Ahtisaari: Serbia jo në BE, pa e njohur Kosovën
Ambasadori jorezident i Republikës së Kosovës në Finlandë, Lulzim Peci është takuar të mërkurën me ish-presidentin e Republikës së Finlandës dhe ndërmjetësuesin e OKB-së për Kosovën, Martti Ahtisaarin, ndërsa ky i fundit ka thënë se Serbia nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian pa a njohur Kosovën. Ambasadori Peci fillimisht e informoi presidentin Ahtisaari për zhvillimet e fundit rreth dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njohjet ndërkombëtare dhe progresin e gjithëmbarshëm të Kosovës.
“Presidenti Ahtisaari shprehu përkrahjen e tij të pa rezervë për Kosovën dhe theksoi se Serbia nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian pa a njohur Kosovën”, thuhet në kumtesën e MPJ-së.
Në vazhdim, ambasadori e informoi presidentin Ahtisaari për agjendën e politikës së jashtme të Kosovës për vitin e ardhshëm, dhe sfidat me të cilat mund të ballafaqohet në realizimin e saj.
Presidenti Ahtisaari i uroi Kosovës anëtarësimin në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe e përkrahu agjendën e saj për integrim në organizatat ndërkombëtare.
Ahtisaari rikonfirmoi mbështetjen e tij të plotë për Kosovën dhe forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtarë. /Telegrafi