Dhuratat e deklaruara: Veturë, harta, vazo, kafe, verë...

17:46 / 23.12.2012

Të gjithë zyrtarët e lartë publikë kanë deklaruar se kanë pranuar 86 dhurata brenda një viti. Asnjë prej tyre nuk është deputet i Kuvendit Kosovës. Kryeministri Thaçi ka pranuar vetëm një dhuratë rasti e cila nuk bëhet publike. Komuna e Skenderajt ka pranuar kamionë, autobus dhe veturë si dhuratë. Disa të tjerë pranuan libra, veshje, verë, vazo e kafe. Agjencioni Kundër Korrupsion evidenton të gjitha dhuratat në një regjistër i cili del se shpesh nuk mbushet siç kërkohet.

Zëvendës-Kryeministri i Parë i Kosovës, Behxhet Pacolli, ka deklaruar vetëm një dhuratë në Agjensionin Kundër-Korrupsion të cilën ia kishte dhënë në dhjetor 2011 Presidenti - tashmë i ndjerë i Ganës - John Evans Atta Mills. Dhe, ai e kishte bërë këtë vetëm kur kjo i është kërkuar dy muaj e gjysmë më parë nga Agjencioni Kundër-Korrupsion (AKK).

Sipas një korrespondence në mes të zyrës së Zëvendës-Kryeministrit dhe AKK-së, të siguruar nga “Gazeta Jeta në Kosovë”, Pacollit i kërkohet të deklarojë dhuratën e marrë në New York nga Presidenti ganez.

“Më 30 mars 2012 na keni njoftuar se nuk keni pranuar asnjë dhuratë. Kemi njohuri se më 1 dhjetor 2011 zëvendëskryeministri Pacolli ka pranuar dhuratë gjatë vizitës në konsullatën e Ganës në New York”, i është drejtuar Enis Sadiku, zyrtar për dhurata në AKK, zyrës së Pacollit, më 6 shtator 2012.

Arbër Geci, këshilltar i lartë politik i Pacollit, fillimisht i ishte përgjigjur, po atë ditë, duke kërkuar sqarime se “për çfarë dhurate bëhet fjalë”. Më pas Geci i shkruan përsëri AKK-së duke i thënë: “Më vjen keq që burim të informacionit i keni mediat… Ju lutem më shkruani prapë se për çfarë dhurate bëhet fjalë”.

Në emër të AKK-së, Sadiku përgjigjet prapë me e-mail duke i kujtuar Gecit se deklarimi i pasurisë është obligim ligjor dhe se duan të dinë nëse është pranuar dhurata dhe e çfarë lloji është ajo. Gjashtë ditë më vonë, Jetlir Zyberaj, këshilltar i zëvendëskryeministrit Pacolli, jep përgjigje zyrtare në emër të Pacollit për dhuratën, vlerën e së cilës e ndryshon më vonë.

“Zëvendëskryeministri Pacolli ka marrë nga Presidenti (John Evans Atta) Mills një hartë të Republikës së Ganës... Afërsisht çmimi i asaj dhurate sillet 105 euro dhe prandaj nuk e kemi deklaruar”.

Në një e-mail të radhës Zyebraj thotë se vlera e hartës është 15 euro dhe se “për shkak të ngutisë” kishte bërë gabim në përgjigjen e parë.

Në regjistrin e dhuratave që posedon gazeta kjo dhuratë nuk është deklaruar me formën e veçantë siç kërkohet me ligj. “Gazeta Jeta në Kosovë” i ka dërguar pyetje zyrës së zëvendëskryeministrit, por përgjigje nuk ka marrë për mese një javë.

Nga të gjithë zyrtarët e lartë publikë të cilët janë të obliguar të deklarojnë pranimin e çdo dhurate, janë paraqitur vetëm 86 sosh gjatë vitit 2011.

Autobus, kamionë, veturë, verë, kafe, mbushës telefoni, veshmbathje, piktura, vazo, mirënjohje, kimikë, libra, suvenire, medalje, monedha antike, pjata dekorative, shkrepëse dhe teknikë elektronike janë dhuratat e pranuara e të deklaruara nga zyrtarët e lartë publikë. Vetëm 12 institucione të Republikës së Kosovës kanë pranuar se kanë marrë dhurata gjatë vitit 2011. Disa prej tyre janë Presidenca, Zyra e Kryeministrit, Ministria e Punëve të Brendshme, e Jashtme dhe ajo e Integrimeve, Gjykata Kushtetuese, Avokati i Popullit, Trusti Pensional, Komuna e Skenderajt.

Këto dhurata janë paraqitur në Agjencionin Kundër Korrupsion për të përmbushur obligimin ligjor të deklarimit të dhuratave të pranuara, i cili buron nga ligji për deklarimin e pasurisë dhe kontrollimin e dhuratave.

“Menjëherë pas pranimit, ose pas kthimit në vend, zyrtari duhet të paraqesë dhuratën”, thuhet në paragrafin 5 të nenit 11 të këtij ligji.

Bazuar në këtë ligj, AKK dhe secili institucion duhet të evidentojë dhuratat e pranuara në katalogun e dhuratave.

Nga të dhënat e siguruara nga “Gazeta Jeta në Kosovë”, del se kryeministri Hashim Thaçi ka pranuar më së paku dhurata - vetëm “një dhuratë të rastit”. AKK dhe Zyra e Kryeministrit nuk kanë dhënë informacione se për çfarë dhurate saktësisht bëhet fjalë dhe vlerën monetare të saj.

Ndërsa, Komuna e Skenderajt gjatë vitit 2010 dhe 2011 ka pranuar dhuratat me vlerën monetare më të madhe. Dy kamionë në vlerë prej 6,850 dhe 18, 570 euro, një veturë Shkoda 3,200 euro dhe një autobus Volvo 7500 euro janë disa prej dhuratave që ka pranuar kjo komunë.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka deklaruar gjatë vitit 2011 pranimin e 16 dhuratave, bazuar në të dhënat e AKK-së. Dhuratat që ka pranuar presidentja janë vazo, një flutur e bronztë, pllaka, libra e mirënjohje.

“Në pjesën e parë të këtij viti janë dorëzuar në Agjensionin Anti-Korrupsion katalogët e dhuratave të pranuara nga Zyra e Presidentes për vitin 2011”, thuhet në përgjigjen e Presidencës.

As Zyra e Presidentes nuk ka lëshuar vlerë monetare të tyre.

Numrin më të madh të dhuratave nga të gjitha institucionet e ka paraqitur Trusti Pensional i Kosovës, që ka pranuar 27 dhurata. Ndërsa Agjensionit Kosovar të Pronës (AKP) i është dhuruar verë, kafe dhe libra.

Pesë të punësuar në Agjensionin Kosovar për Forenzikë e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë pranuar gardërobë. Zyrtarët e MBP-së nuk kanë paraqitur vlerën e dhuratave.

Kuvendi i Kosovës i përbërë nga 120 deputetë është një prej tetëmbëdhjetë institucioneve të cilat kanë deklaruar në AKK se nuk kanë pranuar fare dhurata. Parlamenti i Kosovës nuk ka dhënë përgjigje nëse mbajnë regjistër të dhuratave siç kërkohet me ligj dhe nëse ndonjë deputet ka deklaruar brenda këtij institucioni pranimin e ndonjë dhurate.

Prej ministrive, ato të cilat kanë deklaruar se nuk kanë pranuar asnjë dhuratë janë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, e Zhvillimit Ekonomik, e Tregtisë dhe Industrisë dhe e Diasporës.

Organi Shqyrtues i Prokurimit, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale dhe Zyra Rregullatore për Ujësjellës dhe Mbeturina, gjithashtu kanë deklaruar se nuk kanë pranuar ndonjë dhuratë.

Në anën tjetër, gazeta ka gjetur se ka institucione që ende nuk kanë caktuar zyrtarin përgjegjës për regjistrimin e dhuratave ashtu siç kërkohet me ligj.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, i cili nuk ka pranuar asnjë dhuratë, nuk ka zyrtar që merret me regjistrimin e dhuratave brenda institucionit, sipas Aishe Qorrajt, zyrtare për informim në KGJK.

Tek deklarimi i dhuratave të komunave, “Gazeta Jeta në Kosovë” ka vërejtur mospërputhje në të dhënat që posedon AKK. Regjistri i dhuratave dhe të dhënat e dërguara me e-mail nga AKK-ja janë të ndryshme. Për shembull, në përgjigjen e AKK-së jepen dy përgjigje kundërthënëse. Aty thuhet se janë gjashtë komuna të cilat kanë deklaruar se nuk kanë pranuar dhurata, si Komuna e Gllogocit, e Lipjanit, e Suharekës, e Kamenicës, e Pejës dhe e Skenderajt. Por, në të njëjtën përgjigje, komuna e Skenderajt listohet së bashku më komunën e Prishtinës dhe të Graçanicës si institucione që kanë pranuar dhurata.

Në regjistrin të cilin e posedon “Gazeta Jeta në Kosovë”, del se komuna e Skenderajt ka deklaruar dhurata në vitin 2010 dhe në vitin 2011.

Marrë së bashku, prej 37 komunave që është dashur të deklarohen nëse kanë pranuar ndonjë dhuratë, vetëm tetë prej tyre kanë bërë një gjë të tillë. Ndërsa, prej të gjitha gjykatave të të gjitha niveleve vetëm tri gjykata kanë deklaruar se nuk kanë pranuar dhurata, përkatësisht gjykata komunale e Lipjanit, Ferizajt dhe dega e saj në Shtërpcë.

Bazuar në ligjin për deklarimin e dhuratave “institucionet publike që janë të obliguara të mbajnë regjistër të dhuratave duhet t’i dërgojnë në Agjenci kopjet e regjistrave…”. Në bazë të ligjit për deklarimin e dhuratave, institucionet publike janë të obliguara që të dërgojnë një kopje të regjistrave të dhuratave në AKK. Regjistri i AKK-së të cilin e posedon gazeta nuk përmban të gjitha informacionet për dhuratat të cilat AKK i ka përmendur përmes postës elektronike. Ai përbëhet nga katalogu i dhuratave të cilat janë forma të veçanta të deklarimit të dhuratës të cilat duhet të plotësohen në tërësi.

Në rastin e Pacollit marrja e hartës nga presidenti i Ganës është deklaruar vetëm përmes e-mailit, pa plotësuar katalogun e dhuratave.

Vlera e dhuratave, edhe pse e kërkuar me formën për deklarimin e pasurisë, nga disa institucione si Presidenca, Kryeministria dhe Agjencia Kosovare për Forenzikë, nuk është plotësuar fare. E në disa raste në regjistër mungojnë të dhënat dhe nënshkrimi i personit që evidenton deklarimin e dhuratës. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.