Veseli: “Lista sekrete” nuk e ndihmon askënd!

18:24 / 21.12.2012

Derisa janë duke u numëruar votat e delegatëve që zgjedhin Këshillin Drejtues të Degës së PDK-së në Prishtinë, njëri prej pretendentëve për ta marrë postin e kreut të saj, Shemsi Veseli, e ka cilësuar “perfekt” procesin zgjedhor në aspektin procedural, ndërkohë që ka hedhur dyshime për qarkullimin e një “liste sekrete” para nisjes së votimit, ditën e djeshme. Veseli ka deklaruar për Telegrafin se lista që thuhet se është përgatitur nga përkrahësit e Memli Krasniqit, është një metodë jo e ndershme përjashtuese brenda strukturave partiake.

“Nga ajo që po përflitet nëpër media vërehet se ajo ishte një përpjekje për të ndikuar njëanshëm në organogramin e këtij procesi zgjedhor. Por, çfarëdo që të kenë qenë qëllimet, prapëseprapë gjatë numërimit të votave, deri në këto momente, kandidati Memli Krasniqi nuk ka marrë më shumë vota se unë dhe Lirak Çelaj”, ka thënë Krasniqi për Telegrafin.

Në prag të takimit të Kuvendit Zgjedhor të Degës së PDK-së në Prishtinë, siç raportonte portali “Lajme Shqip”, ishte shpërndarë një listë së cilës i prinë kandidati për kryetar të degës, Memli Krasniqi, e cila vlerësohej se ishte përgatitur për të ndikuar te delegatët e kësaj dege që të votojnë për emrat e preferuar nga ai.

Në këtë listë thuhet se janë renditur emrat e personave që preferoheshin për t’u zgjedhur anëtarë të Këshillit Drejtues të Degës së PDK-së në Prishtinë, e që besohet se janë të preferuarit e kreut të partisë Hashim Thaçi. Ka pasur pretendime se shefi partiak e mbështet Memli Krasniqin, por gjatë një deklarimi publik Thaçi ka thënë se askush nuk duhet të llogarisë mbështetjen e tij në këtë garë.

Ndërkohë, Shemsi Veseli ka vlerësuar se procesi zgjedhor në aspektin procedural ka qenë shumë i rregullt, dhe për këtë ka thënë se duhet falënderuar kandidatët Krasniqi e Çelaj, dhe sidomos kryetarin e deritashëm të degës, Ramadan Avdiu.

Pas zgjedhjes së Këshillit Drejtues të Degës, pritet të formohet Kryesia e partisë e cila më pas e zgjedhë kryetarin. Veseli ka thënë se nuk është e sigurt se sa kohë do të marrë kjo, por ka mundësi që të zgjasë deri në janarin e vitit të ardhshëm. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.