshin se këtë flamur ua kishte dhuruar Don Aladro Kastrioti dhe se kishin qenë ata që e dorëzuan më pas tek Ismail Qemali.
 
Varianti i katërt: Revista “Hylli i Dritës” shkruante në vitet pas pavarësisë se Ismail Qemali, duke ardhur nga Vjena, u ndal në Kotor dhe atje ka marrë një flamur diku tek dy metra të gjatë.

Varianti i pestë: Patrioti korçar, Thoma Nasi, në autobiografinë e tij shkruan se në vitin 1911, së bashku me një numër tjetër patriotësh, u kthyen në atdhe me qëllim që të luftonin kundër armikut dhe njëkohësisht sollën edhe flamurin e parë, që u ngrit më pas në datën 28 nëntor 1912 prej Ismail Qemalit.
 
 
Varianti i gjashtë: Spiridon Ilo dhe patriotë të tjerë tregojnë se grupi që u nis nga Rumania për të shpallur pavarësinë kishte marrë me vete edhe atë që do të shndërrohej në flamurin e parë të shtetit të pavarur shqiptar. Kjo dokumentohet me fjalët që Spiridoni i ka thënë djalit të tij: “Flamurin që përgatitëm në Bukuresht, unë e kam mbajtur në gji që nga Bukureshti e deri në Vlorë dhe pastaj, pasi e valëviti Ismail Qemali, unë e valëvita në parmak me sqepar”.
 
Sipas këtij versioni, flamuri që Ismail Qemali ka ngritur në Vlorë dhe që simbolikisht shënon pavarësinë, është po ai që zbukuronte podiumin e hotel “Kontinentalit” në Bukuresht, mbrëmjen e 5 nëntorit 1912. Takimi i Ismail Qemalit me patriotët Shqiptarë të Bukureshtit, u bë vendimtar për shpalljen e pavarësisë, që u bë realitet 23 ditë me vonë në Vlorë.
 
Varianti i shtatë: Spiridoni, me flamurin që kishte me vete, bujti tek shtëpia e Marigo Pozios, meqë ishte kushërira e parë e tij. Marigoja i qëndisi flamurit thekët e verdhë, për ta bërë ashtu siç e tregoi Spiridoni, në kartolinën e vitit 1920.
 
Varianti i tetë: Eqerem bej Vlora, në kujtimet e tij shkruan se ai që u ngrit në datën 28 nëntor 1912 ishte flamuri i shtëpisë së tij, të cilin e ruante në një kornizë, pasi i ishte dhuruar nga Aladro Kastrioti.
 
 
Varianti i nëntë: Nga gazeta “Kolonja”, në vitin 2001 është shkruar: “Asim Dika ishte ai që mori flamurin e qëndisur nga motrat Qirjazi dhe ia çoi Ismail Qemalit në Vlorë”.
 
Varianti i dhjetë: Në librin e tij, “Patriotizma dhe Nacionalizma”, patrioti Kristo Floqi flet për flamurin e ngritur në Vlorë në vitin 1912, duke paraqitur të dhëna të tjera mbi origjinën e flamurit, të dhëna që ai i ka krahasuar edhe me të vëllain e tij, juristin Thanas Floqi.

VERSIONET E FLAMURIT

Fillimisht, forma e shkabës së zezë dykrenëshe mbi fushën e kuqe nuk ka qenë kjo që njohim në ditët e sotme. Ajo nuk ka pasur këtë formë kaq klasike, por ka njohur forma që shumëkush dëshiron t'i përdorë akoma edhe sot e kësaj dite, pra, më natyrale e ndoshta, edhe më të bukura. Shpeshherë ajo është shoqëruar me simbole të tjera, duke filluar që nga përkrenarja e Skënderbeut e deri te yjet me pesë apo me gjashtë cepa. Edhe ngjyra e kuqe, në sfond të flamurit, ka ndryshuar shpesh forcën apo tonin, duke u dukur herë më e zjarrtë e herë më e mbyllur, gati në të murrme.

Flamuri i Princit Wilhelm Wied

Gjatë kësaj kohe disa qeveri e grupime politike kanë dashur ta rishikojnë disa herë formën e simbolit kombëtar si për të treguar se me to fillon ndryshimi. Kështu, për shembull njihen disa versione të ndryshme gjatë kohës së periudhës së viteve të para të pavarësisë e të krijimit të shtetit të ri shqiptar, si: vitet e Këshillit të Regjencës, Republikës Autonome Franceze të Korçës, Republikës Parlamentare në fillim të viteve '20 dhe kohës së Mbretit Zog.

Flamuri i Mbretërisë së Shqipërisë
 
Më pas, ato pasohen me veshjen e shkabës shqiptare me simbolet e kohës së pushtimit fashist të Shqipërisë (sëpatat romake), qeverisë së kohës së pushtimit gjerman (këshilli i regjencës). Kjo periudhë pasohet nga një periudhë shumë e gjatë, ajo e regjimit komunist, e cila njohu vënien e yllit pesëcepësh me nuanca të verdha në krye të shkabës dykrenëshe. Edhe forma e shqiponjës tashmë njohu një ndryshim, megjithëse jo shumë të madh, por që gjithsesi vihet re qartë, pasi u bë më klasike dhe iu largua versionit të mëparshëm që ngjiste më shumë me "shpendin krenar" në origjinalin e tij.

Flamuri i Shqipërisë gjatë okupimit fashist
 
Me rënien e komunizmit, u hoq ylli pesëcepësh dhe për disa kohë pati diskutime për vënien apo rivënien e përkrenares së Skënderbeut mbi shkabën e zezë, e cila pak a shumë, ka mbetur në formë e njëjtë me atë të kohës së monizmit. Në legjislaturat e para të Kuvendit të ri, pas vitit 1990, pati tentativa apo mendime për ta riparë formën e saj e për t'ia përshtatur modeleve të hershme, pra, të mos ishte si një stampë, kaq klasike, por më natyrale e ndoshta të dukeshin edhe forma e pendëve apo luspave në trupin e krahët e saj.
 
Flamuri i Shqipërisë komuniste

Por, flamuri nuk njeh vetëm një version, pasi edhe vetë ato, sipas funksioneve që përdoren, ndryshojnë shpesh edhe formën dhe përmbajtjen. Kështu, p.sh., flota luftarako-detare ka flamurin e saj të dallueshëm qartë nga flamujt e tjerë që përdoren për ceremoni shtetërore, njësitë e tjera ushtarake e pse jo, edhe shoqata e grupime të tjera qeveritare e joqeveritare përgjatë kohërave.


Flamuri me yll të cilin regjimi serb ua imponoi shqiptarëve të Kosovës

Flamuri tashmë ka vetëm elementin e shqiponjës dykrenëshe të zezë në fushën e kuqe. Stema e shtetit ka pamjen e një shqyti të kuq me shqiponjën dykrenëshe të zezë. Më 21 tetor 1998, stemës i shtohet përkrenarja e Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Pamjen përfundimtare të simbolit tonë kombëtar ia dha ligji i miratuar në Kuvendin i Shqipërisë më datë 22 korrik 2002, ku pjesa e caktuar për flamurin përcakton se ai përbëhet prej këtyre elementëve: një fushë e kuqe gjaku me një shqiponjë të zezë dykrenëshe në mes, me krahë të hapur anash. Secili krah i shqiponjës ka 9 pendë e bishti ka gjithsej shtatë. Raporti i dimensioneve të flamurit tashmë është: 1 x 1,4. Sipas ligjit, çdo shtetas shqiptar ka të drejtën e mbajtjes e përdorimit të flamurit kombëtar, ndërsa për institucionet publike është i detyrueshëm në mjediset e jashtme e të brendshme.


Flamuri i Dardanisë apo flamuri që është futur në përdorim nga kryetari i ndjerë i Kosovës, Ibrahim Rugova. Ky ishte propozimi i parë për flamur shtetëror të Kosovës

HISTORIA E HIMNIT TË FLAMURIT DHE TENTIMET PËR TA NDRYSHUAR KËTË “PLAGJIATURË”

Një emigrant shqiptar i Bukureshtit, poet i ri në atë kohë, Aleks Drenova, ka shkruar ca vargje - ose më saktë ka përkthyer e përshtatur një poezi rumune - diku në vitin 1907 ose 1908, atëherë kur Shqipëria ende nuk ekzistonte si shtet. Muzikën e bëri - apo e përshtati - një rumun. Shqiptarët e Bukureshtit arritën ta sillnin himnin, muzikën dhe fjalë bashkën në Shqipëri. Më 28 Nëntor 1912, flamuri dhe himni u bashkuan, më në fund në Vlorë. Në kohën që flamuri i saposhpalosur shpallte lindjen e shtetit të ri, himni i tij u këndua për herë të parë në të njëjtin shesh.

Ky himn, i adaptuar me tekst dhe muzikë, ngjallë shumë reagime ndër shqiptar. Gjatë 100 vjetëve të ekzistencës së shtetit të Shqipërisë, ka pas shumë tentative që të bëhet një himn tjetër, origjinal shqiptar. Por, këto tentime kanë dështuar.

Në lidhje me “Himnin e Flamurit”, Shkrimtari i njohur, Ismail Kadare, megjithatë përmend një aspekt pozitiv.

“Frikën dhe optimizmin e mos shuarjes si komb, populli ynë e ka betonuar edhe te Himni Kombëtar”, ka thënë ai.



Aleks Stavre Drenova - Asdreni: “Autori” i vargjeve të himnit kombëtar shqiptar
 
Studiuesi, kompozitori dhe akademiku Vasil Tole, në një studim rreth himnit kombëtar shkruan: “Problemi i shqyrtimit të historisë së krijimit të himnit tonë kombëtar ‘Rreth flamurit të përbashkuar’ (apo qoftë edhe i bërjes ose jo të një himni tjetër), janë para së gjithash probleme për t’u diskutuar dhe rrahur nga muzikologjia shqiptare. Pohimi i këtij momenti në hyrje të shkrimit tonë ka një rëndësi të veçantë, pasi, siç do të shohim më poshtë, mungesa e analizave, debateve artistike dhe problemore mbi lëndën në fjalë, në më të shumtën e rasteve ka sjellë shtrembërime dhe keqkuptime të pavend lidhur me sa më sipër. Për këtë arsye, por dhe për disa të tjera syresh, jemi përpjekur që nëpërmjet këtij shkrimi integral lidhur me himnin tonë kombëtar ‘Rreth flamurit të përbashkuar’ të shprehim të çka dimë deri më sot rreth njërit prej simboleve tona kombëtare.

Në një vështrim të përgjithshëm, çështja e himneve kombëtare të vendeve të ndryshme është një problem i cili filloi të popullarizohej fillimisht në Angli, diku aty nga mesi i shek. XVIII. Në fakt, himne ka patur edhe përpara kësaj kohe, por rëndësia dhe kuptimi i tyre nuk ka qenë në këtë shkallë kaq të rëndësishme të cilës i referohemi neve sot, pasi askush nuk e mendonte se ky lloj formimi i ri muzikor do të përfaqësonte një nga gjetjet gjeniale të të shprehurit të shpirtit të popujve. Muzikologjia daton si të parin himn atë të Holandës, himn i cili i përket vitit 1572 - ‘Wilhelmus van Nassouwe’. Ndërkohë, himni me fjalët më te vjetra në origjinë i përket himnit japonez, rreth shek. IX, tekst i cili rrjedh kryesisht nga folklori. Po në këtë arsyetim, himni më i gjatë në ekzekutim është ‘Marcha de la Patria’, i Argjentinës kompozuar nga Blas Parera në vitin 1813; ndërkaq himni kombëtar me më shumë vargje është ai i Greqisë etj. Pra siç e shohim, historia e formimit të himneve kombëtare është e ndryshme në vende të ndryshme.

Me sa duket, në përcaktimin ose jo të një krijimi muziko-letrar si himn kombëtar, rol kryesor kanë luajtur edhe kontekste të caktuara, kryesisht historike në historinë e një vendi. Por, ka edhe shembuj të tjerë. Këtu gjej rastin të përmend faktin, se p.sh himni zyrtar i Vatikanit u përcaktua në vitin 1949 me anë të një vendimi zyrtar të Selisë. Në bazë të himnit të Vatikanit qëndron muzika e kompozitorit francez Sharl Guno, i cili e shkroi këtë muzikë në vitin 1846 (vepra quhet ‘Marcia Pontificiale’ dedikuar papa Piut të XI), muzikë e cila gati 100 vjet më vonë u vendos të ishte himn zyrtar i Selisë së Shenjtë. Dhe raste të tilla ka shumë.

Deri më tani, poeti Lasgush Poradeci është ai i cili ka përshkruar dhe botuar i pari historinë e krijimit të himnit tonë. Në punimin ‘Himni kombëtar: Flamurit pranë të bashkuar dhe gjeneza e tij’ L. Poradeci bëhet kështu edhe rrëfyesi kryesor për këtë ngjarje madhore. Në rrëfimin e tij të tërheq vëmendjen një hollësi. Kjo hollësi lidhet me faktin e thjeshtë se askush në ato çaste historike për Shqipërinë, nuk mendonte se ajo këngë e ngritur dhe e kënduar për të parën herë nga kori i kolonisë shqiptare të Bukureshtit, do të ishte himni i ardhshëm. Ja ç’thotë Lasgushi: ‘Me fjalë të tjera, himni nuk u përgatit me qëllimin e posaçëm që të shërbejë si Himn Kombëtar, të përmbushë misionin e shenjtë të këngës simbolike zyrtare të popullit’.

Nga këto radhë, por dhe nga zhvillimi i mëtejmë i historisë së Shqipërisë, vëmë re se në kushtet kur nuk kishte shtet shqiptar ishte jashtë mendjeje, që dikush të mendonte që në fillim të kishim himnin e pastaj të bënim shtetin, si me thënë: ‘Buxhakun para oxhakut’. Shumë vite më vonë, poeti i shquar Migjeni shkroi poezinë me titull ‘Kënga që s’kuptohet’, kushtuar melodisë sonë kombëtare. Në përpjekje për ta zhvendosur titullin e poezisë nga konteksti i saj, do të shohim se ky emërtim qëndron fare mirë për të, nisur jo vetëm nga largësia nga data e krijimit të himnit, por dhe se shkrimet historike për gjenezën e himnit tonë, kanë shërbyer në të njëjtën kohë edhe si kronikë besnike e lindjes së tij, por dhe si alibi.

Gjatë hulumtimeve të materialeve dokumentare rreth lëndës në fjalë, në librin ‘The Guinnes Book of Music’, është shkruar si më poshtë: ‘Himni ‘Rreth flamurit të përbashkuar’ është pranuar si himn kombëtar i Shqipërisë në vitin 1912. Fjalët e himnit janë shkruar nga Asdreni. Muzika e himnit është kompozuar nga Ciprian Porumbesku’.

Duke i shqyrtuar një nga një për sa më sipër, e vërteta do që të theksohet fakti kuptimplotë, se përpara se himni të bëhej himn zyrtar i shtetit të ri shqiptar më 1912, po sipas Lasgushit, ‘kjo ngjau se populli e gjeti të pëlqyer; vetë e dëshiroi ai ashtu, nga gjiri i tij i dha trajtën dhe frymën, vetë e shenjtëroi, duke e dashur me zemër gjer në therori dhe më shumë e përtej vetëtherorisë. Me të luftuan çetat e kryengritjes që ishin nëpër gjithë viset e Atdheut, dhe vdiqën vdekjen e ëmbël dëshmorët e lirisë. Me të u ngrit Flamuri në Vlorë’.

Me pak fjalë, kjo do të thotë që ngritja e flamurit nën tingujt dhe fjalët e ‘Betimit mi flamur’ ishte vetëm një akt formal nga ana e Ismail Qemalit për ta njohur këtë këngë si këngën tonë kombëtare.

Së dyti, lidhur me fjalët e himnit. Në asnjë vend të botës, nuk gjejmë një himn kombëtar i cili t’i kushtohet po një simboli tjetër kombëtar siç është flamuri dhe që të dy së bashku t’i kushtohen atdheut. Ja poezia e plotë e ‘Betimi mi flamur”’ (Hymni patriotik) e shkruar dhe publikuar nga Asdreni në vitin 1908:

Rreth flamurit të përbashkuar
Me një dëshir` e një qëllim,
Të gjith` atij duk` ju betuar
Të lidhim besën për shpëtim.
Prej lufte veç ay largohet
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk frikohet,
Po vdes, po vdes si një dëshmor!
Në dorë armët do t`i mbajmë
Të mprojmë atdhenë më çdo kënt,
Të drejtat tona ne s`i ndajmë;
Këtu armiqtë s`kanë vënt.
Se Zoti vetë e tha me gojë
Që kombe shuhen përmi dhe,
Po Shqipëria do të rrojë;
Për të, për të luftojmë ne!
O flamur, flamur, shenj` e shenjtë,
Te ty betohemi këtu,
Për Shqipërin` atdhen` e shtrenjtë,
Për nder` edhe lavdimn` e tu.
Trim, burrë quhet dhe nderohet
Atdheut kush iu bë theror;
Për jet` ay do të kujtohet
Mi dhet, mi dhe si një shenjtor!


Lidhur me origjinalitetin e poezisë së himnit do të citonim përsëri Lasgushin i cili thotë se ‘titulli ‘Betimi mi flamur’, që i ka vënë himnit Asdreni, është një koncept dhe një akt e fakt etnikërisht shqiptar’. Po të njëjtën gjë në koncept e pohon edhe Migjeni, qysh në vargun e parë të poezisë kushtuar Melodisë kombëtare: ‘U vodh kënga nga zemra e kombit’. Që të gjithë e njohin edhe kontekstin e betimit popullor mbi flamur: ‘Nën hijen e tij qofshim dhe në dorën tonë valoftë’...


Ciprian Porumbescu, autori rumun i muzikës “Pe-al nostru steag e scris Unire”, që është përdorur te Hymni i Flamurit

Na duhet të themi se mbas pëlqimit të përgjithshëm të ‘Rreth flamurit të përbashkuar’ si himn kombëtar (1912), në mënyrë të vazhdueshme janë shkruar këngë apo qoftë edhe vetëm poezi për himn kombëtar. Poezi për himn kombëtar kanë shkruar At Gjergj Fishta më 1913, Ernest Koliqi më 1921 si fitues i vendit të parë në konkursin për himn kombëtar shpallur nga Ministria e Arsimit, Fan S.Noli më 14 nëntor 1926 me titull ‘Hymni i flamurit’, Mihal Grameno me titull ‘Kënga Kombëtare’, Hil Mosi ‘Himn i Bandës së Lirisë’. Himn kemi edhe nga poeti Lasgush Poradeci më 1933, të botuar tek ‘Vallja e yjeve’ etj. E përbashkëta e gjithë këtyre poezive është fakti se që të gjitha pothuajse i referohen përsëri simbolit të flamurit, gjë që është edhe në thelb të poezisë së Asdrenit.

Mbi njatë flamur Perëndia
me dorë t’vet Ai ka shkrue:
Për shqiptarët do t’jet Shqupnia..
At. Gjergj Fishta

O vend e vatër,
O nëne e babë.
Fan Stilian Noli

Një poezi të shkëlqyer përsa i përket referencës sonë lidhur me flamurin kemi edhe nga Zef Serembja:

Flamuri shqiptar
S`i shihet n`horizont i dlirë shkëlqimi
Dhe as nuk i fal ngjyrat për fitore
Më nuk shartohet mbi lavdin njerëzore
Porsi një shenjë drite apo mjerimi.
I grisur ra dhe s`e përfill njeri,
Dhe gjindja e Arbrit, e ndershme e krenare
mori mërgimin dhe as ndalet fare
në një breg mikpritës n`siguri.

N`mëshirë të fatit përherë duke ndeshur
Intruga diplomatësh, n`hidhërim
Ç`do shpresë e ç`do premtim ngadalë i tretet
Dhe koha kalon, rend fluturim.
Nga gjithshka na premtuan asgjë s`mbetet.
Më keq na shkelin se sa truall`n e zhveshur.


Qysh në vitin e parë të vendosjes së mbretërisë nga Ahmet Zogu, Shqipëria u bë edhe me himnin e mbretërisë. Në ndryshim nga himni ‘Betimi mi flamur’, himni i ri mbretërisë i kushtohej tërësisht figurës së mbretit, një traditë e njohur kjo për të gjitha himnet e mbretërive, me muzikë të Thoma Nasit dhe me fjalë të Kristo Floqit. Një tjetër përpjekje për himn mbretëror kemi edhe nga Loni Logori, i cili nuk arriti të njihej si i tillë. Një variant i himnit të mbretërisë është interpretuar dhe regjistruar në disqe nga sazet e Selim dhe Hafize Leskovikut në vitet ’20.

Në vitin 1922, Këshilli i Ministrave shpall konkursin për bërjen e ‘Himnit zyrtar kombëtar’. Për shpalljen e konkursit dhe kriteret e tij caktohet Ministria e Arsimit ku ndër të tjera u përcaktua edhe masa e shpërblimit prej 1000 franga ari për vjershëtarin e himnit dhe 3000 franga ari për kompozitorin e tij. Më tej, në vitin 1937, në përvjetorin e 25 pavarësisë, u organizua një konkurs, me qëllim bërjen e një himni tjetër kombëtar. Sipas arsyetimeve të Komisionit të ngritur për kremtimet e 25 vjetorit të vetëqeverimit, ‘… hymni i sotëm i flamurit kombëtar asht fjalë për fjalë përkëthimi i një marshi rumun dhe gjithashtu melodija e tij asht nji kopjim i plotë i muzikës rumune”’.

Duke e konsideruar ekzistencën e këtij himni ‘… si një cen për ndërgjegjen kombëtare dhe për sedrën t`onë atdhetare”, komisioni i përbërë nga Parashqevi Kyrias, Mati Logoreci, Kol Rodhe, Telki Selenica, Sotir Papakristo, Karl Gurakuqi, Zoi Xoxa, Lasgush Poradeci, Qemal Butka dhe Odhise Paskali në mbledhjen e datës 05. 03. 1937 vendosën hartimin e një himni tjetër me frymë thjesht shqiptare. Ky komision ngriti edhe një komision-juri, e cila do të vendoste për caktimin e krijimit artistik i cili do të ishte himni i ri kombëtar. Komisioni përbëhej nga At Gjergj Fishta, Mid`hat Frashëri dhe Konstantin Cipo. Për hir të së vërtetës, Mid`hat Frashëri bën dorëheqjen nga kjo Juri-  dorëheqje e bërë e ditur publikisht me letrën e tij të dt.26. 07. 1937 drejtuar Komisionit qendror të kremtimeve të vetëqeverimit. Nga 76 krijime, juria e përbërë nga At Gjergj Fishta dhe Kostaq Cipo shpallën fitues himnin e krijuar nga Beqir Çela, i cili mbante pseudonimin ‘Osoja i Ri’.

O Flamur, yll i lirisë,
Valëvit me plot shkëlqim;
E prej qiellit t`Shqipërisë
Të dëgjohet në amëshim


Fakt është se ky konkurs për poezinë e himnit nuk u pasua edhe nga një tjetër konkurs i cili do t`i kushtohej muzikës së tij. Për këtë arsye, duke mbetur vetëm një tekst, kjo poezi nuk pati popullaritet dhe si e tillë u fshi nga qarkullimi, megjithëse pjesëmarrësit dhe krijimet e këtij konkursi u botuan në shtypin e kohës. Për variacion të temës së njohur të flamurit, edhe konkursi në fjalë u quajt ‘Tekstet për konkursin e Hymnit të Flamurit’. Më pas kemi edhe një konkurs për melodinë e himnit kombëtar. Në konkurs u shpall fitues një kompozitor italian mjaft i njohur, por edhe për këtë nuk pati një vendim zyrtar të mëtëjshëm për ta zyrtarizuar si himnin tonë kombëtar.

Krijime artistike mbi këtë temë, të konsideruara në vetvete të pavarura (por me titullin ‘Hymni Mbretnor’), kemi të realizuar me vargje të Loni Logorecit... Ky variant është botuar edhe me nota dhe hapet me strofën:

Ardhi koha e bekuar
Për Shqipëri të lëftojmë
Mbretin tonë ta nderojmë
Dhe të vdesim të gëzuar


Në kopertinë të këtij botimi krahas titullit ‘Hymni Mbretnor’, gjejmë edhe foton e tenorit të shquar arbëresh Giuseppe Mauro dhe shënimin ‘...kënduar prej të dëgjuarit tenorit shqipëtar Zotit Giuseppe Mauro’.

Në këtë kohë, një përpjekje tjetër për të ndryshuar himnin ekzistues të flamurit u bë edhe nga ana e kompozitorit Thoma Nasi dhe poetit Kristo Floqi. Në ndryshim nga sa më sipër, këta dy autorë e ruajtën të paprekur linjën melodike të ‘Himnit të Flamurit’, por synuan ndryshimin e vargjeve të tij. Me këtë rast, kompozitori Thoma Nasi realizoi të parin klavir të himnit tonë kombëtar së bashku me harmonizimin përkatës

Pas pushtimit , në vitet 1942-43, në malet e Shqipërisë partizania Dhora Leka krijoi himnin e ushtrisë çlirimtare, himn i cili njihet edhe sot zyrtarisht si himni i ushtrisë sonë, kjo krahas shumë himneve të brigadave partizane apo formacioneve të tjera luftarake etj.

Pas çlirimit të vendit më 29 Nëntor 1944, rreth fundit të vitit 1945 dhe fillimit të vitit 1946, u organizua konkursi i parë shtetëror për himn kombëtar. Krahas shumë krijimeve të paraqitura, si krijimi më i mirë u shpall ‘Himni i Shqipërisë së re’, me poezi të Skënder Luarasit dhe muzikë të Kristo Konos, rezultat që u bë i ditur me shpalljen e Shqipërisë republikë më 11 Janar 1946.

Koha tregoi se edhe ky krijim artistik nuk u ligjërua që të zëvendësonte himnin ekzistues për arsye nga më të ndryshmet, megjithëse ‘Himni i Shqipërisë së re’ (në ndonjë rast edhe me fjalë të tjera), pati interpretime të ndryshme, kryesisht nga kori i ushtrisë. Pas kësaj, përpjekjen tjetër serioze për të shkruar një himn, e kemi në fillim të viteve ’70. Nga Këshilli i ministrave të asaj kohe, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës si dhe Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, u shpall një konkurs për ‘Himnin e Republikës’. Në këtë konkurs morën pjesë ajka e krijuesve tanë, ndër ta Çesk Zadeja, Ismail Kadare, Tish Daija, Fatos Arapi, Nikolla Zoraqi, Xhevahir Spahiu, Pjetër Gaci, Feim Ibrahimi, Tasim Hoshafi etj. Sipas ish sekretar të lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve, studiueses dhe kritikes së muzikës, Hamide Stringa, konkursi pati një organizim shumë serioz - si nga ana e krijuesve ashtu edhe nga organizatorët. Më kujtohet se kemi bërë shumë takime për të parë materialet dhe për t’i seleksionuar. Pas seleksionimit u arrit në dy variante. Në himnin e krijuar nga Çesk Zadeja dhe në atë të Nikolla Zoraqit me poezi të Fatos Arapit të titulluar ‘E lirë u ngrit toka jonë’. Pati mendime që të njihej si himn edhe kënga e Pjetër Gacit: ‘Për ty atdhe’.

Historia e himneve vazhdon edhe më tej, por gjithsesi pa sjellë ndonjë rezultat i cili të ndikonte në ndryshimin e himnit tonë kombëtar. Në të gjithë këtë histori të himneve të tjera, ajo çka duhet thënë është e lidhur me faktin se asnjë vendim nga cilido forum artistik apo shtetëror, nuk ka ndikuar në zëvendësimin apo ndryshimin e himnit ekzistues të flamurit, për arsyen e thjeshtë, se himni është ngulitur thellë me rëndësinë, peshën dhe domethënien e tij në memorien kolektive të shqiptarëve.

Ndoshta gjithë çka thamë më sipër mund të jenë një argument i mjaftë për të kuptuar, se pse kanë ‘dështuar’ përpjekjet për të ribërë në himn të ri të Shqipërisë. Kjo nuk do të thotë se s’do të ketë përpjekje të tjera, por mendoj se mbrapa tyre, edhe sikur himni ‘Rreth flamurit të përbashkuar’, të mos njihet më si himn zyrtar, shqiptarët kudo që të jenë do të vazhdojnë përsëri të këndojnë thjesht këngën ‘Rreth flamurit të përbashkuar’.

Së fundi, ajo që duhet ritheksuar është fakti se ndryshe dhe si në asnjë himn tjetër të botës, himni ynë ekzistues është një me flamurin tonë kombëtar. Ky binom shprehet që në titullin e poezisë së himnit ‘Betimi mi flamur’, që siç e përsëritëm është një akt e fakt etnikërisht shqiptar. Nisur nga ky vështrim, himni është edhe kënga e flamurit dhe njëkohësisht edhe kënga jonë zyrtare. Për veçoritë e popullit tonë, popull i ndarë... faktor i bashkimit kombëtar, faktor i ‘prishjes’ së kufijve artificialë, faktor i unifikimit etj. ka qenë edhe flamuri dhe himni ynë i njëjtë. Për sa më sipër, e udhës do të ishte që të presim kohë më të qeta, kohë gjakftohta të cilat do të na ndihmojnë që të rishikojmë të gjithë së bashku, me qetësinë dhe maturinë e duhur gjërat të cilat mund të ishin bërë ndryshe, ku një ndër gjërat mbase do të ishte edhe himni.

Deri atëherë, himni i vërtetë i shqiptarëve apo ‘Avazi ynë kombëtar’, siç shprehet Konica, do të jetë ai që do të njihet, do të këndohet dhe do të respektohet nga të gjithë shqiptarët, ashtu siç është shkruar në nenin 14, pika 4 të Kushtetutës: Himni Kombëtar është ‘Rreth flamurit të përbashkuar’”.

Partiturat e Hymnit të Flamurit
 
Ndërkaq, studiuesi Ramadan Sokoli, rreth gjenezës së "Himnit të Flamurit" shkruan: “Dihet se ‘Himnin e Flamurit’ e ka kompozuar Ciprion Porumbesku (1853 - 1883) nga Moldavia, në gjysmën e dytë të shekullit XIX, kur po studionte në konservatorin e Vjenës. Atje, në kryeqytetin e ish-perandorisë austro-hungareze u këndua nga një grup koral i studentëve të shoqatës Rumani June (Rumani e Re) Himni ‘Pe-al nestin steag’, himn që ushtroi një ndikim të madh gjatë përpjekjeve të popullit rumun për pavarësi dhe që më vonë u bë himn kombëtar i tyre (Pas çlirimit, rumunët e zëvendësuan me një himn të ri).

Po të kërkojmë burimin e motivit të këtij himni, mund të gjendet shumë më larg. Siç do të shihet më poshtë, motivi i këtij himni i ka prindërit ndër disa balada kalorsiake të hershme, ndër disa këngë të punës, si dhe ndër disa këngë patriotike të traditës gjermane. Gjendet gjithashtu në disa këngë punëtorësh të traditës çekosllavakë. Dëshmitë më të hershme për këtë motiv janë hasur në traditat gjermane. Së pari, në një baladë epike të shekullit XVI me titull ‘Es spielt ein Ritter und einer Magd’.

Të njëjtin fillim anakruzik me shkapërcim në kuarte, të njëjtin arpezh tonesh në kuintakordin e tonikës që vjen si një këngë apo si himn, motiv të cilin në këto përmasa mund ta gjejmë në vepra madhore sinfonike. Rëndom një motiv i huaj mund të shfrytëzohet me dashje, por si citat, anasjelltas rastis rëndom që një autor pa dashje, e si të thuash pa vetëdije, përsërit diçka të krijuar nga tjetërkush. Ndërkohë, për shkak të lajthitjeve të kujtesës pandeh se ka krijuar diçka të re.

Ka edhe raste ku nuk çalon kujtesa, por ndërgjegjja e vetë autorit që ngatërron me dashje krijimtarinë e mirëfilltë me punën e kopsistit (fjala krijimtari këtu nuk ka ndonjë vështrim metafizik të shpikjes nga hiçi). Askush nuk lind i ditur, por mëson diku në ndonjë shkollë ose nga ndonjë mjeshtër, duke përfituar nga përvoja si dhe duke pësuar pak a shumë ndikimin e tyre. Elementët e ndikimit të shkollës ose të mjedisit të huaj përligjen deri diku në punimet e autorëve të rinj, por ndërmjet imitimit dhe krijimtarisë së mirëfilltë ka një shkallëzim të gjerë që shkon nga stili origjinal deri tek ajo dobësi që quhet "plagjiaturë". Sesi duhet kundruar rasti në fjalët ndikim i mjedisit të studimeve apo përvetësim i pjesshëm, imitim i vetëdijshëm, reminishencë e rëndomtë, apo diçka tjetër, sikush le ta gjykojë ashtu si t'i duket më e arsyeshme. Gjithsesi Himni i Flamurit kompozuar nga Ciprian Porumbesku qëndron si kompozim, pavarësisht se ndërtimi i gjymtyrës kryesore që përbën gjysmën e temës së parë, është pothuajse i njëjtë me motivin steriotip të atyre këngëve të hershme gjermane që u cekën më lart, dhe se pikërisht nga kjo temë e huazuar zë fill shtjellimi i këtij himni.

Përpjekje për të shkruar një himn shqiptar ka patur edhe nga poetë dhe muzikantë patriotë, që gjatë Rilindjes Kombëtare iu digjej zemra dhe shpirti që kombi ynë i stërlashtë të kishte shtetin e vet dhe gjithçka që rrjedh prej tij, si flamurin, himnin kombëtar. Pra, simbolet e një shteti.

Nga këto vjersha, me patos po citojmë njërën prej tyre që është:

O flamur i Shqipërisë,
Ti je ndera e gjaku i jonë
Sot u ngrite në Vlorë
Udhërëfyes i trimërisë
Mbi ty Shqipja hapi fletët
U bashkua me ty Shqipëria
Qoft'e lirë si ti përjetë
E madhnoftë Perëndia
Sytë si dielli të lëshojnë rreze
Shqipninë anembanë shiqoje
Prej Tivari e te Preveza
Shpejt hap krahët e mbroji
Shqipe ngreje djelmëninë
T'ipet zani e kushtrimi
Se anmiqtë e Shqipërisë
E shkelnë, burra ku ini!
Merr Flamurin ndër thonj shqipe
Gjithë trimije të vrullojë
Përmbi male, brigje hype
Kufinit jashtë armiqtë dëbo!


Këtë vjershë e muzikoi Thanas Floqi, i cili në jetëshkrimin e tij ka shënuar se asokohe e këndonin përditë në Vlorë dhe më poshtë ka shprehur keqardhjen që ‘s'e përdorëm për himnin e flamurit tonë’. Shtojmë se ndërkohë për këtë flamur janë përshtatur e janë përhapur edhe këngë të tjera, por asnjëra syresh nuk arriti të zgjidhej si himn kombëtar i miratuar me dekret shtetëror...

Poeti Lasgush Poradeci, në artikujt e tij, ballafaqoi poezinë e Bersanit (të përkthyer nga vetë ai në gjuhën shqipe), me përshtatjen e Asdrenit.

Mbi flamurin tonë
(Zaharia Borsan)

Mbi flamurin tonë është shkruar bashkim
Bashkim në vetëdije dhe në ndjenja,
Dhe nënë hijen e tij të madhërishme
Do përballim çdo goditje.
Në luftën e rëndë trembet ai
Që vetë është i arratisur
Po ne të bashkuar në çdo kohë
Do jemi, do jemi mundës.
E armatosën dorën tonë
Që të mbrojmë një vend të shtrenjtë
E drejta jonë është zotëronjëse
Dhe qëllimi jonë i shenjtë.
Dhe në librin e përjetësisë shkruan
Se shumë kombe do humbasin
Po Rumania jonë e shtrenjtë
Përjetë, përjetë do lulëzojë


...Gjatë historisë së himnit tonë, ka patur vazhdimisht ide dhe mendime të intelektualëve, që për hir të krenarisë kombëtare, kanë shfaqur vazhdimisht ide për ta patur himnin tonë origjinal, me ngjyra kombëtare dhe të mbështetur në motivet e traditës sonë kombëtare me tekst dhe muzikë. Kjo kërkesë e natyrshme, por dhe e domosdoshme u bë objekt diskutimesh në kuadër të 25-vjetorit të pavarësisë, në vitin 1937. Për këtë arsye, u ngrit një juri, e cila, pasi shqyrtoi vjershat e 76 pjesëmarrësve, zgjodhi vetëm dy syresh, të cilat ia paraqiti Komisionit Qendror. Anëtarët e këtij komisioni u zunë ngushtë, sepse nuk po dinin për cilën nga ato dy poezi të vendosnin. Siç shkruante me këtë rast gazeta e Korçës (12 gusht 1937) për njërën syresh u shprehën se ishte ‘një chef d'oeuvre sublime, majestouz’, kurse tjetra ishte popullore...

Rreth flamurit të përbashkuar...

Nuk po zgjatemi me prapaskenat dhe me dallaveret e këtij konkursi, për të cilat nuk heshti as shtypi i asokohshëm (shih Gazeta e Korçës, datë 1 shtator 1937), por po kufizohemi të vëmë në dukje, se pasi u zgjodh, më në fund vjersha e nënshkruar me pseudonimin ‘Osua i ri’ (Beqir Çela), mbetej për të menduar për muzikën e saj. Për këtë qëllim pritej që të vinte një kompozitor i ftuar enkas nga Italia. Me të drejtë redaksitë e disa revistave të lënduara në sedrën kombëtare, u acaruan dhe shpërthyen me një sërë artikujsh interesantë nga kjo pikëpamje. Ja për shembull, se çka shkruante ‘Gazeta e Korçës’ më datën 19 gusht të vitit 1937: ‘Komisioni për kremtimin e 28 Nëntorit po bën një padrejtësi të madhe ndaj kompozitorëve tanë. Marrim vesh me hidhërim se melodia, muzika, do t'i besohet një të huaji. A nuk është turp që iu japim një shuplakë kaq të fortë kompozitorëve tanë? Dhe ata të gjorët se meritojnë, se megjithë shpërfilljet dhe dekurajimet prapëseprapë janë munduar të përhapin muzikën ndër ne, t'i japin vendit tonë një faktor qytetërimi. Të paktën, më thosh një mik, të bëjmë një konkurs internacional dhe të pranojmë dhe kompozitorët tanë në atë konkurs, për një këngë apo një himn, por edhe një vepër madhore me përmasa sinfonike. Këto krijime u ekzekutuan gjatë një mbrëmjeje nga orkestra frymore e kryeqytetit’.

Pra, ndryshe nga sa thuhet në një enciklopedi të huaj, u ekzekutuan nga një kor vashash shqiptare në prani të vetë autorit (shih Enciklopedia della Musica-Rizzilo Ricordi Milano 1972 vëll. IV. Fq. 130.) Ekzekutimi u bë në sallën e Bashkisë në prani të komisionit të katër himneve të kompozuara nga konkurrentët Luigj Filaj (1898-1978), Kristo Kono (1907-1991) Pjetër Dungu (1907-1989) dhe E. A. Mario (pseudonimi i poetit dhe kompozitorit italian Xhovani Gaeto 1884-1961, autor këngësh shumë të përhapura asokohe nëpër Itali, ndër të cilat spikat veçanërisht ‘Legjenda del Pive’ kompozuar më 1918) i ardhur enkas nga Italia. Siç parashikohej konkursin e fitoi ky i fundit. Një faksimile e himnit të zgjedhur u botua asokohe në gazetën ‘Drita’ dhe në revistën ‘Java’ nr.28 të vitit 1937, ku pranë firmës së kompozitorit si për ironi është shënuar qartë edhe data e vitit fashist (E. A. Mario, Tirana 11-octobre, 1937. XV). As me këtë rast nuk heshti Gazeta e Korçës, e cila shkruante: ‘Siç duket Himni i Flamurit u pranua nga qeveria dhe pritet të dalë urdhëri përkatës për t'i detyruar shqiptarët ta pranojnë himnin kombëtar. Himni i vjetër që simbolizonte vetëamëshimin për lirinë e atdheut quhet i papërshtatshëm! U bë mirë ose jo, do të gjykojë historia. Neve sot nga shtyllat e kësaj gazete urojmë që shembulli i ndërrimit të himnit kombëtar të mos përsëritet dendur’…

Polemikat për himnin e flamurit në shtypin e kohës vazhduan. Sidomos në numrat e gazetës ‘Java’, e cila në numrin 21 (gusht 1937) shkruante për këtë çështje: ‘Një herë bëhet himni. Prandaj ne jemi të mendimit të mos e ndryshojmë se historia nuk ndryshohet’… Dhe në numrin 23 të po atij viti nën titullin: ‘A duhet ndryshuar Himni i Flamurit’ shtonte: ‘Është e vërtetë se himni i sotshëm i flamurit tonë është një kopjim i një himni të huaj. Por, a thua se kjo formon një arsye të fortë për zëvendësimin e tij’? Pra, edhe redaksia e kësaj reviste e shihte si të panevojshëm zëvendësimin e Himnit të Flamurit, sepse ‘ky himn ka udhëhequr sa e sa ëndrra dhe entuziazmuar shpirtëra, sepse ka ringjallë kujtime përpjekjesh që përbëjnë një burim për atdhedashurinë, sepse ka rrënjë të thellë në zemrat shqiptare dhe këto zemra do të ndjejnë dhimbjen më të madhe kur të lëndohen e të shkulen ato rrënjë’.

Gjithashtu e një mendjeje me redaksinë e revistës së lartpërmendur ishte edhe Gazeta "Korça", e cila në numrin e 12 gushtit të vitit 1937 shkruante se ‘është gabim ndërrimi i Himnit të Flamurit me tjetër të ri, i cili disi i mirë qoftë kurrë nuk mund të ngjallë atë entuziazëm të flaktë patriotik të të parit’. Po kjo gazetë, në numrin e 23 gushtit të atij viti shkruante: ‘Himni ynë i vjetër i flamurit duhet të mbetet si kujtim historik dhe si simbol i luftërave për liri. Asnjë himn tjetër nuk mund ta zërë vendin e tij, duke hyrë në shpirtin e popullit, si ka hyrë marshi ‘Rreth flamurit’… Dhe, do të jetë gabim i madh që kjo këngë e bukur patriotike, e cila që prej 30 vjetësh po entuziazmon zemrat e shqiptarëve të zëvendësohet zyrtarisht me një himn të ri...

Për më tepër Gazeta e "Korçës", në numrin e 1 shtatorit të atij viti botoi një artikull të gjatë prej pesë shtyllash nën titullin: ‘Si varroset një himn që këndohej me një burrëri në kohërat e robërisë dhe të gjakut e vendin e tij e zë një tjetër i thurrur në kohë paqeje’. Ndër shtyllat e kësaj gazete u botuan edhe këto fjalë të një veterani. ‘Himni i Flamurit të mos ndërrohet pse ai u thurr në kohën e robërisë kur gjaku shqiptar vlonte për liri, kur populli shqiptar zuri të ndjejë kombësi, njëjësi e vëllazërim’...

Dihet se himnet kombëtare janë si të thuash përfaqësimi poetiko-muzikor i popujve përkatës, ashtu siç janë stemat dhe flamujt përfaqësimi i tyre figurativ. Në përgjithësi, gjeneza dhe përhapja e tyre lidhet me ndonjë ngjarje historike të shënuar për jetën e kombit, por ndonëse disa syresh kanë lindur në rrethana lëvizjesh politiko-shoqërore të rëndësishëm, krahas himneve origjinale të kompozuara qëllimisht në rrethana të përcaktuara nuk mungojnë himnet e përqafuar më vonë të huazuar nga vende të ndryshme...

Ekipi i alpinistëve që vuri flamurin shqiptar në Everest

Ka patur edhe raste përshtatjesh të tilla si himni i Rusisë cariste kompozuar mbi fjalët e dy strofave të shkruara nga autorë të ndryshëm. Konkretisht më parë u shkrua strofa e dytë nga P. Cajkovski më 1814 dhe pastaj 20 vjet më vonë u shkrua strofa e parë nga Aleks Lëoft (1799-1870) me urdhrin e Car Nikollës së parë. Këtë himn e nxori jashtë përdorimit Revolucioni i Tetorit më 1917. Vjersha e himnit grek ka qenë shkruar më 1823, ndërsa muzika e tij u kompozua pas afro 20 vjetësh nga Nikolaes Manxaras. Mund të përmendim shumë himne kombëtare të kompozuar nga autorë të huaj, për shembull himni zyrtar i Spanjës, i cili u zëvendësua pas vitit 1931, ka qenë kompozuar nga një autor anonim gjerman, ndërsa himnin e SHBA e ka kompozuar një autor anglez. Përveç këtyre mund të përmendim himnin e Bolivisë, kompozuar më 1845 nga italiani Bente Vincenti. Dikur Egjipti pat përshtatur si himn një marsh instrumental të kompozuar më 1871.

Ndër shembuj të njohur mund të përmendin rastin e himnit kombëtar hungarez, i cili dikur zëvendësoi marshin e Rakocit, pas një konkursi të shpallur më 1842 e të fituar nga kompozimi i Franc Erkilit (1810-1893).

Theksojmë se edhe ky kompozim ka qenë zëvendësuar fill pas dy vjetësh nga një tjetër himn i zgjedhur nëpërmjet një konkursi zyrtar. Disa himne kundruar nga pikëpamja e hijeshisë së tyre nuk paraqesin vlera të mëdha artistike, madje mund të mos kenë shumë vlera as si krijimtari origjinale. I tillë është rasti i himnit polak kompozuar nga Kuprinski, duke shkëmbyer një nga ariet e operas frenge ‘Le secret’ të Y.P.Solie (1796). I tillë është gjithashtu rasti i himnit kombëtar portugez kompozuar më 1822 nga Don Pedro I. Theksojmë se ngrehina e këtij himni shtjellohet porsi ariet e vjetra italiane ku për më tepër dallohet një frazë e tërë (Viva, viva, viva e Rey) krejt e njëjtë me atë të himnit kombëtar grek.

Në miratimin dhe në vlerësimin e disa himneve, kanë ndërhyrë edhe faktorë subjektivë, madje nganjëherë në mënyrë vendimtare. Rëndom vetë efekti i tyre emocionues kushtëzohet më fort nga rrethanat se sa nga cilësitë përkatëse. Sidoqoftë dihet se shumë himne kombëtare kanë ushtruar ndikime të rëndësishme si në kohë paqeje ashtu edhe në kohë lufte. Bukur e pat thënë Viktor Hygo se, ‘gjysma e fitoreve franceze i detyrohet Marsejezës’. Me të drejtë mallëngjehen veteranët, luftëtarët e një ideali kur dëgjojnë këngët që dikur këndoheshin në rrethana përpjekjesh historike, sepse ato këngë u kujtojnë ditët e betejave e të flijimeve për liri, u kujtojnë çastet e gëzueshme të fitoreve, sepse në ato këngë gjejnë vetveten dhe shokët e luftës.

Edhe tek ne, është e kuptueshme lidhja e disa veteranëve me Himin e Flamurit që i bashkonte ‘me një dëshirë, me një qëllim’. Ky himn që lidhet me rrethana historike aq të rëndësishme për vendin tonë, ashtu si sa e sa këngë patriotike të huazuara pa qenë si një armë e fortë politike...
Prej vitit 1956 e këtej, tri herë është shpallur konkurs për një himn të ri, meqë vetë sedra kombëtare kërkon që mos të përfaqësohemi me një krijim të huazuar. Mjerisht nuk u zgjodh asnjëri nga konkurruesit e shumtë, sepse kërkohej e pritej diçka më e goditur. Në këtë dështim ndikuan padyshim edhe ngatërresat e prapaskenat partiake të zgjedhës komuniste. Sidoqoftë, nëse ndërkohë shpata e Liktorit dhe ylli pesëcepësh u hoqën nga flamuri ynë si simbole të huazuara, vallë a duhet të pranojmë një himn kombëtar tërësisht të huazuar?

Urojmë që botimi i këtij shkrimi të shërbejë si nxitje për një himn të ri të kalitur në kullën e zjarrit të përvojës sonë. Që të jetë zëri kushtrimor i zemrës së popullit tonë e që të përshkohet nga afshi i kësaj zemre të madhe. Shkurt, të jetë i gatuar me intonacione kombëtare që të prekë ndjenjat e dëgjuesve shqiptarë”.

CILAT JANË MARIGONAT E KOSOVËS?

Flamurin e parë në Kosovë, përkatësisht në Prishtinë, e ka qëndisur Nixhari Batalli, më 1941. Nixhari ka vdekur, por as flamuri nuk është më. Flamurin e dytë e ka qëndisur Remzije Spahiu - Alibegu, po këtë vit. Flamuri i saj ruhet ende. Flamurin e tretë e ka qëndisur Emine Krasniqi, më 1949. Flamurin e saj e ka konfiskuar dhe djegur policia serbe.

Rashid Krasniqi është veprimtar i njohur i grupit “Shpresa”, që vepronte në kuadër të NDSH-së (Nacional Demokratikja Shqiptare) në Prishtinë, gjatë viteve 1949-1956. Këtij atdhetari i ishte dhënë për detyrë nga grupi i tij ilegal të vizatonte një flamur kombëtar, në kohën famëkeqe të Rankoviqit.


Marigo Posio, atdhetarja që ndrit në palët e Flamurit të Pavarësisë

Por, para se të vizatohej flamuri nga Rashidi dhe të qëndisej nga Eminja, në Prishtinë, ishin vizatuar dhe qëndisur më parë dy flamuj të tjerë (për këta dy flamuj ka të dhëna, mund të ketë dhe të tjerë për të cilët nuk dihet), për të cilët Rashidi ka mbledhur informata, thuhet në një artikull të botuar para ca vitesh në Javoren Politike Shqiptare “Zëri”.

Në Prishtinë, gjatë okupimit të Serbisë së parë, siç njihet në popull, vepronte grupi i patriotëve shqiptarë, të cilët mblidheshin në kafenenë “Siçani”, të Salih Valës, i cili ishte njëri nga këta patriotë. Në këtë kafene, e cila ndodhej përballë Teatrit të sotëm Kombëtar, ky grup vendosi ta ngrisë flamurin. Por, e keqja ishte se ky flamur nuk ishte asgjëkundi. Veprimtari Jakup Batalli, bashkë me dhëndrin e tij, Salihun, kishin vizatuar një shqiponjë dykrenëshe, të cilën e kishte qepur në flamur Nixhari Batalli, një kushërirë e Jakupit, me ndihmën edhe të Alije dhe Magbule Batallit.


Emine Krasniqi 

Këtë flamur këta veprimtarë e kërkojnë të kryer brenda 24 orësh. Sipas informatave që ka mbledhur Rashidi, patriotët dëshironin që ardhja e gjermanëve nga Podujeva ta gjente të ngritur flamurin në Prishtinë dhe t’u tregohej gjermanëve se aty ishte tokë shqiptare.

Më 9 prill 1941, natën, ngrihet ky flamur në kafenenë e Salih Valës, për të valuar katër vjet rresht.

Nixhari ka vdekur pa u martuar, ndërsa Magbulja u shpërngul në Stamboll.

Në fund të prillit 1941 valoi edhe një flamur tjetër në Prishtinë (gjithnjë sipas të dhënave të mbledhura nga Rashidi), në dyqanin e Abdullah Spahiut. Ky flamur ishte qepur nga motra e Abdullahut, Remzije Spahiu-Alibegu, atëkohë 16-vjeçare. Ndërsa, shqiponjën për këtë flamur e kishte vizatuar vëllai tjetër i Remzijes, Mustafa, bashkëveprues i Gjon Serreçit.

Ky flamur ishte vendosur edhe në gjimnaz, ndërsa e kanë përdorur gjatë vizitave të patriotëve nga Shqipëria në Kosovë…

Për Remzijen, siç ka deklaruar për “Zëri”, nuk ka rëndësi nëse do të quhet Marigona e Kosovës. Asaj i mjafton që e ka ruajtur gjatë kohëve të vështira këtë flamur, i cili është kujtim i çmuar nga vëllezërit…


Emblema e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me shqiponjën dykrenëshe 

Më 1949, Nysret Novakazi, kryetar i grupit “Shpresa” të NDSH-së, i jep për detyrë Rashid Krasniqit të bëjë një flamur.

“Nga një faculetë e kohës së Shqipnisë, e cila kishte një shqiponjë të vogël, vizatova shqiponjën e madhe. Pas dy javë pune të fshehtë, sipër saj shkrova fjalët ‘Shqipnija e shqiptarëve’, përfundi shqiponjës ‘Vdekje tradhtarëve’. Fjalët i konstruktova në formë eliptike dhe i vizatova pastaj në pëlhurë, e cila kishte një madhësi mesatare”, tregon sot Rashidi.

Qëndisjen e këtij flamuri e kishte bërë gruaja e Osman Krasniqit, i cili ishte i vetmi i martuar asokohe.

”Ishte koha e Rankoviqit, kohë e vështirë për gjithë shqiptarët. Më kujtohet si sot kur erdhi Nysret Novakazi, bashkë me burrin tim te na. Isha 21 vjeçe. Ata kishin ardhur që para se të filloj qëndisjen e flamurit, të betohem se këtë punë do ta kryej në fshehtësi dhe pa i treguar askujt. Flamur nuk kishte që të betohemi, por ishte një copë e zezë dhe një e kuqe, që simbolizonin flamurin dhe Kur’ani, para të cilave unë thashë: ‘Shpirtin e jap, nuk tradhtoj’”, ka thënë Eminja për “Zëri”.
 
E vendosur që punën ta kryejë pa e kuptuar askush, ajo kishte punuar tërë natën, duke bërë vetëm dy orë gjumë në mëngjes.


Flamuri shqiptar në Kosovë
 
“Kemi qenë familje e madhe, i kisha gjashtë kunetër; motrën e kam pasur të martuar për kunat, por as asaj nuk i kam treguar. E kam pasur një arkë, në të cilën e fsheha flamurin e qëndisur, i cili shpresonim se do të valonte. Një ditë, kur shkova me motrën që e kisha edhe kunatë, te një motër tjetër, duke u kthyer, e vërejtëm se policia kishte ardhur në shtëpi. Burrin ma kishin burgosur, ndërsa kishin ardhur të kërkonin armë, plisa me flamur dhe gjëra tjera. Pasi e bastisën dhe e demoluan shtëpinë, e hapën arkën, në të cilën ndodhej edhe flamuri i qëndisur, i vendosur në një kuti. Më pyetën se çfarë ka aty, por unë u thashë se nuk di: ‘Burri ma ka dhënë këtë kuti dhe më ka thënë ta lë në arkë!’ Kur e hapën kutinë dhe e nxorën flamurin prej aty, mbetën pa mend. Të habitur mbetën edhe vjehrra e motra ime dhe gjithë të tjerët. Ndërsa njëri nga policët tha:  ‘E, tash, nuk na duhen as pushkët, as automatët, gjetëm çfarë deshëm’. Prej asaj dite, tre muaj rresht më kanë thirr në hetuesi. Duke më rrahur e sharë janë përpjekur që të pranoj se isha unë ajo që kam qëndisur flamurin”.

Por, Eminja e kishte mohuar gjithnjë një fakt të tillë, derisa një ditë, “nga burgu në hetuesi e sollën Osmanin, i cili më tha: ‘Emine, pranoje se e ke qëndisur ti flamurin!’. Atëherë u kam thënë: ‘Po, unë e kam qëndisur!’ Por, për të mos më dënuar, gënjeva se nuk e kam ditur se është flamur, por vetëm kam zbatuar një urdhër të burrit. Edhe në gjykim, kur dolëm unë dhe Osmani, ai më mbrojti duke thënë se ai më ka obliguar ta qepi flamurin, pa e ditur unë se çfarë ishte. Kështu që mua më liruan, ndërsa Osmanin e dënuan”.

PAMJE TË FLAMUJVE GJATË SHEKULLI XX

Sipas Ligjit të Kuvendit të Shqipërisë, Nr.8926, të datës 22 korrik 2002, “Flamuri kombëtar dhe himni kombëtar janë simbole kombëtare” (Neni 2, pika 1). “Stema e Republikës së Shqipërisë është simbol shtetëror” (Neni 2, pika 2).

Neni 3 përcakton format dhe përmasat e flamurit kombëtar.

1. Flamuri kombëtar paraqet një fushë me ngjyrë të kuqe gjaku, me një shqiponjë të zezë dykrenore në mes, me krahë të hapur anash. Secili nga krahët e shqiponjës ka nëntë pendë, ndërsa bishti ka shtatë pendë.

2. Përmasat e flamurit kombëtar përcaktohen në raportin 1 me 1,4 njësi.

3. Pamja e flamurit kombëtar, fortësia e ngjyrave të tij dhe raportet janë ato të përcaktuara në shtojcën nr.1, që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ndërkaq, Kushtetuta e Kosovës, Neni 6, thotë:

1. Flamuri, stema dhe himni janë simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës të cilat pasqyrojnë karakterin shumetnik të saj.

2. Pamja, mënyra e përdorimit dhe mbrojtja e flamurit dhe të simboleve të tjera shtetërore rregullohen me ligj. Mënyra e përdorimit dhe e mbrojtjes së simboleve kombëtare rregullohet me ligj.

Natyrisht, në rastin e Kosovës fjala është për flamurin me hartë dhe gjashtë yje, si dhe himnin pa tekst, e jo për flamurin kombëtar e as për Hymnin e Flamurit.

Ndërkaq, Neni 59 (Të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre), thotë se komunitetet kanë të drejtë “të përdorin dhe të shfaqin simbolet e komunitetit, në pajtim me ligjin dhe standardet  ndërkombëtare”. Në këtë nen pra përfshihet edhe përdorimi i flamurit kombëtar, në kuadër të të “drejtave të komuniteteve”.

Flamuri pra në Shqipëri është simbol kombëtar. Pas rënies së komunizmit, që nga viti 1992 e deri më sot, ai nuk ka pësuar ndryshime. Por, kjo nuk vlen për të kaluar. Më poshtë mund të shihni forma të ndryshme të shqiponjës dykrenëshe në flamujt kuqezi të shekulli XX.



Flamuri i vitit 1899, sipas modelit të flamurit të qëndisur nga patrioti Seid Najdeni (Hoxhë Voka)


Skicë e flamurit të arbëreshëve të Italisë, i përdorur në vitin 1910


Flamuri kombëtar i kryengritësve të Korçës (1910-12)


Model i flamurit të qershorit 1912, ku ylli i bardhë i Davidit simbolizonte luftën e përbashkët të myslimanëve, katolikëve dhe ortodoksëve shqiptarë për pavarësi. Ky model shqiponje besohet se është përdorur edhe nga Isa Boletini


Flamur kombëtar i dhjetëvjeçarit të parë të shekullit XX, nga ish koleksioni i Eqerem Bej Vlorës


Flamuri i Bajram Currit i përdorur gjatë Luftës së Parë Botërore


Flamur i fillimit të shekullit XX i krahinës së Mirditës


Flamur i patriotëve shqiptarë i viteve të para të shekullit XX, nga ish koleksioni i Eqerem Bej Vlorës


Skicë e flamurit që përdornin çetat kryengritëse të viteve 1910-12


Flamur kombëtar i fillimit të shekullit XX, nga ish koleksioni i Eqerem Bej Vlorës


Flamuri i patriotëve të rrethit të Beratit i përdorur në luftën për pavarësi


Flamuri i përdorur nga shkodranët në vitet 1910-11


Skicë e flamurit kombëtar të një fotografie të delegatëve të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, më 1912. Skica është marrë nga gazeta “Flamuri”, organ i Ballit Kombëtar, që botohej në mërgim pas Luftës së Dytë Botërore


Flamuri kombëtar që u ngrit në Elbasan më 25 nëntor 1912


Flamur me formën grafike të shqiponjës që u ngrit nga Kuvendi i Vlorës, më 28 nëntor 1912. Flamuj të tillë fabrikoi Spiridon Ilo, ish delegat i Kuvendit Kombëtar. Fabrikimi u bë në SHBA në vitin 1920


Flamuri kombëtar që u ngrit në Kongresin e Lushnjës më 1920


Flamuri i praktikuar në periudhën e republikës, pas vitit 1922


Flamur i periudhës së mbretërisë, 1928-1939


Flamur i Batalionit të Xhandarmërisë “Kosova”, 1925-28


Flamur i përdorur në manifestimet e ditës së pavarësisë, 1920-39


Flamuri i ngritur gjatë demonstratave antifashiste në Vlorë, më 28 nëntor 1939


Flamur i Kongresit të II-të të Rinisë Antifashiste Shqiptare, 1945


Flamuri i përdorur gjatë Luftës së Dytë Botërore, me shqiponjën e periudhës së Mbretërisë së Shqipërisë


Flamuri i Administratës Shtetërore Shqiptare në Pejë, pas 14 shtatorit 1943


Flamuri që u përdor në Kosovë gjatë demonstratave të vitit 1968


Skicë e flamurit të përdorur nga komunistët shqiptarë më 1943-44


Skicë e flamurit të përdorur nga komunistët shqiptarë më 1944-46


Flamuri i Shqipërisë, nga viti 1992 e deri më sot