Dilemat serbe pas takimit me Nikolicin
Politika dhe pozicioni i Beogradit në raport me Kosovën, sidomos pjesën veriore të saj, do të varen ekskluzivisht nga qeveria e re që do të formohet atje, thonë përfaqësues të serbëve dhe njohësit e rrethanave politike.Të enjten, në Beograd, presidenti i ri serb, Tomislav Nikolic, ka pritur në një takim të përbashkët kryetarët ilegalë të komunave veriore të Kosovës, të cilëve fillimisht u kishte premtuar se do t’u dorëzonte edhe marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun Kosovë-Serbi, por që pas takimit doli se një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.
Megjithatë, serbët nga veriu presin jo vetëm nga presidenti Nikolic, por edhe nga qeveria e re serbe që t’i adresojë shqetësimet e tyre, pavarësisht faktit se këto kërkesa bien ndesh me rendin kushtetues të shtetit të Kosovës.
Dragisha Milovic, kryetar ilegal i komunës së Zveçanit, thotë se pret, para së gjithash, që në Beograd të formohet një qeveri demokratike, e cila do të ndërtojë një konsensus politik edhe për Kosovën.
Ai pret, po ashtu, që Beogradi ta vazhdojë përkrahjen për institucionet serbe në Kosovë.
Sekretari në largim në të ashtuquajturën Ministri për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanovic, nuk pret ndonjë ndryshim të pozicionit serb karshi Kosovës.
“Politikat që ka zbatuar qeveria e kaluar, presupozoj se do t’i zbatojë edhe qeveria e re. Kosova është pjesë konstitutive, kushtetuese e Serbisë dhe këtu asgjë nuk do të ndryshojë, përderisa të mos ndryshojë Kushtetuta. E, për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë nuk ekziston as vullneti më i vogël politik”, shprehet Ivanovic për Radio Evropa e Lirë.
Ndërkohë, Dusan Janjic, nga Forumi për Marrëdhënie Ndërkombëtare, thotë se përfaqësuesit e serbëve që udhëtuan në Beograd, politikisht janë më të afërt me Nikolicin. Por, ai i rikujton ata se politikën serbe në raport me Kosovën e udhëheqë qeveria e jo presidenti.
Ndërkaq, Jelena Milicq, drejtoreshë e Qendrës për Studime Evropiane në Beograd thotë se do të dëshironte të demantohej, por beson se Nikolici nga posti i presidentit do të ndikojë në ndryshimin e politikës së deritashme në raport me Kosovën.
“Nikollic do t’i nënshtrohet interesit dhe ndikimit rus, duke përfshirë edhe interesin në lidhje me Kosovën”, thekson ajo.
Pas takimit të zhvilluar me përfaqësuesit e veriut, Nikolic ka paralajmëruar se do t’i takojë edhe serbët e viseve tjera të Kosovës. /Telegrafi/