Nikolic: Prishtina na provokoi
Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic, duke iu referuar incidenteve në ditën e të ashtuquajturit “Vidovdan”, ka deklaruar se sulmi ndaj civilëve serbë në Kosovë, është i papranueshëm dhe paraqet provokim të hapur.Nikolic nuk e ka komentuar sulmin e huliganëve serbë ndaj Policisë së Kosovës, as këngët e tyre çetnike dhe as provokimin nga ana e serbëve me fotografitë e kriminelit të luftës, Slobodan Miloisevic.
Nikolic ka thënë se përgjegjësia për sulmin ndaj serbëve bie mbi qeverinë në Prishtinë. Ai ka shfaqur shpresën se organizatat ndërkombëtare, që janë të pranishme në Kosovë do të kryejnë punën e tyre në përputhje me mandatin që kanë dhe të ofrojnë siguri dhe mbrojtje të të drejtave për të gjithë qytetarët.
Në përleshjet që ndodhën të enjten mes Policisë së Kosovës dhe serbëve janë lënduar 32 policë kosovarë dhe 20 serbë.
Në ndërkohë edhe Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë ka shprehur shqetësimin për incidentet e 28 qershorit në pikën kufitare në Merdar ndaj Policisë së Kosovës, si dhe sulmin mbi autobusët me qytetarë serbë në Prishtinë nga persona ende të panjohur nga organet e ndjekjes.
FDH vlerëson se sulmet e tilla kontribuojnë në rritjen e pasigurisë tek të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe janë në kundërshtim të plotë me respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, vlera këto që janë të garantuara me kushtetutën e Republikës së Kosovës. /Telegrafi/