Çfarë thanë për Ronaldon, Iniestan dhe Messin

0:19 / 6.01.2013

Me 7 janar (e hënë) do të ndahet çmimi më i madh individual për futbollistë, ‘FIFA Topi i Artë’, ndërsa FIFA ka veçuar disa thënie për tre konkurruesit për këtë trofe, Cristiano Ronaldo, Andres Iniesta dhe Lionel Messi.

Për Cristiano Ronaldon

“Portugalia ka një ekip kombëtar të quajtur Cristiano Ronaldo dhe një grup lojtarësh që vrapojnë pas tij” – Carlos Queiroz.

“Cristiano është një fenomen. Stili i tij i lojës është unik. Ai është një lojtar që secilën ditë dëshiron të bëhet më i mirë se ditën paraprake. Është ambicioz, me aftësi të madhe për të shënuar gola dhe me një ndikim të madh në zhveshtore. Ai është sulmuesi më i madh që ndonjëherë ka veshur fanellën e Madridit” – Emilio Butragueno.

“Ai është një lojtar i pabesueshëm. Ne kemi një panteon të lojtarëve të mëdhenj, ndërsa Ronaldo padyshim që krahasohet me cilindo prej tyre. Megjithëse kishte talent natyral, në shumë mënyra ai e ka riprodhuar veten – ai është stërvitur dhe është stërvitur. Ai kishte një pjesë të Eric Cantonas në vete. Padyshim që ishte një vlerë e mirë për Madridin” – Sir Alex Ferguson.

“E njëjta gjë po i ndodh Ronaldos, sikur i ndodhi Beckhamit – njerëzit i kritikojnë sepse ua kanë zili që duken mirë. Por, për mua, Ronaldo është futbollisti ideal. Është i shpejtë, i gjatë, i mirë me kokë, teknikisht i mirë, ekzekuton mirë penaltitë dhe gjuajtjet e lira, dhe është një lider. Mendoj se Cristiano Ronaldo është një fenomen” – Ruud Gullit.

“Cristiano Ronaldo ka pasur probleme me formën në nivel ndërkombëtar për disa vite. Futbollisti më i mirë në botë, së bashku me Lionel Messin, dukej i frustruar dhe idhnak kur luante me Portugalinë. Mirëpo, pas disa ndeshjesh të shkëlqyera, Ronaldo filloi të luajë – të shënojë tre gola dhe ta sjellë Portugalinë në një gjysmëfinale të papritur. Është gjithmonë këndshëm të shohësh më të mirën e një superylli. Ai u ka dëshmuar bashkëkombësve të tij se meriton një monument në Lisbonë” – Diego Maradona (gjatë Euro 2012).

“Messi është një lojtar i shkëlqyer, por Cristiano absolutisht i llahtarshëm. Është futbollisti më i mirë në botë, sepse është lojtar më i kompletuar. Është i shpejtë, i fuqishëm, shënon gola, ka aq shumë kualitet dhe gjithmonë i ndihmon skuadrës në mbrojtje kur është nevoja. Ai është dhjetëshja e përsosur. Asnjëherë nuk kam parë një makinë të tillë fubtollistike. Futbolli ka ndryshuar shumë dhe dyshoj nëse lojtarët, si Pele, Di Stefano e Maradona, do ta bënin atë që e bën Cristiano me aq intensitet” – Nuno Gomes.


Për Andres Iniestan

“Padyshim Andres Iniesta. Nuk është aq vështirë të luash mirë dhe të fitosh tituj në një skuadër si Barcelona, por është ekipi kombëtar ku shihet klasi i vërtetë i një futbollisti. Kështu ka ndodhur me figurat, si Pele, Diego Maradona dhe Zinedine Zidane. Me Spanjën, Iniesta ka dëshmuar se është ndër më të mirët e të gjitha kohërave, prandaj e rangoj më lartë se Messi ose Ronaldo. Edhe pse dy të fundit kanë rekorde të jashtëzakonshme shënimi për klubet e tyre, ata ende nuk kanë fituar asgjë me Argjentinën ose Portugalinë, respektivisht” - Boris Becker (i pyetur se kush duhet ta fitojë Topin e Artë).

“Shtypi shpesh më pyet nëse është më i mirë Messi apo Ronaldo, por për mua diçka është shumë e qartë: Andres Iniesta është numër një. Ai është në gjendje të bëjë edhe gjëra shumë më të vështira në fushë. Është magjik me top dhe ka ndikim aq të madh” – David Silva.

“Për Iniestan nuk flitet aq shumë sa flitet për Messin, por unë do të dëshiroja që ai ta fitonte Topin e Artë. Ai e meriton atë për karrierën me Barcelonën dhe Spanjën dhe për virtytet e tij. Ai bën gjithçka si duhet: krijon raste ashtu si shumë pak munden dhe gjithashtu shënon rregullisht. Iniesta është një magjistar që gjithmonë di se çfarë të bëjë kur e ka topin” – Luis Fernandez.

“Ai është i ndriçuari, i prekur nga një shkop magjik. Ai krijon aq shumë respekt në fushë. Si dashamirës i futbollit, jam krenar që kam luajtur me të. Ai e bën dallimin dhe i bën gjërat që askush tjetër nuk mundet” – Sergio Ramos.

“E kam shikuar Iniestan dhe e kam kuptuar se, madje edhe në moshën time, mund të mësoj gjëra të reja” – Juan Roman Riquelme.

“Kur e ka topin, duket se gjithçka tjetër ndalon – sikur kamera po shkon në xhirim të ngadalësuar. Kemi luajtur bashkë që nga mosha 15-vjeçare dhe asnjëherë nuk e kam parë atë të luajë keq” – Fernando Torres.

Për Lionel Messin

“Nuk mund të krahasohet askush me Messin. Cristiano Ronaldo është një futbollist i madh njerëzor, por Messi është një marsian. Ai mund të vrapojë shumë më shpejtë me top sesa pa të. Duket sikur po luan një sport tjetër. Është thuajse e pamundur t’i bësh gjërat që ai i bën në atë shpejtësi” – Alfio Basile.

“Rekordi im qëndroi për 40 vite – 85 gola në 60 ndeshje – dhe tash e theu futbollisti më i mirë në botë. Jam i lumtur për të. Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm, gjigant. Është një profesionist aq i këndshëm dhe modest dhe shpresoj që të shënojë edhe një ose dy gola të tjerë në vitin 2012, në mënyrë që ta mbajë rekordin në 40 vitet e ardhshme. Është fantastik. Ai ka vetëm një defekt – që nuk luan për Bayern Munichun!” - Gerd Mueller (kur ia theu rekordin).

“Disa njerëz nuk e pëlqejnë Ronaldon se është futbollist i shkëlqyer, duket mirë dhe ka bërë seks me të gjitha ato femra. Njerëzit bëhen xhelozë. E vetmja gjë e keqe në jetën e Ronaldos është Messi. Po të mos ishte ai, Ronaldo do të ishte futbollisti më i mirë në botë për pesë vjet rresht” – Luiz Felipe Scolari.

“Akademia Mbretërore Spanjolle duhet të zbulojë një fjalë të re për të definuar atë që bën Messi në fushë” – Alejandro Sabella.

“Messi është një perëndi – si person dhe shumë më tepër si lojtar. Shpresoj që ai ta fitojë Kupën e Botës me Argjentinën. Për zotat e botës, krejt çfarë kërkoj është që t’ia jepni atë mundësi” – Samuel Eto’o.

“Sikur Michael Jordani në basketboll, Messi po e dominon sportin e tij. Shumë pak njerëz në histori kanë arritur t’i dominojnë sportet e tyre, siç kanë bërë Jordan dhe Messi. Më vjen keq për ata që përpiqen të konkurrojnë për fronin e Messit – është pamundur, ky djalosh është unik. Ai nuk shënon vetëm shumë gola, por shënon shumë gola të bukur, secilin më të mirë se tjetrin” – Pep Guardiola.

/Telegrafi/

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.