“Më e vërtetë se e vërteta”, të hënën në “Dodona” (Foto/Video)

23:30 / 1.12.2012

Në Teatrin e Qytetit të Prishtinës - “Dodona”, të hënën do të jepet premiera e komedisë, “Më e vërtetë se e vërteta”, me tekst të autorit të njohur francez, Martial Courcier, dhe regji të Kastriot Saqipit.

Pas një pauze pothuaj dyvjeçare, Saqipi i rikthehet skenës së teatrit. Në këtë shfaqje, sipas tij, pasqyrohet bota virtuale digjitale, duke ngacmuar publikun përmes faktit të humbjes së ndjenjave njerëzore nga ndikimi i përditshëm i teknologjisë. Tema shtjellohet rreth dy shokëve, François dhe Julien, të cilëve femrat nuk u mungojnë, por nuk ndjejnë asgjë pos boshllëkut.

Valon Bujupi, Shengyl Ismaili dhe Agron Shala

“Shfaqja ka pjesë që përmban dramë, ka romancë, por ka edhe tragjedi. Në fakt, edhe pjesa komike e cila qëndron në shfaqje, kur e analizon më thellë e kupton se ka të bëjë me tragjedinë tonë, me atë se çfarë është duke na ndodh. Kemi një skenografi bardh e zi, për arsye se botën jemi ka e shohim shumë kolor dhe shumë po ia mbarojmë vetes qefin. Mirëpo, jeta jonë prej ndjenjave që i kemi shfaq botën virtuale”, ka thënë ai.

Në këto momente, thotë Saqipi për Telegrafin, ai ka emocione të jashtëzakonshme.

“Jam duke e përjetuar frikën dhe tmerrin në brendi. Por, jam i bindur se në fund të shfaqjes do ta përjetoj çastin e lumturisë nga duartrokitjet e sinqerta të publikut”, thotë Saqipi.

Regjisori Saqipi, gjatë provave

Drama fillon në ditën e 35 vjetorit të Julienit, atëherë kur François ia sjellë për robotin Chloe.

Në momentin e parë, spektatori sheh një robot. Gjatë zhvillimit të veprës, ajo “shkrihet” dhe bëhet njeri. Në bazë të programit merr vlera njerëzore të vetë krijuesit të saj gjë që i bënë dy personazhet tjera të bien në dashuri tek ajo.

“Është kjo kohë e trendëve moderne. Nëse nuk je i tillë, nuk ke vend në shoqëri. Je i mënjanuar”, thotë regjisori i shfaqjes.

Rolin e Chloes në shfaqje e luan aktorja Shengyle Ismaili. Ajo thotë se ky është rol sfidues, sidomos kur dihet se është një robot që me kohën shndërrohet në qenie njerëzore.

“Kam dëshirë të punoj me Kastriotin, sepse ai punon shumë për aktorët duke ju dhënë hapësirë që të krijojnë rolin e tyre. Teksti është interesant me tri karaktere të ndryshme. Pra, ka laramani. E kemi filluar për të pasur sukses dhe jam e bindur për sukses”, thotë ajo, duke shtuar se ky është një më ndryshe prej roleve që ka pasur deri tash.

“Ka qenë rol i vështirë, pasi gjithmonë duhesh të bësh diçka që nuk ke bërë ma herët. Pra, duhet të nxjerrësh në pah diçka që s’ke nxjerrë deri më tash”, thekson Ismaili.

Aktori tjetër, Agron Shala, i cili në këtë shfaqje e luan rolin e Julienit, ka thënë se për këtë shfaqje kanë punuar rreth dy muaj.

“Përafërsisht kemi punuar dy muaj në këtë projekt. Mendoj se secili prej nesh e njeh zanatin e vet dhe jep prej vetvetes atë çka mundet të jap. Unë mendoj se brenda këtij teksti, që nga regjisori e deri tek aktorët kemi dhënë maksimumin e mundshëm. Në këtë rast ne kemi pas një tekst që realisht ka qenë i këndshëm në lexim të parë, por gjatë rrugës kemi has në vështirësi meqë kemi parë që ky tekst nuk është i lehtë ashtu siç kemi menduar”, ka thënë ai.

Rolin e François e luan Valon Bujupi, të cilit përshtypje të parë i ka dhënë teksti.

“Roli im është i ndjeshëm, sepse është në shoqëri me Julienin, shefin e tij, dhe bënë çmos për ta ndihmuar e për ta bërë për vete, sidomos kur dihet se ai është i thyer shpirtërisht. Kemi punuar shumë në këtë shfaqje, por, më lejoni të them se gjithçka është mirë kur përfundon mirë. Rezultati i finalizimit, premierës dhe reprizave, jam i bindur se do të jetë i tillë”, thotë ai.

Posteri i shfaqjes

Komedia “Më e vërtetë se e vërteta”, e cila do të shfaqet të hënën duke filluar nga ora 19: 30, në Teatrin e Qytetit të Prishtinës “Dodona”, është shkruar në vitin 2001. Premierën e ka pasur në Paris, ku kanë luajtur aktorët e njohur: Delphine Depardieu, Paul Belmondo dhe Jean Martinez. Kjo është hera e parë që ky tekst jepet në teatrot e Kosovës. /Telegrafi/

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.