Selimi: Gabimin do ta paguaj

16:55 / 27.12.2012

E plotësuar - Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi ka theksuar për Telegrafin se ajo që Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) e quan si konflikt interesi, në fakt është një gabim i tij teknik, të cilin ai duhet ta paguajë. AKK-ja ka vlerësuar se Selimi është bashkëpronar i kompanive “Surf L.L.C. shpk. dhe “Smart Consulting”, por zv/ministri i Jashtëm ka theksuar se këto dy firma nuk janë funksionale për 2-3 vjet, por problemi qëndron se ka mbetur nënshkrimi i tij si bashkëpronar.

 

“Firmat nuk janë funksionale, por kam mbetur pa e tërhequr nënshkrimin, sepse ka pasur shumë ortakë që kanë qenë të shpërndarë. Është gabimi im, që duhet ta paguaj”, ka thënë Selimi për Telegrafin.  

Në një komunikatë AKK-ja ka njoftuar se më 28.02.2012, zyrtarit të lartë Selimi i është bërë shkresa me parë njoftuese me të cilën Agjencia ka njoftuar atë se ka filluar hetimin lidhur me dyshimin e bazuar për situatën e Konflikt Interesi në Ushtrimin e Funksionit Publik.

“Edhe përkundër afatit të dhënë ligjor nga Agjencia, Zyrtari I Lartë nuk ka ndërmarr asnjë veprim që të parandaloj dhe të shmangë këtë situatë, prandaj me datën 05.09.2012, i është bërë shkresa e dytë që quhet “Njoftim paralajmërues” me të cilën nga Zyrtari I lartë është kërkuar që brenda afatit të dhënë ligjor të ndryshoi këtë gjendje. Pas shkresës sonë të dytë zyrtari I lartë, Selimi, ka kthyer një shkresë zyrtare Agjencisë në të cilën ka premtuar se brenda afatit të shkurtë do të bëjë ndryshimet e nevojshme. Por, më pastaj Selimi nuk është përgjigjur me asnjë veprim konkret të bërë, për të ndryshuar situatën  me konflikt interesi, në ushtrimin e funksionit të tij publik”, thuhet në njoftimin e AKK-së.  /Telegrafi/

 

----------------------------------------------------

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi është në konflikt interesi, ka konstatuar Agjencia Kundër Korrupsion (AKK), prandaj kundër tij mund të inicohet procedurë gjyqësore. 

Agjencia e mori këtë vendim pasi që, sipas saj, ekziston konflikti i interesit në rastin e zëvendësministrit Selimi, transmeton Koha.net.

Ky konstatim ka dalë sipas provave zyrtare që janë marrë nga ARBK, që konstatojnë se Petrit Selimi është bashkëpronar në dy biznese, “Surf L.L.C sh.p.k dhe “Smart Consulting” sh.p.k, gjë që paraqet konflikt interesi me funksionin e tij publik. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.