MD nuk i mori parasysh rekomandimet e shoqërisë civile
Forumi Këshillues i OJQ-ve për pakon Ligjore Antikorrupsion vazhdon ta mbajë qëndrimin se Ministria e Drejtësisë nuk i ka marrë parasysh rekomandimet e shoqërisë civile për pakon ligjore anti-korrupsion. Në njoftimin për media thuhet se Forumi pas analizave e sheh të arsyeshme të kontestojë edhe më tutje projekt-ligjin e miratuar nga Qeveria e Kosovës, më 7 gusht 2012.
“Qeveria e Kosovës të martën më datë 07 gusht 2012 ka miratuar projekt-ligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurive të fituara me anë te veprave penale. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka thënë se rekomandimet e shoqërisë civile janë marrë parasysh dhe janë inkorporuar në projekt-ligj. Sqarojmë opinionin publik se rekomandimet që Forumi i 10 OJQ-ve i ka paraqitur kohë më parë, nuk janë marrë parasysh dhe se ky projekt-ligj është hartuar në kundërshtim me rekomandimet tona”, thuhet në kumtesë.
Duke u bazuar në këtë fakt, Forumi ka nxjerrë këto rekomandime : “Duhet ndryshuar emri i draft-ligjit, i cili në të njëjtën kohë reflekton në fushëveprimin dhe qëllimin e këtij draft-ligji. Forumi rekomandon që kualifikimi ‘pasuritë e fituara me kryerjen e veprës penale’, të ndryshohet me ‘pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme’ (edhe për rastet kur nuk ka të bëjë me vepër penale)”.
“Pasuria e përfituar në mënyrë të paligjshme të vërtetohet nga i dyshuari, e jo sipas detyrës zyrtare. Me bartjen e barrës së provës tek të dyshuarit, do të rritej mundësia e luftimit më efikas të krimit të organizuar dhe pasurisë së paligjshme. Një përvojë e tillë çfarë rekomandon Forumi paraqitet edhe në shtetet e rajonit, si Shqipëria, Sllovenia e Bullgaria.... Ky draft-ligj do të duhej të zbatohej edhe për pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme të personave të dyshuar, të krijuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji, pra të lejohej retroaktiviteti tij”, rekomandon më tej Forumi Këshillues i OJQ-ve për pakon Ligjore Antikorrupsion.
Po ashtu sugjerohet krijimi i mekanizmave të veçantë brenda institucioneve ekzistuese (polici, prokurori, gjykata) me qëllim të zbatimit më efikas të legjislacionit të kësaj fushe.
Sipas Forumit, nëse ky ligj kalon si i tillë, nuk ndihmon në luftimin e krimit të organizuar dhe konfiskimin e pasurive të fituara në mënyrë të kundërligjshme.
“Në një formë të tillë, ky ligj do të amnistojë të gjithë personat që pas lufte e tutje kanë krijuar pasuri milionëshe nga asgjë. Pra, ky projekt-ligj më tepër shihet si legalizim i pasurive të paligjshme të krijuara deri me tani nga persona të caktuar, sidomos të nivelit të lartë politik, se sa e kundërta”, thuhet në kumtesë. /Telegrafi/