Besa Kokëdhima: Melodia e detit gjithmonë në mendjen time

0:19 / 14.10.2012

Rrëfim për jetën: kam qenë fëmijë i ndrojtur, jam rritur me gjyshen dhe detin...

Përgatiti: Romina Rudi

Është viti 2000 dhe jam duke ndjekur koncertin e fundvitit të organizuar nga Kolegji Turk. Askush nuk do mund të kishte tërhequr vëmendjen time, dhe mesa mora vesh më pas të të gjithë sallës, sa një vajzë e vogël, paksa e mbushur, me flokë të dendur të errët, uniformë shumë konservatore kolegji dhe me një zë mahnitës. Ishte ndër ato rastet kur e gjen veten me gojën e hapur nga habia - dhe nuk po ekzagjeroj! Nuk mbaj mend në ishte Celine Dion apo Whitney Houston këngëtarja, këngën e së cilës po performonte, por ngulita në kokë mbiemrin e asaj vajze, mbiemër, i cili do më mahniste sërish disa vite më pas bashkë me disa djem të porsa dalë në skenë që quheshin “Produkt 28”. Besa në shumë pak vite ishte kthyer nga një vajzë e ndrojtur kolegji në një artiste të re, e cila premtonte shumë! Karriera e saj tashmë kishte nisur vrullshëm dhe vazhdon kështu edhe sot e kësaj dite. Dhe të mendosh që të kënduarit tek ajo ka ardhur shumë natyrshëm dhe rastësisht.

“Isha duke punuar me piano mbi "Tarantellan" dhe vendosa të luaja pak me notat. Profesori me të cilin studioja gjatë asaj kohe në Angli më kërkoi t'ia këndoja këtë version timin dhe ishte i pari që më sugjeroi të merresha ekskluzivisht me këngën".
Ndër të paktat (për të mos thënë e vetmja) këngëtare shqiptare me zë ‘black’, artiste, e cila ka një stil unik jo vetëm në muzikë, por edhe në performancë dhe ndër femrat më të zgjuara që kemi njohur ndonjëherë. Besa, mbi të gjitha është një ndër personazhet më ëndjendjellëse që kemi patur kënaqësinë të njohim. Kjo është Besa për ju, përmes syve tanë!

Nuk ndodh shpesh të takosh dikë dhe të kesh komoditetin dhe impresionin se e njeh prej shumë vitesh, siç na ndodhi kur takuam për herë të parë Besën. Koha kaloi shumë shpejt mes batutave, koktejeve dhe ideve, aq sa kuptuam që vetëm ajo natë nuk do mjaftonte për të folur rreth gjithçkaje bashkë. Shumë biseda ndërpriteshin në mes për t’u vijuar
të tjera, duke përfunduar në një mishmash filmash horror, muzike klasike, brit rock dhe Alexander Mc Queen. Besa na solli një frymë që kuptuam na mungonte: atë të shpirtit të lirë plot çiltërsi!

Në videoklipet dhe performancat e saj gjithmonë ka dalluar, përpos zërit të mrekullueshëm, mënyra sesi ajo përcjell karaktere të ndryshme në kohë të ndryshme. Të gjitha këto ndryshime që ajo sjell dhe shijet e saj të shumëllojshme, që kalojnë nga Whitney Houston, Radiohead dhe deri tek Bjork dhe Placebo, ndryshimet e shpeshta në pamje përmbledhin qartë figurën e një artisteje të kompletuar që di të vlerësojë gjithçka që përmban vlerë në vetvete.
Por jo vetëm kaq, sepse Besa edhe në shkollë ka qenë e apasionuar në lëndët ekzakte dhe në të njëjtën kohë lexonte shumë psikologji.
“Kam qenë shumë studioze në shkollë. .. Më pëlqenin shumë lëndët ekzakte, por njëkohësisht lexoja shumë psikologji, pasi më pëlqen të zbuloj sjelljet e njerëzve për t'i kuptuar më mirë. Temat psikologjike janë ndoshta edhe temat më të debatuara nga unë në rrethe shoqërore”.

Gjithmonë kemi menduar se Besa ka qenë fatlume për shkak të pozitës së mirë ekonomike dhe sociale të babait të saj, por ajo na tregon që i është dashur t’i fitojë vetë gjërat e rëndësishme në jetë.
“Fëmijërinë time të hershme e kam të lidhur me gjyshen dhe Qeparoin. Kam jetuar me të katër vite, deri kur mbusha moshën për të nisur shkollën. E mbaj mend si një periudhë shumë të lumtur të jetës time. Më pas u zhvendosa në Fier ku dhe bëra shkollën fillore. Si fëmijë kam qenë shumë e ndrojtur dhe e turpshme... “.

Studimet mbeten pika e fortë e Besës, duke nisur që me kurset e pianos e deri tek gjimnazi në Angli, eksperiencë shumë influencuese kjo e fundit si në mënyrën si koncepton jetën, veten dhe përse jo... edhe pak veshjen!
“Nuk influencohem ekskluzivisht nga ajo çka përcaktojnë trendet e momentit. Përpiqem të vishem mirë, por nuk nisem domosdoshmërisht nga markat. Stilisti im i preferuar është Alexander McQueen, i cili në gjykimin tim nuk bënte thjesht veshje, por art të mirëfilltë”.

Dhe kur vjen puna tek arti, dihet që çelësi mbetet frymëzimi. Besa nuk e ka një muzë të mirëfilltë pasi gjithçka e rrethon mund të jetë një muzë e mirë për të, dëshmi kjo për natyrën komplekse artistike që e karakterizon.
“Më lumturon dhe frymëzon çdo ndodhi e gëzuar në jetën time; kënaqësitë. e vogla të jetës, harmonia në dashuri, miqtë e mi, njerëzit e veçantë, veprat e mëdha, suksesi, muzika e mirë, kafshët, melodia e një peizazhi natyror, etj. Jeta më frymëzon! Më largojnë frymëzimin dhe pezmatojnë vështirësitë apo pengesat artificiale në jetët tona, padrejtësitë, pabarazitë, indiferenca, arroganca, kudo i shoh ato”.
Mikesha e saj më e mirë është Elvana Gjata. "Është një vajzë e mrekullueshme, artiste, me një zemër të madhe".

Deri diku e painteresuar për pompozitete skenike, dieta të lodhshme apo trajtime të stërgjata. Besa e ka të qartë që këtu ku është e ka sjellë vetëm talenti. i saj, ndaj dhe duket e pashqetësuar për fasadën që rëndom bëhet obsesion i shumë artisteve të reja.

Mjafton ushqim i mirë, pak regjim në të fjetur dhe shumë lumturi. Ky është sekreti i Besës për një jetë të lumtur, të shëndetshme dhe të bukur. “Herë pas here edhe pak sallon estetik nuk bën keq ama (qesh)”.

Kur i rikthehemi artit na tregon me një shkëlqim që e pushton menjëherë, se si skena është ndjesia e saj më e bukur dhe njëkohësisht e papërshkrueshme. Do e quaja një pikë kulmore emocionesh. Emocione, të cilat ne i kemi ndjerë çdo herë e kemi parë të performojë dhe presim t’i ndjejmë gjithmonë e më shumë. /Telegrafi/

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.