Capussela mund të përballet me drejtësinë
Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO) ka reaguar ndaj deklaratave të ish punëtorit të vet, Andrea Capussela, i cili së fundi ka lëshuar një sërë akuzash në drejtim të këtij institucioni.“Duke pasur parasysh përgjegjësitë që dalin nga mandati ynë, si dhe pasqyrimet në media sot, Zyra Civile Ndërkombëtare Civile dëshiron ta bëjë të ditur zyrtarisht qëndrimin e vet në lidhje me një çështje të eksproprijimit të tokës. Ne e kuptojmë që qëllimi i eksproprijimit të tokës në Hajvali është ndërtimi i një kompleksi arsimor në të cilin do të vendosej edhe Universiteti Amerikan në Kosovë (AUK)”, thuhet në një njoftim të ICO-së.
“Gjatë muajve të kaluar, Zyra Civile Ndërkombëtare i ka bërë të qarta në mënyrë të përsëritur pikëpamjet e veta për këtë çështje para autoriteteve përkatëse: siç kemi thënë edhe për çështje të tjera, duhet të ketë respekt të plotë për ligjin. Ne vazhdojmë të angazhohemi në mënyrë konstruktive me Qeverinë në interes të procedurës së rregullt dhe dobisë së publikut të cilit pritet t’i shërbejë ky transaksion”.
“Po ashtu, është pikëpamje e jona se në deklaratat publike të kohëve të fundit, z.Andrea Capussela ka shkelur obligimet e konfidencialitetit të marra përsipër gjatë punësimit të tij në ICO, obligime të cilat vazhdojnë edhe pas shkarkimit të tij nga shërbimi. Ne besojmë se rrëfimi i ngjarjeve të paraqitura është i pjesshëm dhe përmban një numër të konsiderueshëm pasaktësish të cilat duket se kanë si pikësynim të përgjithshëm diskreditimin e ICO-së. Prandaj ICO-ja, në konsultim me palët e tjera të interesuara, është duke shqyrtuar hapat adekuatë ligjorë”. /Telegrafi/