LAJMI I FUNDIT:

23 milionë euro për grante investive

23 milionë euro për grante investive
Foto: Ilustrim
-->

Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) ka ndarë një buxhet prej 23 milionë për grante investive.

Këshilltari në Ministrinë e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Shkëlzen Dragaj, ka deklaruar se përmes Programit për Pagesa Direkte 2016, MBPZHR-ja ka ndarë një buxhet prej 23 milionë eurove.

“Në kuadër të programit janë ndarë subvencione për grurë, për farë gruri, për misër, për luledielli, për lopë dhe buallica qumështore, për dele dhe dhi, për qumësht sipas kategorive të cilësisë, për pulari, për bletari, për derrari, për pemishtet ekzistuese, për perimet në fushë të hapur, për therjet e raportuara të gjedhit”, ka thënë ai për Rtklive.

Sipas tij, për herrë të parë, sivjet përmes subvencioneve janë mbështetur edhe akuakultura, bujqësia organike, elbi, thekra, aronia, arra, lajthia, si dhe thëllëzat.

“Në kuadër të programit për bujqësi dhe zhvillim rural, MBPZHR-ja ka ndarë një buxhet prej 23 milionë për grante investive”, ka deklaruar se Dragaj.

Kurse profesori në Fakultetit e Bujqësisë, Imer Rusinovci, ka thënë se Bujqësia në Kosovë po karakterizohet me rënie të prodhimit dhe, nëse kjo situatë vazhdon, do të ketë rritje të importit të prodhimeve bujqësore. Për shkak të pamjaftueshmërisë së zhvillimit të industrisë agroushqimore dhe mungesës së rregullimeve kontraktuese, rreziqet dhe pasiguritë janë të konsiderueshme.

“Kjo po na koincidon me mosmundësitë që të aktivizojmë 35-40 veprimtari të industrisë ushqimore, ku do të hapeshin vende të reja pune, sidomos në zonat rurale, me ç’rast invazionet e popullatës në zonat urbane do të ndaleshin dhe do të eliminoheshin shumë probleme sociale. Kjo tash do të ishte e realizuar, sikur bujqësia vërtet do të ishte prioritet i Qeverisë”, ka thënë ai për Rtklive.

Sipas tij, konsolidimi i bujqësisë shpie në insentiva të duhura ekonomike, që t’u atashohemi standardeve të sasisë dhe cilësisë së prodhimeve, nëse është pikësynim që vendin ta integrojmë në BE. Mbështetja institucionale e agrarit është oksigjeni kryesor i zhvillimit të prodhimtarisë bujqësore.

“Politikat e bujqësisë duhet t’a favorizojnë prodhimin vendor, dhe mos të jenë të ndërlikuara, burokratike dhe represive. Në Kosovë nevojitet të krijohet një model i ri i prodhimtarisë bujqësore (transfere të reja teknologjike, aparatura dhe makineri të duhura e racionale, entropi përkatëse etj.)”, ka theksuar ai.

Sipas tij, në nivel vendi duhet harmonizuar politikat në bujqësi, me politikat monetare që bëjnë vendet me trende normale të zhvillimit ekonomik. Kreditimi bujqësor është element i dorës së parë i zhvillimit të bujqësisë, ngase me ketë investohet në efektivitet, rritje të produktivitetit dhe shfrytëzim të mirë të resurseve ekzistuese.

“Qeveria e Kosovës, bujqësinë duhet ta përqendrojë në këto prioritete:Konsolidimi, ruajtja, shfrytëzimi dhe menaxhimi i drejtë i tokës bujqësore; diversifikimi i fermave duke zbutur kështu shumë probleme sociale; ripyllëzimi i sipërfaqeve të shkatërruara dhe kthimi i tyre në gjendje normale; intensifikimi i prodhimit intensiv në bujqësi (më herët traditë e kultivuesve) dhe ngritja e produktivitetit të punës në bujqësi”, ka thënë ai.

Sipas tij, këto janë konditat reale që mund t’a karakterizojnë bujqësinë e sotme, prandaj duhet bërë një ridizajnim ku mbështetet ekonomia jonë në përgjithësi dhe bujqësia e tashme në veçanti.

“Politikat bujqësore dhe zhvillimit rural, duhet të jenë në trend me kohën, të parimeve thellësisht evropiane, të cilat do t’i qasen bujqësisë në këta objektiva: nevojat për ta ngritur ekonominë; jo ta marrin arratinë të rinjtë, por të gjejnë vende pune pikërisht në bujqësi; të bartim transfere të reja teknologjike dhe ta nxisim zhvillimin ekonomik; t’i mënjanojmë këto pamje rrëqethëse në bujqësi dhe të mosriciklohet më varfëri nga bujqësia”, ka thënë ai. /Telegrafi/