Gjendja e pandryshuar në veri të Kosovës
Gati një vit kur Qeveria e Kosovës ndërmori operacionin në veri të Kosovës për futjen nën kontroll të vendkalimeve kufitare 1 dhe 31, gjendja në atë pjesë të vendit nuk ka ndryshuar, thonë autoritetet e rendit. Zyrtarët doganorë tregojnë se kontrabanda me mallra në veri të Kosovës po vazhdon, por jo në nivelin që ishte kohë më parë.
Drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, në një prononcim për “Radion Evropa e Lirë” tregoi se problemet në atë pjesë të Kosovës ende ekzistojnë. Por, siç thotë ai, kontrabanda pikat kufitare 1 dhe 31 është në pikën zero.
“Ajo që neve na shqetëson është se akoma kemi hyrje të mallrave ilegale përmes disa vendkalimeve kufitare të cilat nuk mund t’i kontrollojmë. Është jashtëzakonisht e vështirë të japim një vlerësim për humbjet, për vetë faktin se janë ilegale. Ne, nuk kemi një analizë të saktë se çka po hyn dhe çka po del, por vlerësohet se janë shumë më të vogla sesa ato që ishin në kohën kur kontrabandistët shfrytëzonin dy vendkalimet kufitare dhe nuk i përgjigjeshin kërkesave të EULEX-it që ata të lajmëroheshin në terminalin në jug”, tha Huruglica.
Mungesa e zbatimit të ligjit në veri të Kosovës dhe konfiguracioni i kufirit të Kosovës më Serbinë, bën që kontrabanda të mos ndalet në mënyrën e duhur, thotë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti. Megjithatë, edhe Hoti konsideron se me një kontroll më të madh të policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it, janë zbehur aktivitetet e kontrabandës.
“Zakonisht mallrat të cilat janë me vlerë, mallrat të cilat janë në përdorim, si derivatet e naftës, mallrat e tjera me vlerë të cilat i shmangen taksave doganore apo akcizave të ndryshme, janë ato mallra të cilat futen në Kosovës, përfshirë këtu edhe barnat”, tha Hoti.
Aktualisht në brezin kufitar në veri të Kosovës qëndron Polica e Kosovës, Doganat e Kosovës, policia e EULEX-it dhe KFOR-i. Por, përgjegjësinë kryesore e kanë EULEX-i dhe KFOR-i.
Huruglica thekson se edhe pse aktualisht nuk ka një siguri të duhur për doganierët kosovarë, optimizmi ekziston se në ditët në vijim. me një përkushtim më të madhe të institucioneve të vendit, gjendja në veri të shkojë drejt një përmirësimi më të madh.
Ndryshe, analistët politikë kanë konstatuar së fundmi se kërcënimet e njëpasnjëshme, si krimi i organizuar dhe kontrabanda, por edhe kalimet e kufijve pa lejen e autoriteteve të vendit. po e cenojnë në mënyrë permanente shtetin e Kosovës.
Hoti thotë se gjendja në veri të Kosovës aktualisht është e qetë, por se në vazhdimësi, çdo veprim i autoriteteve të Kosovës. vazhdon te kundërshtohet nga strukturat ilegale atje.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pas aksionit të policisë të datës 25 korrik të vitit në kaluar në veri, kishte përsëritur se veprimet e qeverisë për vënien nën kontroll të vendkalimeve kufitare 1 dhe 31 kanë qenë veprime kushtetuese, ligjore dhe legale. Ai po ashtu pati theksuar se institucionet e Kosovës nuk mund të qëndrojnë indiferente dhe të tolerojnë mosrespektimin e ligjit në një pjesë të territorit të saj. /Telegrafi/