Skënderbeu s’i luftoi pushtuesit, por perandorinë që s’ishte e egër!

19:36 / 20.01.2013
Me korrigjimet e Komisionit të Ministrisë së Arsimit, Skënderbeu nuk luftoi pushtuesin, por Perandorinë Osmane. Autorët e teksteve shkollore kundërshtojnë mënyrën e korrigjimit të librave të historisë në raport me këtë Perandori, pa konsultim të tyre. Këtë veprim e cilësojnë “punë në arën e huaj”. Komisioni arsyetohet se nuk e kishte obligim që të konsultonte autorët e librave të deritashëm të historisë.

Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, heroi kombëtar i shqiptarëve, nuk luftoi “...kundër pushtuesit gjakatar osman”. Ai në librat e ri të historisë do të përshkruhet si udhëheqës që luftoi kundër një perandorie e cila nuk ishte e egër siç ishte transmetuar në librat e vjetër historik, raporton Gazeta Jeta në Kosovë.

Me ndryshimet e bëra nga Komisioni për Rishikimin e teksteve shkollore në librat klasave fillore e të mesme, prej fillimit të vitit të ri akademik, do të mësohet se “...Skënderbeu ka luftuar kundër Perandorisë Osmane”.

Tekstet janë kontrolluar një nga një e fletë për fletë, për të parë nëse ndonjë këngë, vjershë a varg, lartëson tej mase Skënderbeun në dëm të Perandorisë Osmane. Për këtë çështje, të enjten u debatua edhe në emisionin Jeta në Kosovë.

Historiani Shkelzen Raça i arsyeton ndryshimet. Në cilësinë e kryetarit të Komisionit për Korrigjimin e teksteve shkollore, ai tha se ndryshimet janë bërë në ato raste kur është vërejtur gjuhë e urrejtjes.

Por, Frashër Demaj, historian e autor i teksteve të librave të deritashëm të historisë, theksoi se korrigjimet janë bërë nga persona që nuk kanë shkruar asnjëherë tekste shkollore.

“As ju z. Raca nuk keni shkruar tekste. E si i korrigjoni tekstet e të tjerëve, madje pa i pyetur e konsultuar”, tha Demaj. “Librat janë pronë intelektuale. Me këtë keni hyrë në arën e huaj”.

Demaj tha se tekstet e historisë të ciklit parauniversitar nuk janë të përkryer, por ndryshimet nuk mund të bëhen pa bazë shkencore.

Emrat e anëtarëve të komisionit nuk u bënë të ditur asnjëherë deri kur Gazeta jeta në Kosovë publikoi për herë të parë detaje të punës së tyre në muajin dhjetor.

Avni Rexha, zyrtar i Ministrisë së Arsimit i cili në komision kishte rolin e sekretarit, tha se nuk kanë qenë të detyruar t’i njoftojnë autorët e teksteve.

“Nuk e kemi pasur obligim t’iu ftojmë”, tha ai.

Ndërkohë, Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar rekomandimet që ka bërë komisioni dhe ato në pjesë të madhe i referohen periudhës së Perandorisë Osmane në trojet shqiptare. Fjalë si “dhunë” dhe “vrasje” ishin zëvendësuar me fjalët “pushtim” dhe “burgosje.

Frashër Demaj tha se këto zëvendësime termash ndërrojnë të vërtetën historike.

“Nëse shikohet me vëmendje kryengritja e viti 1910 shihet së është djegur Kaçaniku, Ferizaj dhe i gjithë Karadaku. E si të quhet kjo? Absolutisht nuk bën të hiqet fjala dhunë” , tha Demaj.

Por, Avni Rexha nga Ministria e Arsimit tha se korrigjimet tashmë janë dërguar në instancat përkatëse.

“Divizioni i plan-programeve do ta shikojë raportin e komisionit dhe do t’i ftojë autorët e teksteve për t’i konsultuar dhe marrë vendimet e mëtutjeshme”, tha Rexha.

Korrigjimet janë bërë dy vjet pas vizitës së Kryeministrit të Turqisë në Kosovë, Recep Tayyip Erdogan. Zyrtarët turq nuk reshtën së kërkuari ndryshimet e historisë sa herë që vizitonin Kosovën. Kjo ka ndodhur edhe gjatë vizitës në Kosovë të ministrit të Punëve të Jashtme, Ahmet Davutoglu, dhe atij të arsimit, Omer Dinçer. /Telegrafi/
 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
 
 
Magazina
20:47 / 21.05.2013
George Michael, Foto: Contact Music

George Michael po shërohet pas aksidentit

Këngëtari George Michael është duke u rikuperuar mirë pas lëndimeve që pësoi javën e kaluar në një aksident komunika...
Teknologji
17:06 / 21.05.2013
Konsumatorët më pak të kënaqur me iPhone

Konsumatorët më pak të kënaqur me iPhone

American Customer Satisfaction Index thotë se Apple mbetet në krye të listës së kënaqësisë konsumatore, por kjo shkall...
Ekonomi
16:26 / 21.05.2013
Foto: Ilustrim

Disa lagje në Prishtinë pa rrymë gjatë tërë ditës

Që nga orët e hershme të mëngjesit nuk po punon një linjë e energjisë elektrike në rrugën “Mustafë Statovci” në ...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.