LAJMI I FUNDIT:

350 mijë dollarë për mbrojtjen e PTK-së në Arbitrazh

350 mijë dollarë për mbrojtjen e PTK-së në Arbitrazh

Qeveria e Kosovës i ka ndarë 350 mijë dollarë për vazhdimin e ndërmarrjes së veprimeve procedurale me karakter urgjent pranë qendrës ndërkombëtare për zgjidhjen e kontesteve investive në çështjen e ngritur nga kompania “ACT Axos Capital” në procesin e privatizimit të PTK-së.

Kompania “Axos” në vitin 2013 ishte shpallur fituese e tenderit për blerjen e 75 përqind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK). Privatizimi dështoi, pasi që në fund të vitit 2014 deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e votuan privatizimin e saj.


Kompania “Axos” me 4 qershor 2015 e kishte paditur Qeverinë e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit (GJNA).

Qeveria në shtator të vitit të kaluar kishte ndarë 200 mijë euro për mbrojtje ligjore në këtë Gjykatë.

Ministri Blerand Stavileci, tha se për të vazhduar ky proces duhen mjete financiare në mënyrë që procedurat të përfundojnë brenda afateve kohore.
“Meqenëse jemi nën presionin kohor të këtij procesi dhe për shkak se duhet të bëhet përzgjedhja e kompanisë dhe ndarja e mjeteve në mënyrë që t’i arrijmë afatet kohore sipas tabelës së planifikuar të aktiviteteve që do të duhej t’i bënte kompania e cila na përfaqëson nevojiten mjete financiare që të ndahen në mënyrë që të realizohet ky proces në tërësi dhe pastaj ne ashtu siç i kemi pasur edhe në vendimet e kaluara dhe me një bashkërendim të aktiviteteve në mes të ministrive sidomos FF-së, MD-së dhe MZHE-së ta gjejmë formën e duhur për këto procedura”, ka thënë Stavileci.

Kurse, kryeministri Isa Mustafa tha se bëhet fjalë për një shumë prej 350 mijë dollarëve dhe i ftoi anëtarët e kabinetit që ta miratojnë këtë pikë.

“Fjala është për ndarjen e 350 mijë dollarëve të cilët do të krijonin kushte që të iniciohen pastaj edhe të zhvillohen procedurat e përzgjedhjes së kompanisë e cila na përfaqëson, sa do të kushtojë pastaj është çështje të cilën tani ne nuk mund ta caktojmë sepse varet prej ofertave që i ofrojnë. Unë kisha propozuar që ne ta aprovojmë këtë ndërkaq te pika 4 e vendimit do të thotë ta lëmë që për zbatimin e këtij vendimi obligohet Ministria e Financave dhe ministria e cila do të zhvillojë procedurat pastaj në mbledhjen e ardhshme në qoftë se ka nevojë e kemi lënë edhe disa konsultime t’i zhvillojmë dhe ta përcaktojmë pastaj si përcaktohet me vendimin bazë do të mbetet edhe kjo”, tha Mustafa. /Telegrafi/