Parashikim: El Clasico I (Copa del Rey)

20:07 / 29.01.2013

Të mërkurën mbrëma në tempullin mitik, Santiago Bernabeu, zhvillohet superderbi planetar, është dueli i dy superfuqive të futbollit, aty ku supremacia nuk ka kufinj në një fushë të thjesht të blertë të cilën do ta shikojnë miliarda telespektatorë, aty ku do të përballen sy më sy dy prej strategëve më intrigues në botën e futbollit, është El Clasico dhe ndeshja e parë gjysmëfinale në kuadër të Kupës së Mbretit.

Formacionet e mundshme

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka probleme të mëdha para ndeshjes ndaj Barcelonës. Iker Casillas (dorë e thyer) dhe Pepe (nyje) mungojnë për shkak të lëndimeve, që do të thotë se një prej portierëve, Adan ose Diego Lopez do të jenë në portë, përderisa Sergio Ramos, Fabio Coentrao dhe Angel Di Maria mungojnë të gjithë për shkak të suspendimeve.

 

Gerard Pique rikthehet nga suspendimi dhe Barcelona ka gjithë skuadrën në dispozicion për të mërkurën. Jordi Alba, Anres Iniesta dhe Cesc Fabregas pritet që të luajnë nga fillimi pas pushimit që u dha trajneri ndaj Osasunas fundjavën e kaluar.

A e dini se?

Real Madridi është në një ecuri prej 31 ndeshjeve pa humbje në Santiago Bernabeu në të gjitha garat. (26 fitore, 5 barazime)

Los Blancos kanë fituar vetëm një prej tetë ndeshjeve të fundit ndaj Barcelonës në shtëpi. (1 fitore, 2 barazime, 5 humbje).

Barcelona i ka fituar tetë nga nëntë ndeshjet e fundit në shtëpi në të gjitha garat.

Blaugranët ishin triumfues me rezultat të përgjithshëm 4-3 në gjysmëfinalet e zhvilluara për herë të fundit në Copa del Rey, pikërisht ndaj Real Madridit.

Forma e Realit

Real Madrid 4:0 Getafe
Valencia 1-1 Real Madrid
Valencia 0-5 Real Madrid
Real Madrid 2-0 Valencia
Osasuna 0-0 Real Madrid

Forma e Barcës

Barcelona 5-1 Osasuna
Malaga 2-4 Barcelona
Real Sociedad 3-2 Barcelona
Barcelona 2-2 Malaga
Malaga 1-3 Barcelona

Lojtarët kryesorë

 

Cristiano Ronaldo

Ylli portugez e realizoi hettrikun e 19-të me Realin në sfidën ndaj Getafes të dielën dhe e preku golin e 300-të në karrierën e tij me klubet. Ronaldo ka shënuar shtatë gola në gjashtë El Clasicot e fundit dhe do të jetë njeriu që pritet të bart përgjegjësinë për Real Madridin.

 

Lionel Messi

Që të mos harrohet plotësisht, Messi u ‘detyrua’ të shënonte katër gola ndaj Osasunës në fitoren prej 5-1, për të kaluar shifrën e 200 golave të tij në La Liga. Argjentinasi mezi pret që të shfrytëzojë mungesat e mëdha në mbrojtjen e Real Madridit, pasi që dihet se Ramos dhe Pepe mungojnë.

Epilogu

Kjo është ndoshta ndeshja më e madhe për Real Madridin deri tani këtë sezon. Los Blancos kanë vuajtur që të gjejnë qëndrueshmëri në La Liga dhe nëse ata mund të mposhtin Barcelonën, kjo do të shërbente si ngritje e madhe para ndeshjeve tjera të mëdha që e presin në vazhdim.

Sidoqoftë, sulmi i Barcelonës është në formë të hatashme dhe do të jetë shumë e fortë për t’u përmbajtur nga mbrojtja e re e Realit që do të inkuadrohet në mungesë të Pepes dhe Sergio Ramos, pa lënë pa përmendur as mungesën e Iker Casillas dhe përplasjet që kanë përfshirë ekipin madrilen së fundmi e që priten të reflektohen në fushë.

 

Parashikimi: Real Madrid 1-3 Barcelona

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.