Bukoshi e Haraqija lirohen nga detyrat në Qeveri
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka pranuar të hënën zyrtarisht kërkesën për lirimin nga detyra të zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Bujar Bukoshi dhe lirimin nga detyra të zëvendësministrit të Ministrisë së Financave, Astrit Haraqija deri në përfundimin e procesit gjyqësor.“Zëvendëskryeministri Bukoshi dhe zëvendësministri Haraqija këtë akt e kanë bërë për hir të respektimit të procedurave ligjore, që po zhvillohen ndaj tyre dhe me qëllim të krijimit të hapësirës për organet e drejtësisë për të kryer misionin e tyre”, thuhet në një komunikatë për medie të Kryeministrisë.
“Bukoshi dhe Haraqija theksojnë se do të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë, të bindur në pafajësinë e tyre. Po ashtu, ata potencojnë se si përfaqësues të Listës Ibrahim Rugova, do të mbesin partnerë koalicioni në Qeverinë e Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në komunikatë.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka treguar mirëkuptim ndaj këtij akti moral dhe juridik të dy zyrtareve. “Duke e falënderuar z.Bukoshi dhe z.Haraqija për punën e tyre në Qeveri, kryeministri Thaçi nga sot i liron ata nga detyrat që i kanë ushtruar deri më tani”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se partneriteti me Listën Ibrahim Rugova do të vazhdojë si në planin qeverisës, po ashtu edhe në atë politik. /Telegrafi/