LDK kundër hetimit të SHIK-ut

10:05 / 3.08.2012
Grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) duket se nuk është i interesuar që të zbardhet e kaluara e ish-Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK) dhe shërbimeve të tjera paralele. Pavarësisht se drejtuesit e partisë së Isa Mustafës disa herë kanë akuzuar SHIK-un për veprimtari të kundërligjshme, ligjvënësit nga ky subjekt politik nuk janë duke e mbështetur iniciativën për hetimin e kësaj organizate.

Iniciativa për hetimin e Shërbimit Informativ të Kosovës, që nuk ka gjetur përkrahjen e deputetëve të partisë më të madhe opozitare në vend, është nisur nga deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, ndërsa është vazhduar nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Florin Krasniqi.

Ky i fundit thotë se nismën për krijimin e komisionit për hetimin e SHIK-ut e kanë mbështetur vetëm njëzet e shtatë deputetë, ndërkaq, do të duheshin dyzet e një nënshkrime për t’ia arritur qëllimit, shkruan “Zëri”.

“E kemi nënshkruar ne të Vetëvendosjes, deputetët e AAK-së me përjashtim të Blerim Shalës dhe Ramiz Kelmendit, që trishtohen prej SHIK-ut. Janë vetëm dy të LDK-së, Sali Asllanaj, Lutfi Haziri dhe sy të AKR-së, Suzan Novoberdali dhe Emin Gërbeshi. Unë jam i shokuar, LDK-ja është partia më e dëmtuar nga SHIK-u, nuk e di pse nuk po e mbështesin”, thotë Krasniqi.
Por, drejtuesit e LDK-së mohojnë se nuk janë të interesuar që të zbardhet veprimtaria e SHIK-ut, por siç thonë ata, kjo duhet të bëhet duke vepruar ligji dhe jo duke hedhur benzinë në zjarr.

“Edhe lideri ynë sapo ka kërkuar zbardhjen (e vrasjeve të anëtarëve të LDK-së), e kjo nuk iu mjafton njerëzve. Duhesh të kesh një kurajë prej budallai që të thuash se LDK-ja e paska harruar krejt dhembjen edhe krejt shkatërrimin që ia bëjnë tjetër. Ne edhe me dashtë nuk guxojmë që ta harrojmë”, thotë anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Eqrem Kryeziu.

Ai thotë se arsye pse drejtuesit e LDK-së janë kundër nënshkrimit të nismës në fjalë, është se nuk dihen motivet e iniciatorëve, përkatësisht ligjvënësve të caktuar. “Po ndodh nganjëherë në mënyrë shumë primitive po instrumentalizohen ato nismat e përbashkëta të partive opozitare, tani vetëm për qëllime të një subjekti, bile dy-tre vetave që kanë dëshirë për një karrierë me çdo kusht”, shprehet ai.

Por, krejtësisht ndryshe mendojnë analistët politikë. Ani Zogiani thotë se SHIK-u ka punuar nëpërmjet shantazheve, gjë që sipas tij, është tregues se deputetët e LDK-së mund të jenë të shantazhuar nga strukturat e këtij shërbimi.

“Ka shumë mundësi që ekziston një marrëdhënie shatanzhi. Ndryshe s’mund ta shpjegoj faktin që lideri i LDK-së në vazhdimësi është duke e atakuar SHIK-un, në anën tjetër është paradoks që mund të shpjegohet vetëm me shantazhimin e deputetëve veç e veç”, thotë Zogiani.

Ai thekson se bazuar në deklaratat e udhëheqësve të SHIK-ut, sipas të cilëve kjo organizatë ka pasur kapacitete për të punuar jashtëzakonisht shumë, është tregues se Shërbimi Informativ i Kosovës ka fuqi që t’i shantazhojë deputetët edhe kur ata janë shumicë në numër.

Ndryshe një javë më parë, mediet prezantuan një letër të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), ku flitej për vrasjet politike në Kosovën e pasluftës. Sipas EULEX-it, shumë anëtarë të LDK-së janë vrarë, vetëm pse ishin rivalë të partive të tjera politike. /Telegrafi/

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
 
 
Magazina
23:42 / 24.05.2013
David Beckham

Beckham, yll filmash?

David Beckham dëshiron të bëhet yll filmash, me ndihmën e shokut të tij Tom Cruise.
Teknologji
19:43 / 24.05.2013
Laptopët e rinj, 50 për qind jetë më të gjatë të baterisë

Laptopët e rinj, 50 për qind jetë më të gjatë të baterisë

Windows 8 nuk ka bërë shumë për t’i tërhequr njerëzit të blejnë pajisje elektronike, si laptop apo kompjuterë person...
Ekonomi
16:20 / 24.05.2013

KEK-u nuk menaxhon më asetet e distribucionit

Drejtuesit e Korporatës Energjetike të Kosovës, kanë treguar se nuk menaxhojnë më me Distrubucionit e kësaj korporate dh...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.