Heroi i kufirit
Polici i plagosur i Njësisë Speciale të Kosovës, Enver Zymberi nga fshati Dubovc i Vushtrisë, të martën ka ndërruar jetë në Klinikën Intensive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Gjendja e tij shëndetësore ishte e rëndë që nga momenti kur ai u qëllua në kokë me snajper.
Ai ishte qëlluar gjatë rrugës për në pikën kufitare 31 në Bërnjak, nga serbët e revoltuar. Zymberi fillimisht ishte dërguar në spitalin e jugut në Mitrovicë, e pastaj me helikopter të KFOR-it ishte bartur në QKU, shkruan Express.
KMDLNJ në Mitrovicë ka sqaruar se Zymberi është plagosur rreth orës 15:00, në afërsi të pikës nr. 31 në Bërnjakë, derisa pjesëtarët e Njësisë Speciale po shkonin me automjete drejt kësaj pjese të kufirit. Sipas KMDLNJ-së, ata janë sulmuar nga të dyja anët e rrugës nga bandat kriminele serbe të armatosura.
Presidentja e vendit i ka dërguar një telegram ngushëllimit familjes policit Enver Zymberi.
“Me dhimbje shumë të madhe mora lajmin për vdekjes e më të dashurit tuaj, policit të Kosovës, Enver Zymberi, i cili u plagos rëndë derisa ishte në detyrë për vendosjen e ligjshmërisë në vendkalimet kufitare të Republikës së Kosovës me Serbinë dhe ndërroi jetë disa orë më vonë, duke mos iu bërë ballë plagëve të rënda, me gjithë angazhimin dhe përkushtimin shumë të madh të mjekëve”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.
“Enveri dhe kolegët e tij, duke qenë në krye të detyrës për ruajtjen e rendit dhe ligjit dhe për vendosjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, dhanë një shembull të sakrificës së jashtëzakonshme, përkushtimit të pashoq dhe profesionalizmit të lartë”, thuhet më tej.
Edhe kryeministri Hashim Thaçi i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Zymberi.
”Sakrifica e Enverit në mbrojtje të kufijve të atdheut, të shtetit të Kosovës, do të mbetet përherë në kujtesën dhe zemrën e qytetarëve të Kosovës, duke identifikuar njëkohësisht përkushtimin e tij për mbrojtjen e lirisë dhe paqes në vendin tonë”, thuhet në telegramin e Thaçit dërguar të martën vonë në mbrëmje.
Zymberi, baba i tre fëmijëve, ishte pjesëtar i Njësisë Speciale që nga viti 2000.
Ndërkohë, mediat lokale serbe kanë njoftuar se të plagosur ka edhe nga serbët lokalë, të cilët kanë sulmuar pjesëtarët e Njësisë Speciale. Sipas këtyre mediave, në Zubin Potok dyshohet se janë plagosur tre serbë, por nuk ka informacione për gjendjen e tyre shëndetësore. /Telegrafi/