Idriz Balaj kërkon lirim me kusht ose falje

17:42 / 14.12.2012

Avokati i Idriz Balajt, Teki Bokshi, ka dorëzuar, këtë javë, në panelin për lirim me kusht në Ministrinë e Drejtësisë, kërkesën për lirim me kusht të klientit të tij. Ai i ka dorëzuar, gjithashtu, një lutje presidentes së vendit, Atifete Jahjaga, për faljen e Balajt.

Pas lirimit nga akuzat për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Luftën në Ish-Jugosllavi, Balaj nuk u la i lirë, por u transferua në Dubravë për ta vazhduar dënimin e shqiptuar më herët nga një gjykatë kosovare.

Balaj ishte dënuar, në vitin 2002, nga Gjykata e Qarkut në Pejë, për tri vepra penale, të kryera pas mbarimit të luftës. Në dhjetor 2003, Gjykata Supreme ia zbret dënimin në 13 vjet. Ai ishte paraburgosur më 18 qershor 2002, ndërsa mbeti në vuajte të dënimit në Burgun e Dubravës, deri me 9 mars 2005, kur u transferua në Hagë, pasi ICTY inicioi procedurë penale.

Avokati Teki Bokshi ka bërë të ditur për “Gazetën jeta në Kosovë” dorëzimin e dy kërkesave, njëra në Ministrinë e Drejtësisë dhe tjetra në Zyrën e Presidentes.

Ai është shprehur optimist se në rrethanat që janë krijuar, Balaj do të mund të lirohet me kusht, pasi ai tashmë ka kryer 4/5 e dënimit.

“Koha kur u mbajt gjykimi në Kosovë ishte kohë e pasluftës, kur sistemi i jurisprudencës në Kosovë ishte në themelim, ashtu që nga pozita e sotme ishte e kuptueshme se gabime kanë mundur që të ndodhin, posaçërisht kur të kihen parasysh lëshimet e gjyqtarëve të UNMIK-ut”, thuhet në lutjen, të cilën e ka siguruar “Gazeta Jeta në Kosovë”.

Bokshi konsideron se ndaj klientit të tij është bërë “padrejtësi e thellë”, pasi pafajësinë e Balajt e ka vërtetuar edhe Tribunali i Hagës, andaj i drejtohet presidentes së Republikës se me aprovimin e kësaj lutjeje sado-kudo do ta zbusë këtë padrejtësi.

Pasi që sipas apelit të Prokurorisë së Tribunalit në një pjesë Aktgjykimi i shkallës së parë është kthyer në rishqyrtim me dt. 21 korrik 2010, rigjykimi është rifilluar dhe përfundimisht me aktgjykimin e publikuar me dt. 29. nëntor 2012, të akuzuarit janë liruar nga të gjitha akuzat.

Në lutjen për falje drejtuar presidentes Jahjaga, mes tjerash thuhet se i gjykuari Idriz Balaj e ka të qartë se Aktgjykimi i Gjykatës së Qarkut në Pejë i datës 17 dhjetor 2002 dhe i Gjykatës Supreme të Kosovës i datës 1 dhjetor 2003, janë të plotfuqishme. Por, pas nxjerrjes së aktgjykimit lirues nga ICTY, shumë seriozisht vihet në dyshim drejtshmëria dhe korrektësia e Aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut në Pejë dhe Gjykatës Supreme të Kosovës.

“Në procedurën e zhvilluar në Kosovë kualifikimi i veprimeve është bërë me dispozita që ishin të aplikueshme në Kosovë në atë kohë, se veprimet faktike pak sa ndryshojnë, por në Tribunalin e Hagës për Krime të luftës në ish Jugosllavi ato veprime nuk janë trajtuar fare, nga se po të ishin krime ato do të trajtoheshin si të tilla edhe në Tribunal”, thekson avokati Teki Bokshi. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.