E bukura Enca

1:49 / 14.11.2012

Ka një zë unik, të jashtëzakonshëm. Me një shikim ‘vrastar’ dhe butësi në interpretim, shoqëruar nga një vokal prej një ylli të vërtet, ajo sigurisht se ka një të ardhme të ndritur. Enca Haxhia quhet vajza e cila kohëve të fundit ka shkëlqyer në industrinë muzikore shqiptare, si një premtim serioz që i bëhet të ardhmes, duke i thënë se e bukura do të jetë e pranishme si në nivelin artistik ashtu dhe atë të paraqitjes skenike.

Intervistoi: Arnolld Korenica

Kush është Enca? A mund ta përshkruash veten me pak fjalë?
Enca: Enca është një vajzë 17 vjeçare nga Tirana që po përjeton ëndrrat e saj lidhur me artin dhe veçanërisht muzikën.

Je jashtëzakonisht e talentuar. Kush e zbuloi talentin tënd dhe cila është kënga e parë që ke tentuar ta këndosh në mënyrë profesionale (cover)?
Enca:
Që e vogël fare e dija që doja të bëhesha këngëtare, më tërhiqte shumë kjo fushë dhe isha e vendosur. Talentin tim e zbuluan për herë të parë në shkollë, ku më nxitën të merrja pjesë në Festivalin e Zërave të Rinj në moshën 9 vjeçare. Nëpër talent shou dhe shtëpi këndoja çdo lloj këngësh por kënga e parë ‘cover’ që kam ngarkuar në YouTube ishte një këngë ruse që më pëlqente shumë.

Ke filluar karrierën duke kënduar këngë të këngëtarëve tjerë, në formë të ‘cover’-ave të cilat u pëlqyen shumë. Nga erdhi vendosmëria për të bërë një këngë tënde solo?
Enca:
Të kisha këngët e mia origjinale ishte pikësynimi dhe para kësaj unë ndoqa një tip ‘shkolle’ që u realizua me anë të pjesëmarrjeve nëpër talent shou, ‘cover’-ave në YouTube dhe sigurisht studimeve për kanto.

Cila është kënga juaj e parë dhe a mendoni se ishte sukses marrë parasysh se kënga e parë ndikon shumë në përshtypjen e parë për publikun?
Enca
: Kënga ime e parë ishte “The Best Of”, një këngë shumë e dashur për mua, lansuar në qershor të këtij viti. Ishte pikërisht ashtu siç dëshiroja, stili RnB dhe fliste për dashurinë, për muzikën, skenën, emocionet që merr prej saj dhe të dhënurit më të mirën tënde. Ishte stil i veçantë, u përpoqa të sillja sa më shumë origjinalitet duke iu përmbajtur dhe grupmoshës time… Këto gjëra u vlerësuan shumë nga publiku, ndaj unë jam vërtet e kënaqur.

Ke nënshkruar për Big Bastën, i cili disa herë ka thënë se jeni repere, e para e këtij lloji që njohin shqiptarët. A e sheh veten si këngëtare apo si repere të tipit të Nicki Minaj?
Enca
: Me Big Bastën kam realizuar këngët e mia të para, të gjitha stile të ndryshme nga njëra-tjetra dhe të veçanta. Gjatë punës me Bigun ai zbuloi tek unë edhe një repere. Më pëlqen të eksperimentoj edhe me gjëra të tilla, megjithatë kjo besoj do të mbetet dhe një plus i Encës si këngëtare.

Si ndihesh pas pjesëmarrjes në festivalin Kënga Magjike? A mendon se ishte e denjë kënga “All That”, përkundër faktit se nuk mori asnjë çmim?
Enca:
Ndihem vërtet e kënaqur. Sollëm një këngë të bukur, energjike, pozitive që mund të them me plot gojë se bënte dallim edhe për ndërthurjen e stileve muzikore. Performanca e gjysmëfinales u prit shumë mirë nga publiku, sidomos prej atyre që na ndiqnin nga skena drejtpërdrejt. Mbeti në mendjen e njerëzve dhe mora kritikat më pozitive pas debutimit të fundit. Ky ishte një sukses për mua.

Ke ndryshuar ngjyrën e flokëve dhe dukja juaj ishte ekstravagante, diçka unike, kush u përkujdes?
Enca:
Preferoj që në çdo këngë apo paraqitje timen të fus diçka nga vetja, ishte ideja ime dhe të them të drejtën kisha kohë që e dëshiroja. Mendoj se ky ishte sezoni dhe momenti i duhur, pasi ishte një event i rëndësishëm për mua.

Kush është shembulli yt për karrierën tani dhe në të ardhmen? Është ndonjë yll botëror apo ndonjë ikonë e muzikës tonë?
Enca:
Jam rritur duke pasur idhuj, shembuj në jetë dhe veçanërisht në karrierë. Idhulli im është Lady Gaga, gje që dhe më motivon që të mos ndaloj kurrë së punuari për të realizuar ëndrrat e mia.

Je jashtëzakonisht e bukur, tërheq vëmendjen e të gjithëve. Suksesin ia dedikon zërit të mrekullueshëm apo bukurisë?
Enca
: Të faleminderit. Nëse do t’i jepja rëndësi bukurisë, prioritet nuk do të kisha këngën me siguri. Talenti është ai që e bën një artist, ndërsa paraqitja është pa dyshim një plus.

Je ende nxënëse në shkollën e mesme Nobel. Natyrisht ke shoqëri dhe tani ka mundur të ndryshojë diçka pasi je e famshme. Tani jeni ende ajo vajza e thjeshtë apo e konsideron veten yll?
Enca:
Kam qenë dhe do të mbetem gjithmonë Enca e dashur, ekspresive, ‘funny’ dhe e thjesht me miqt dhe ata që më njohin. Muzika dhe jeta e përditshme për mua janë dy botë të ndryshme, ku marrë më të mirën e të dyjave.

Je ëndrra e shumë djemve, ke të dashur apo je ende ‘single’?
Enca:
Jo, nuk kam të dashur, pasi kur isha 12 vjeç më vinin mesazhe ku thonin se nëse nuk do ua dërgoja po atë mesazh 10 personave të tjerë, do të mbetesha single për 10 vitet e ardhshme…unë nuk i dërgova..hahahahah!

Si e kalon kohën e lirë Enca?
Enca:
Këtë periudhë nuk kam pasur fare kohë të lirë, megjithatë në momentet e lira preferoj të dal me rrethin e ngushtë shoqëror, të shkarkoj muzikë pafund, të ëndërroj për pushime.

Cilat janë synimet e tua për të ardhmen e largët? Ndonjë album?
Enca:
Jam duke punuar për këngë të reja edhe më ndryshe nga këto që kam lansuar deri më tani... ju premtoj gjëra vërtet të bukura...

Një fjalë për përkrahësit tuaj...
Enca:
Faleminderit që më bëni çdo ditë edhe më të bukur, ju dua shumë!

 

/Telegrafi/

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.