100 vjetori i ngritjes së flamurit në Vesekovc
Zyrtarë të institucioneve lokale dhe qendrore të Republikës së Kosovës, veprimtarë të çështjes kombëtare dhe mysafirë të shumtë nga të gjitha viset shqiptare janë mbledhur të shtunën në majën e Vesekovcit në Shalën e Bajgorës për të shënuar 100-vjetorin e Kuvendit të Kurillovës dhe ngritjes së Flamurit Kombëtar nga Isa Boletini. Kjo ngjarje u vlerësua si një moment historik jo vetëm për Kosovën, por për të gjitha trojet shqiptare.Manifestimi është organizuar nga Komuna e Mitrovicës në bashkëpunim edhe me komunat e Vushtrrisë dhe Podujevës. “Është një emocion i jashtëzakonshëm që pas një shekulli, ne bashkëkombësit e Isa Boletinit, jemi në vendin ku ai dhe bashkëluftëtarët e tij ngritën Flamurin Kombëtar që shënoi edhe fillimin e kryengritjes popullore kundër perandorisë osmane në këtë pjesë të Kosovës”, tha kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, në hapje të manifestimit.
Në vazhdim, ai theksoi se ky manifestim përkon edhe me 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe për të qenë edhe më madhështor, ky përvjetor po shënohet në Kosovën e lirë dhe të pavarur, që ishte amanet i Isa Boletinit dhe bashkëluftëtarëve të tij.
Ai potencoi se zjarrit të lirisë i dhanë flakë edhe një herë në fund të shekullit të kaluar djemtë dhe vajzat e rreshtuara në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës duke ndjekur rrugën e nisur nga Komandanti Legjendar, Adem Jashari. “Sakrifica e tij bashkoi shqiptarët si asnjëherë më parë drejt plotësimit të amanetit të të parëve”.
Kastrati potencoi se përmasat e kësaj ngjarjeje që po shënohet sot dhe atyre që sendërtuan atë, janë të mëdha sa vetë Shqipëria.
“Isa Boletini me flamurin e pavarësisë rrugëtoi nga pika më veriore e trojeve shqiptare, deri në Vlorë, në skajin jugor të këtyre trojeve. Kjo është simbolika e vërtetë e atij momenti historik”.
Për figurën e Isa Boletinit ka folur edhe simboli i qëndresës, Adem Demaçi si dhe historianë nga Shqipëria dhe Kosova.
Manifestimin e bëri edhe më madhështor Ansambli i Këngëve dhe Valleve të Mitrovicës me një program të pasur, kurse për nder të kësaj ngjarje u zbulua pllaka që shënon 30 qershorin e vitit 1912. /Telegrafi/