U zbulua busti i heroit Mehë Uka
Drejtues të Komunës së Mitrovicës, përfaqësues të shoqatave të luftës së UÇK-së dhe mysafirë të shumtë morën pjesë të shtunën në zbulimin e bustit të heroit Mehë Uka, në oborrin e shkollës me të njëjtin emër në fshatin Bajgorë. Folësit vlerësuan lartë veprën dhe jetën e Mehë Ukës, i cili para pak ditësh është shpallur hero i Kosovës nga presidentja e vendit.
Kryetari i komunës, Avni Kastrati, tha se është krenari për të gjithë ata që mund ta nderojnë njërin prej djemve mitrovicas që u bë figurë e shquar e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ai nuk pranoi të jetonte në një kohë të paemër, prandaj i dha emër kohës së tij, duke iu bashkangjitur listës së gjatë të dëshmorëve, të cilët po e shkruanin historinë me gjakun e tyre”.
Ai tha se Mehë Uka ishte pjekur me këngët për trimat e Shalës dhe të gjithë Kosovës, të cilët për asnjë moment nuk ishin lodhur së luftuari për truallin e shqipeve.
“Ai u bë pjesë e UÇK-së, vlerës më të shenjtë që ka pasur dhe që do ta ketë Kosova ndonjëherë. Ra duke qenë pjesë e saj. I ri, i bukur dhe i madh sa janë edhe bjeshkët e Shalës së tij”, tha Kastrati.
Në emër të familjes të pranishmit i ka falënderuar për pjesëmarrje, Rasim Uka, vëllai i heroit, ndërsa bustin e ka zbuluar kryetari i komunës bashkë me të ëmën e heroit dhe disa veprimtarë të çështjes kombëtare. /Telegrafi/