Deputetë të Kantonit të Cyrihut interesohen për Thaçin

11:15 / 24.01.2013

Një deputet i Partia Popullore Zvicerane (SVP-UDC) në Parlamentin e Kantonit të Cyrihut i ka bërë një pyetje jo të zakonshme Qeverisë së Kantonit. Ai dëshiron të dijë nëse ndaj ish banorit të Zvicrës, kryeministrit të sotëm të Kosovës, Hashim Thaçit, ekziston ndonjë padi penale e ngritur në Kantonin e Cyrihut.

Claudio Schmid, deputeti që ka ngritur këtë çështje, e ka bërë atë pasi që dy bashkëpartiakë të tij, deputetë në nivelin nacional, Walter Wobman dhe Sebastian Frechner e kishin bërë të njëjtën gjë në adresë të qeverisë federale. Kjo e fundit kishte theksuar se nuk është kompetente për lëndën në fjalë prandaj u kishte rekomanduar atyre që të pyesnin në nivelin e Kantonit të Cyrihut, shkruan gazeta "Aargauer Zeitung", transmeton Albinfo.ch.

Ndër pyetjet që Klaudio Schmid i drejton me këtë rast është ajo “nëse autoritetet e kantonit kishin ushtruar masa të ndjekjes penale, mes tjerash edhe kundër Thaçit?”. Këto masa, sipas tij, është dashur të merreshin sepse “Thaçi mendohet të ketë qenë i përfshirë në kontrabandën e armëve dhe në sulmet mbi caqet serbe në Jugosllavi”.
Schmid pyet më tutje “nëse kundër Thaçit në Kantonin e Cyrihut janë zhvilluar hetime për delikte që kanë të bëjnë me lëndë narkotike dhe për delikte të pasurisë dhe nëse hetimet eventuale penale ndaj tij janë iniciuar respektivisht sërish janë ndërprerë”.

Deputetit të Kantonit të Cyrihut i interesojnë edhe çështje personale të Thaçit, konstaton “Aargauer Zeitung”. Njëra nga këto është: “Përse Thaçit i ishte mundësuar të jetonte në Dietikon, përkundër faktit se atij nuk i qe lejuar asnjëherë ndërrimi i kantonit”.

Pyetjet e kësaj natyre vazhdojnë: “çfarë ka bërë saktësisht Thaçi në Universitetin e Cyrihut, pasi që rreth kësaj është spekuluar shumë në të kaluarën. Mos atij roli i studentit i ka shërbyer si maskë?”
Schmid dëshiron të dijë më tutje se kush ka qenë në atë kohë përgjegjës për regjistrimin e Thaçit në këtë universitet gjegjësisht për ndarjen e bursës për studime.

Për fund edhe kjo: “A ekziston një punim seminarik i Thaçit dhe a qëndron e dhëna se organeve policore nuk u është dorëzuar ky punim dhe përse?” Këtu përfundon seria e pyetjeve drejtuar qeverisë së kantonit të Cyrihut nga Claudio Schmid, deputeti i parlamentit të kantonit që vjen nga partia SVP-UDC.

Ndërsa në prezantimin e Thaçit nga vetë gazeta, veç tjerash shkruhet: “Hashim Thaçi, është një politikan i kontestuar jo vetëm në Kosovë. Edhe e kaluara e tij zvicerane hedh prej vitesh pyetje që kërkojnë përgjigje.

Në vitet 90 ka jetuar për disa vite rresht në Zvicër si refugjat me status të pranuar. Të shumtën e kësaj kohe ai ka qëndruar në Dietikon ku ka punuar si punëtor hekurudhe ndërsa ka qenë i regjistruar si student në Institutin e Shkencave Politike të Universitetit të Cyrihut”. /Telegrafi/

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.