Jahjaga e Thaçi u takuan me Ban Ki-Moon

22:09 / 23.09.2012

(E plotësuar) Në kuadër të vizitës në New York, delegacioni i Kosovës, i kryesuar nga presidentja Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi, u prit sot në selinë e Kombeve të Bashkuara nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, i cili tha se për Kosovën është me rëndësi ruajtja e stabilitetit dhe theksoi se të gjitha çështjet duhet të zgjidhen në mënyrë të qetë dhe paqësore.

Gjatë takimit presidentja Jahjaga ka folur për përmbylljen e fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, duke thënë se institucionet e Kosovës kanë marrë përgjegjësitë e plota duke siguruar, njëkohësisht, se parimet themelore të përcaktuara me Kushtetutë dhe me Deklaratën e Pavarësisë do të zbatohen për të gjitha komunitetet.

Ajo tha se Kosova ka hapur një kapitull të ri si kontribuuese për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Sipas njoftimit të lëshuar nga presidenca, Jahjaga ka theksuar se Kosova ka vizionin për një Ballkan demokratik, paqësor dhe të përparuar dhe se kjo mund të arrihet përmes integrimit në strukturat euro-atlantike, si një e ardhme e përbashkët e të gjitha vendeve të Ballkanit, që do të siguronte paqen në rajon.

Duke folur për dialogun me Serbinë, Jahjaga ka theksuar se dialogu nuk është rruga më e mirë, por është rruga e vetme për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe për të vendosur politikat e fqinjësisë së mirë si një parakusht për integrim në BE.

Ajo tha Republika e Serbisë duhet të zbatojë marrëveshjet e arritura në Bruksel që do të mundësonte vazhdimin e procesit të dialogut për çështjet teknike të interesit të përbashkët.

Jahjaga tha se strukturat ilegale dhe kriminale serbe, të mbështetura nga institucionet e Serbisë, po mbajnë peng qytetarët serbë në veri të Kosovës po e shkelin integritetin territorial të vendit.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-Moon tha se për Kosovën është me rëndësi ruajtja e stabilitetit dhe theksoi se të gjitha çështjet duhet të zgjidhen në mënyrë të qetë dhe paqësore.

Ban Ki- Moon tha se i gjithë rajoni duhet të shikojë kah integrimet euroatlantike dhe të punojë më shumë në ruajtjen e stabilitetit dhe të paqes dhe vlerësoi rolin që po luan BE-ja në gjithë rajonin e Ballkanit.

Sipas njoftimi, delegacioni i Republikës së Kosovës, i cili është duke përcjellë punimet e Asamblesë së Përgjithshme, në takim me sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së. përbehej edhe nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, si edhe konsulli Republikës së Kosovës në New York, Bekim Sejdiu. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.