Suksesi i trishtë i Dafinës

7:16 / 14.02.2013

Nuk i mungon guximi, as ambicia dhe as bukuria. Shumëkush do t’i përdorte këto si armë për të arritur gjithçka në karrierë, ndërsa Dafina Rexhepi i është dhënë fort këngës për të arritur aty ku do.

Lidhjen me skenën e ka të fortë, pasi emocionet i ka larguar që nga fëmijëria. Si një zotëruese e mirë e skenës, ajo ja di hilet, di se si të injektojë tek publiku adrenalinë dhe gjithmonë e ka realizuar. Sharmi, linjat e trupit i kanë ngjitur epitetin seksi, por në ndryshim nga shumë këngëtare të tjera, s’është pikërisht ky çelësi i suksesit të Dafinës.

Intervistoi: Gazmend Kajtazi

Dafina, fituat famë me hitin “Delicious” në bashkëpunim me reperin Mc Kresha. Brenda pak kohësh, jeni shndërruar në ikonat e reja të muzikës moderne shqiptare? Çfarë keni bërë gjatë gjithë kësaj kohe?
Kam punuar shumë në këngët e mija, jam munduar që me shumë angazhime e punë të palodhshme të jem këtu ku jam sot.

Zëri apo emocioni që përcjell, është më i rëndësishëm për t i dhënë maksimumin një kënge?
Unë nuk do t’i ndaja. Mendoj që të dyja në një përputhshmëri e japin cilësinë e këngës e cila bëhet hit.

Dafina që të bësh art sot, e ke ndjerë se duhet edhe një dorë e mirë parash?
Po, në çdo profesion që ka të bëjë me muzikën, aktrimin, artin në përgjithësi, duhet të shpenzohet mjaft, por edhe punë të palodhshme, por duhet të kesh edhe një plan se si t’i fitosh ato.

Mendon se një këngëtare duhet të jetë patjetër sensuale në skenë?
Në radhë të parë, një këngëtare duhet të ketë patjetër stil dhe vokal të mirë. Një këngëtare mendoj që duhet të jetë e thjeshtë në komunikim me fansat, por patjetër e përgatitur që të dallohet në skenë nga të tjerët, pasi që këngëtarja është epiqendër.

Si ndihesh kur këndon; euforike, apo je më shumë në ankth?
Është një ndërthurje emocionesh që më elektrizon. Ndjehem tepër mirë pasi qysh si fëmijë, gjithmonë këndoj në shtëpi, në teatër, në shkollë vallëzimi, në orët e këndimit...

Po si këngëtare, si do ta përcaktoje vetveten?
Këngëtare me karakter të veçantë si në veshje, punë apo në sjellje.

Po përveç muzikës së zhanrit tënd ç’lloj muzike të pëlqen tjetër?
Kam kënduar vetë musical dhe soul apo jazz që i pëlqej shumë, por dëgjoj edhe balada, Hiphop.

Në skenë anoni më shumë nga ekstravaganca. Mendoni se kjo është dhe karemi juaj që tërhiqni më shumë fansat?
Po, gjithmonë dua të dukem ekstravagante, por jo të zhvishem pa nevojë dhe besoj që kjo ka ndikuar që fansat të jenë të kënaqur me mua.

Sa e aftë është Dafina për të përballuar sfidat?
Kam përkrahje shumë nga familja dhe njerëzit përreth që më bëjnë të ndjehem mirë dhe i përballoj të gjitha pa ndonjë problem.

Artistët dhe super starët e botës shpeshherë elektrizojnë publikun duke u zhveshur në skenë. Ju mendoni për surpriza të tilla?
Po secili artist ka mënyrat e veta, unë mendoj për tregun kosovar nuk arsyetohet zhveshja, pasi që edhe nuk e kam moshën, as karakterin. Unë i vlerësoj më shumë vokalin dhe performancën e mirë me vallëzime sesa zhveshjet dhe provokimet në skenë.

Ndërkohë që ti komentohesh si një vajzë e bukur dhe me sharmë në skenë. Një vajzë e bukur duhet të ndihet me fat apo jo në ditët e sotme?
Bukuria është një plus në çdo kohë, por e përkohshme dhe jo më e rëndësishme dhe mbivlerësuar sesa një zë i bukur.

A ka trokitur ndokush në portën e zemrës tuaj?
(Qesh) U mbyll porta.

Ç’është dashuria për Dafinën?
Dashuria për mua është fjalë shumë e madhe pasi që jam një person me një zemër të madhe dhe gjithmonë i dua njerëzit që më ndihmojnë dhe janë pranë meje.

Mendoni se ekziston dashuria e përjetshme?
Po, besoj se po..

Ka përparësi zemra apo mendja në vendimet e tua?
Në profesionin tim duhet të mendosh shumë para se të veprosh, kështu që vendimet i marr sipas mendjes, kurse në jetën private ka përparësi zemra.

I beson intuitës?
Po.

Po miqve?
U besoj miqve të ngushtë me të cilët jam rritur, kurse tek të tjerët nuk kam edhe aq besim.

Çfarë pëlqejnë miqtë e tu tek ti?
Personalitetin, besnikërinë, jam gjithmonë ‘happy’, shumë e lirë, e thjeshtë...

Çfarë vendesh frekuenton më shpesh?
Vendet e qeta me muzikë të lehtë dhe ushqim të mirë. /Telegrafi/


 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.