Kosova e vitit 2012

17:02 / 31.12.2012

Viti 2012 do shënohet në kalendarin e shtetit të Kosovës si vit i përmbylljes së mbikëqyrjes ndërkombëtare. Shteti më i ri evropian mori 12 njohje të reja. Po gjatë këtij viti, edhe zyrtarisht Kosova nisi takimet në nivel të kryeministrave me Serbinë. Nga Bashkimi Evropian, Kosovës iu premtua edhe njëherë perspektiva evropiane dhe liberalizimi i vizave, por pasi t’i ketë plotësuar kriteret e parapara me standardet evropiane.

Protesta e Vetëvendosjes

Vlimet politike dhe pakënaqësitë me procesin e bisedimeve me Serbinë sollën deri te përplasjet serioze të Policisë së Kosovës me aktivistët dhe zyrtarët më të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje në afërsi të Merdares gjatë një proteste ku kjo parti politike e udhëhequr nga Albin Kurti po synonte të vendoste masa reciprociteti me Serbinë dhe ndalonte produktet e këtij vendi në Kosovë.
Policia ndërhyri mjaft ashpër. Dhjetëra të lënduar e të arrestuar, duke mos i kursyer as deputetët, ishte bilanci i protestës së 14 janarit. Lideri i Vetëvendosjes shprehej i gatshëm që protestat të vazhdonin.
Protestat e Vetëvendosjes u përsëritën edhe më 22 janar. por nuk e vendosën reciprocitetin me Serbinë.
Kryeministri Hashim Thaçi, i kishte cilësuar veprimet e Vetëvendosjes si përpjekje për të përsëritur ngjarjet e përgjakshme të janarit të Tiranës edhe në Prishtinë.


Fusnota

Vetëvendosje ishte subjekti politik që kundërshtoi më së shumti dialogun Prishtinë – Beograd. Si rezultat i këtij dialogu, Kosova kishte pranuar marrëveshjen për fusnotën e cila në formë ylli vendosej pranë emrit të saj gjatë prezantimeve në nisma e konferenca rajonale e që më pas u bë praktikë për të gjitha forumet e mekanizmat ndërkombëtar. Ish-kryenegociatorja Edita Tahiri e kishte cilësuar këtë fusnotë si një fjollë bore që do të shkrihet.

Tragjedia në Restelicë

Dimri dhe acari i vitit 2012 nuk mbahet mend për shkrirjen e fusnotës sa mbahet mend për ortekun në fshatin Restelicë të Dragashit nga i cili më 11 shkurt, humbën jetën 9 pjesëtarë të familjes Reka, përderisa e ngujuar në borë e vetmja që i shpëtoi këtij orteku ishte vogëlushja Asmira Reka, 5 vjeç.
Tragjedia u përcoll me dhimbje në mbarë Kosovën. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga shpalli ditën e hënë, datë 13 shkurt, ditë zie shtetërore, në nderim të anëtarëve të familjeve Reka, që pësuan në kjo fatkeqësi.
Pas dimrit dhe acarit, pranvera i solli Kosovës premtimet e Bashkimit Evropian për perspektivën e saj evropiane. Shpërblimi i Brukselit, pasoi gatishmërinë e Prishtinës zyrtare për bisedime politike me Serbinë.

Studimi i Fizibilitetit

Ishte vetë Komisionari Stefan Fule ai i cili langoi studimin e Fizibilitetit për Kosovën si hap i parë drejt negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, proces ky që mbetet në vijim edhe për vitin 2013.
“Jam i lumtur që këtë herë nuk erdha në Prishtinë duarthatë. Kësaj radhe lansuam fillimin e studimit të fizibilitetit për Kosovën, si një proces që qon kah negociatat për marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit”, pati deklaruar Fyle në Prishtinë më 27 mars. Më pas, më 14 qershor, Kosova mori edhe udhërrëfyesin, por jo edhe datën e liberalizimit të vizave.


Përfundimi i mbikëqyrjes

Më 2 korrik, Grupi Drejtues Ndërkombëtar në takimin e mbajtur në Vjenë vendosi që mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës të hiqet më 10 shtator. Për nder të kësaj date, në Prishtinë u ftua edhe arkitekti i statusit të Kosovës, Martti Ahtisaari dhe personalitete tjera ndërkombëtare.
“Kur e pata propozuar planin e kam ditur se do të jetë një rrugëtim i gjatë dhe i vështirë", ishte shprehur presidenti Ahtisaari më 10 shtator në foltoren e Kuvendit të Kosovës.

Me përmbylljen e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, Plani i Presidentit Ahtisaari në bazë të cilit edhe ishte shpallur pavarësia e Kosovës e koordinuar me SHBA-të dhe vendet më të fuqishme evropiane u vlerësua se ishte përmbushur në nivelin e kënaqshëm, ndonëse të gjithë akterët e pranuan se ky plan nuk ishte zbatuar fare në komunat veriore.
Ndonëse i dha fund mbikëqyrjes ndërkombëtare, Kosova njëherësh u pajtua t’i jap fuqi ekzekutive misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit – EULEX, me çka prania ndërkombëtare ruajti një pjesë të konsiderueshme të kompetencave në fushën e sundimit të ligjit.

Rihapja e procesit ndaj Limajt

Kompetencat e tij EULEX-i i ushtroi në disa raste. Por ai që më së shumti bëri bujë ishte rihapja e procesit ndaj nënkryetarit të PDK-së dhe deputetit Fatmir Limaj i akuzuar për dy vepra, njërën për krime lufte dhe tjetrën për korrupsion e krim të organizuar.

Procesi i gjykimit e më pas rigjykimit ndaj Limajt, sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me krimet e luftës në procesin e njohur si “Kleçka” nga ana kosovare u cilësua si proces politik, kurse nga EULEX-i si proces i vendosjes së drejtësisë.
Po në lidhje me aktakuzat për krime lufte, ky vit përmbylli edhe një proces tjetër. Por, ai nuk u zhvillua në Kosovë, por në Hagë.

Bisedimet Kosovë - Serbi

Viti 2012 sërish nuk rrumbullakoi simbolikën e 100 njohjeve të shtetit të Kosovës. Por, përfundimisht shënoi fillimin e bisedimeve Prishtinë – Beograd në nivel të kryeministrave.
Takimi i parë simbolik u mbajt më 19 tetor në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Dacic u mbajt në Bruksel nën ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton.

Procesi i bisedimeve Kosovë – Serbi mori një dimension të ri pas vizitës së së sekretares amerikane të shtetit, Hilary Clinton dhe Përfaqësueses së Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme Catherinë Ashton në Beograd dhe Prishtinë.

Mesazhet e tyre ishin të qarta – bisedime duhet të zhvilloheshin por pa prekur në sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës.
“Do të jem shumë e qartë, jo vetëm këtu në Prishtinë por për të gjithë ata që na dëgjojnë e shikojnë në rajon se Shtetet e Bashkuara janë të vendosura për integritetin dhe sovranitetin e Kosovës”, ka thënë sekretarja Clinton në Prishtinë më 31 tetor.
Ndërkaq Catherine Ashton kishte sqaruar se qëllimi i Brukselit ishte që nga këto bisedime të arrihet deri te një normalizim i marrëdhënieve Kosovë – Serbi dhe vendosje e një bashkëpunimi ndërmjet dyja vendeve.

Lirimi i Haradinajt

Tribunali i Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi më 29 nëntor, shpalli të pafajshëm Ramush Haradinajt dhe dy ish bashkëluftëtarë të tij duke i liruar ata nga të gjitha akuzat. Haradinaj u prit me ceremoni shtetërore dhe me turma njerëzish të mbledhur nëpër rrugët e Prishtinës.

“Edhe pse në një proces të gjatë unë kam jetuar me ju me vendin. Jam gëzuar për të arriturat, për fitoret. Jam mërzitur për vështirësitë, për sfidat. Por, sot jam i gëzuar që drejtësia ndërkombëtare e ka konfirmuar se rruga jonë për liri ka qenë e pastër dhe e drejtë”, ka thënë Haradinaj në paraqitjen e tij të parë në Aeroportin e Prishtinës pas kthimit nga Haga. 

IBM-ja

Nga tri takimet e zhvilluara në Bruksel ndërmjet Thacit dhe Dacic doli dakordimi i tyre për zbatimin e Marrëveshjes për Menaxhim të Integruar të Kufirit.
Kjo marrëveshje ishte cilësuar nga Hashim Thaçi si njohje e kufirit të Kosovës nga ana e Serbisë, përderisa Dacic kishte thënë se ishte arritur një marrëveshje që njeh kufirin administrativ dhe jo shtetëror të Kosovës.

100-vjetori i shtetit shqiptar

Shqiptarët anekënd botës vitin që po e lëmë pas kanë festuar 100-vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar. Liderët e Shqipërisë, Kosovës dhe të shqiptarëve të Maqedonisë në këtë 100-vjetor kanë dhënë deklaratat `zjarrta` në favor të bashkimit të kombit shqiptar në një shtet të vetëm. Për nder të kësaj feste ishin organizuar aktivitete të shumta në  Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, diasporë etj. Për ta bërë edhe më madhështorë 100-vjetorin e shtetit shqiptar, këngëtarja me famë botërore dhe me prejardhje nga Kosova, Rita Ora, ishte paraqitur në një koncert në Tiranë. 

FSK-ja bëhet me uniformë të re

Viti 2012 ishte vit i suksesshëm për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Në ditën e saj të themelimit, konkretisht më 27 nëntor pjesëtarët e FSK-së janë paraqitur me uniformë të re, e cila është unike dhe urbane. Me këtë FSK-së janë paraqitur me uniformë të re, e cila është unike dhe urbane. Me këtë uniformë pjesëtarët e FSK-së janë paraqitur në Tiranë në paradën e organizuar për nder të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Edhe në vitin 2013 FSK-ja pritet të avancohet edhe më tutje. Sipas zyrtarëve të kësaj force, në vitin 2013 FSK-ja do të jetë ushtri moderne e Kosovës.

Shqiptarët me Abetare të unifikuar

Një ngjarje e rëndësishme që ka shënuar vitin 2012, ka qenë edhe Abetarja e përbashkët Shqipëri-Kosovë. Kjo Abetare nga përfaqësuesit e Shqipërisë dhe të Kosovës është vlerësuar si realizim i një ëndrre të kombit shqiptar. Në Kosovë, Shqipëri dhe Luginë të Preshevës, tashmë fëmijët kanë filluar që hapat e parë në rrugën e dijes t`i marrin në këtë Abetare. Për përurimin e Abetares liderët shtetëror kishin zgjedhur Prizrenin si qytet historik. Abetarja e përbashkët është punë e autorëve nga të dyja shtetet: Mimoza Xhokutaj dhe Shezai Rrokaj nga Shqipëria, si dhe Saranda Pozhegu dhe Islam Krasniqi nga Kosova.

Grushtohen deputetët PDK-së me të VV-së

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës në mes të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje! Mosmarrëveshjet në mes vete deputetët e këtyre dy subjekteve politike i kanë zgjedhur me grushte. Fillimisht deputeti i PDK-së, Latif Gashi-Lata, e ka sulmuar fizikisht deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje!, Rexhep Selimin, në dalje të Kuvendit, pas mbajtjes së seancës plenare, ndërsa menjëherë ka pasuar sulmi tjetër i deputetit të Vetëvendosjes, Florin Krasniqi, ndaj deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu-Kamishi.

Avullohen 1.4 milion euro të pasaportave

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) është ballafaquar me shumë sfida dhe skandale gjatë vitit që po e lëmë pas. Në këtë ministri dyshohet se janë keqpërdorur 1.4 milionë euro, të destinuara për prodhimin e pasaportave biometrike. Mjetet për prodhimin e pasaportave ishin paraparë të shkojnë në kompaninë “Osterreichische Staatsdruckerei”. Për shkak të `avullimit` të 1.4 milionë eurove, është arrestuar shtetasja gjermane Natali Veliaj e cila po mbahet në paraburgim. Për shkak të këtij skandali, ministrit Bajram Rexhepi i është kërkuar dorëheqja, por ka thënë se nuk e ka ndërmend të dorëheqjet. Në vend të dorëheqje Rexhepi ka shkarkuar disa zyrtarë të lartë të MPB-së, por të cilët nuk kanë lidhje me këtë skandal.

Skandali “Pronto”

Një tjetër skandal, i cili e ka karakterizuar vitin që po e lëmë pas, ishte ai i përgjimeve të telefonave të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Adem Grabovcit, Vlora Çitaku dhe Sami Lushtaku. Në bisedat e tyre telefonike më i atakuari ka qenë kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi.

“Ikja e Xhabirit”

Edhe mosrespektimi i vendimit të gjykatës nga ana e ish-kryetarit të Komunës së Kaçanikut, Xhabir zharku, është konsideruar skandal, Zharku ishte dënuar me tre vjet burgim. Kjo është hera e parë kur një zyrtar i lartë publik i ikën drejtësisë. Dyshohet se Zharku ka ikur në Suedi.
Policia e Kosovës është vënë në kërkim të tij, pas fletarrestimit të cilin e ka lëshuar Gjykata Komunale në Kaçanik. Ndaj veprimit të Zharkut kanë reaguar opozita, shoqëria civile dhe zyrtarët e PDK-së, nga e cila parti vjen Zharku.

Vidhen 25 kilogramë ari në Pejë

Në Dhomën e Dëshmive në Stacionin Policor në Pejë gjatë vitit 2012 janë vjedhur mbi 25 kilogramë ari. Pas kësaj vjedhje ka pasur edhe arrestime të zyrtarëve policorë. Për këtë skandal Qeveria e Kosovës është kritikuar ashpër nga përfaqësuesit e partive opozitare dhe shoqëria civile. Pas disa muajve Inspektorati Policor i Kosovës kishte organizuar një aksion, ku kishte arrestuar disa persona në Pejë dhe kishte sekuestruar mbi 25 kilogramë ari. Ende nuk dihet nëse ari i sekuestruar është i Dhomës së Dëshmive në Stacionin Policor në Pejë./Telegrafi/

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.