Përballja e madhe

8:24 / 17.01.2013

Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic do të flasin të enjten për çështjen e veriut në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Baroneshës Catherine Ashton. Natyrisht, nuk pritet që takimi dy-tri orësh të sjellë ndonjë rezultat konkret, por dita e sotme shënon fillimin e një përpjekjeje, tashmë edhe ndërkombëtare, për zgjidhjen e këtij problemi jashtëzakonisht të madh.

Për herë të parë pas pavarësisë, udhëheqësit kosovarë dhe serbë do të flasin për problemin e Veriut të Kosovës, shkruan “Express”.

Për pjesën më problematike e Kosovës do të bisedohet sot nga dy kryeministrat – Hashim Thaçit dhe Ivica Dacicit.

Një ditë më parë, Dacic deklaroi se me Kosovën mund të flitet edhe për ulësen e Kosovës në OKB, me kushtin që edhe Kosova të jep diçka - veriun.

Por, kjo ide është hedhur poshtë nga Kryeministri i Kosovës. Hashim Thaçi ka thënë në mbledhjen e Qeverisë se Kosova do të anëtarësohet në OKB, por asnjëherë nuk do të pranojë kurrfarë autonomie për Veriun dhe as ndarje.

“Kosova me të drejtë pret që kjo marrëveshje, e cila mund të arrihet në fund të procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, duhet patjetër që t’i mundësojë Kosovës anëtarësimin në Kombet e Bashkuara dhe të gjithë mekanizmat tjerë ndërkombëtarë. Prandaj është e domosdoshme që Kosovës t’i sigurohet anëtarësimi në OKB, t’i hapet rrugë sa më e shpejtë për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian”, është shprehur Thaçi.

Megjithëkëtë, idenë e Dacicit e ka kundërshtuar edhe Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolic. Ai ka thënë se është e papranueshme për shtetin serb që Kosova të bëhet pjesë e OKB-së për faktin se ajo “pjesë është e Serbisë”.

Kryeministri i Kosovës ka thënë se në takimin e së mërkurës do të flasë me Dacicin në prani të Baroneshës Ashton vetëm në atë që e parasheh Kushtetuta dhe Pakoja e Ahtisaarit.

Ai ka thënë se në Bruksel do të flitet vetëm për shuarja e strukturave paralele atje dhe vendosjen e institucioneve demokratike, të cilat do të punojnë në kuadër të sistemit kushtetues e juridik të Kosovës.

“Në asnjë mënyrë nuk do të bisedoj për statusin politik. Ai është zgjidhur njëherë e përgjithmonë. Pastaj për tërësinë territoriale që është e njohur e pranuar ndërkombëtarisht, për organizimin e brendshëm të Kosovës, që është kodifikuar edhe me Propozimin Gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari, Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës”.

Ndryshe, Thaçi ka folur gjatë ditës edhe për problemet e shqiptarëve në Luginë të Preshevës për shkak të vendosjes së lapidarit të UÇPMB-së.

“Situata e krijuar së fundi në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc të tejkalohet me urtësi”, ka thënë Thaçi. Sipas kryeministrit Thaçi, në asnjë rrethanë nuk duhet të krijohen situata problematike me kosto të panevojshme.

Për këtë temë, ai ka folur edhe me ambasadorët e vendeve të Quntit-it.

“Në takimin që sot kemi pasur me bashkësinë ndërkombëtare, kemi theksuar se nuk duhet të lejohet në asnjë rrethanë ndonjë veprim aventurier i Qeverisë së Serbisë me kosto për procesin e gjithëmbarshëm. Prandaj do të ishte shumë në interes për veprime të matura, mirëkuptuese, dialoguese dhe paqësore. Dhe besojmë që kjo dhe do të ndodhë”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë, Kuvendi i Preshevës ka legalizuar lapidarin e vendosur para objektit në Preshevë. Përfaqësuesi politik i shqiptarëve në Luginë, Jonuz Musliu ka thënë se nuk do të ketë tërheqje të shqiptarëve pavarësisht kërcënimeve.

"Ashtu siç i kishte bashkuar dje Miloshevici shqiptarët e Kosovës, ashtu sot Dacici ka bashkuar shqiptarët e Luginës së Preshevës", ka deklaruar Musliu.

Ky vendim është marrë pas afatit të përcaktuar nga Kryeministri Ivica Dacic për largimin e lapidarit të ish-ushtarëve të UÇPMB-së.

Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë ka kërkuar përsëri largimin e lapidarit, duke thënë se vendosja e tij ka qenë e paligjshme.

Kjo ministri ka paraqitur padi ndaj Kryetarit të Preshevës dhe Drejtori të Administratës për mosrespektim të ligjit për vendosjen e lapidarëve. /Telegrafi/

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.