Pritje të gjata në Merdar
Vazhdojnë pritjet e gjata në pikëkalimin kufitar në Merdar në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Policia raporton se kolonat dhe pritjet e gjata me orë të tëra, janë krijuar në dalje të pikë kalimit kufitar nga Kosova në Serbi dhe se e tërë kjo ka ardhur si pasojë e neglizhencës së autoriteteve serbe.Departamenti i Policisë Kufitare, informon se edhe sot në pikëkalimin kufitar Merdar, vazhdojnë pritjet e gjata dhe krijimi i kolonave në dalje për në Serbi.
“Gjendja e tanishme (ora 12:00), pritjet janë duke u bërë me orë të tëra dhe në dalje të pikë kalimit kufitar në Merdar, nga Kosova për në Serbi kolonat janë të gjata diku nga 400-600 metra, me pritje që zgjasin me nga 3-4 orë, ndërsa në hyrje për në Republikën e Kosovës sipas informacioneve që posedon PK-ja nuk ka pritje të gjata”, njofton Policia e Kosovës.
Situata dhe arsyeja në bazë të informacioneve jo zyrtare të pranuara nga qytetarët, siç raporton PK, mbetet e njëjtë, “ku e gjithë kjo pritje bëhet nga puna e ngadalshme, neglizhenca e autoriteteve serbe”.
“Në pikëkalimet tjera kufitare qarkullimi është duke u zhvilluar normalisht pa pritje të gjata, për këtë arsye ne i sugjerojmë qytetarët nëse munden ti shfrytëzojnë për qarkullim pikëkalimet tjera kufitare dhe ti shmangen pritjeve në Merdar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës. /Telegrafi/