Kush për kë votoi?

0:33 / 8.01.2013

Lionel Messi zuri një vend të madh në historinë e futbollit duke u bërë lojtari i parë që fiton epitetin e më të mirit në botë për katër vite radhazi, gjegjësisht duke e fituar katër herë çmimin prestigjioz që tash mban emrin ‘FIFA Topi i Artë’.

Në konkurrimin final, 25-vjeçari la pas vetes rivalin më të madh, njëherësh futbollistin më të mirë pas tij, Cristiano Ronaldo, si edhe bashkëlojtarin te Barcelona, Andres Iniesta.

Përqindja e votimit final:

1. LIONEL MESSI
2. C. RONALDO
3. A. INIESTA
4. XAVI
5. R. FALCAO
6. IKER CASILLAS
7. ANDREA PIRLO
8. DIDIER DROGBA
9. R.VAN PERSIE
10. Z. IBRAHIMOVIC

41.6%
23.68%
10.91%
4.08%
3.67%
3.18%
2.66%
2.6%
1.45%
1.24%

Pas ceremonisë madhështore, FIFA ka publikuar një listë intriguese me votat e përgjithshme të trajnerëve, kapitenëve dhe përfaqësuesve të mediave, të cilët vendosën për fituesin.

Lista e publikuar mund të nxisë pakënaqësi mes bashkëlojtarëve, ndërsa në disa raste është befasuese.

Kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana, pesë vota ia dha Ronaldos, tri Messit dhe një Iniestas. Ndërkaq, trajneri Giovanni De Biasi të parin e zgjodhi Messin, pastaj Ronaldon dhe të tretin Xabi Alonson.

Trajneri i Anglisë, Roy Hodgson dhe kapiteni Steven Gerrard votat kryesore ia dhanë Messit, ndërsa për pozitën e dytë e votuan Ronaldon, ndërkaq për vendin e tretë, vota e Hodgson shkoi për Falcaon, ndërsa ajo e Gerrard për Xabi Alonson.

Përzgjedhësi i Spanjës, Vicente Del Bosque, votoi për tre lojtarët e tij: Casillas, Xavi dhe Iniesta. Kapiteni Iker Casillas votën për vendin e parë ia dha Sergio Ramosit, për të dytin Ronaldos, kurse për të tretin Iniestas.

Lionel Messi, si kapiten i Argjentinës, votoi për Iniestan, Xavin dhe Sergio Agueron.

Portugalia veproi me taktikë, duke e shtyrë Bruno Alvesin që të votojë, në mënyrë që Ronaldo t’i merrte votat kryesore. Ndërsa pas tij, e votoi Falcaon dhe Van Persien.

Trajneri i Italisë, Cesare Prandelli, votoi për mesfushorin Andrea Pirlo, pastaj për Gianluigi Buffonin dhe më pas për Messin. Ndërsa edhe kapiteni Buffon zgjodhi Pirlon si të parin.

Kapiteni i Gjermanisë, Philipp Lahm, të parin e votoi Iniestan, para Messit dhe Ronaldos, derisa përzgjedhësi Joachim Loew votat e tij i dha për Mesut Oezil, Manuel Neuer dhe Xavi.

Messi, pastaj Ronaldo dhe Xavi, ishte përzgjedhja e trajnerit të Francës, Didier Deschamps, ndërkohë që kapiteni Hugo Lloris të parin e votoi Casillasin, pastaj Falcaon dhe Drogban.

Kapiteni i Brazilit, Thiago Silva, i dha votat e tij për Messin, Ronaldon dhe Zlatan Ibrahimovicin.

Trajneri holandez, Louis van Gaal, përzgjodhi Messin, Ronaldon dhe Falcaon, derisa kapiteni Wesley Sneijder votoi për Robin van Persien, pastaj për Messin dhe Ronaldon.

Ronaldo i pari, Messi i dyti dhe Van Persie i treti, ishte mendimi i kapitenit të Skocisë, Darren Fletcher.

Listën e plotë të votimeve mund ta shihni duke klikuar këtu. /Telegrafi/

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.