"Tregtarët e organeve e mbytën nënën time”

12:15 / 30.01.2013

Zymryte Sadriu (64) nga Presheva, e cila në mes të muajit janar për pak sa nuk mbeti pa veshkë në një klinikë private maqedonase, vdiq natën e diel në Beograd. Mjekët nga Qendra Emergjente dhe Klinika për Sëmundjet Infektive në Beograd kanë luftuar për jetën e saj, thotë familja Sadriu, e cila beson se nëna e tyre është viktimë e trafikimit të organeve njerëzore dhe se ajo vdiq nga tentimet e mjekëve të klinikës maqedonase për ta heshtur këtë rast.

“Si ndryshe ta shpjegoj faktin se nëna ime u shtrua në spital për shkak të problemeve të stomakut, dhe se mjekët e kësaj klinike private kanë dashur t’ia heqin veshkën nën pretekstin e një ‘infeksioni të brendshëm’. Mjekët në Beograd kanë konstatuar se veshkat, mushkëritë dhe zemra janë në rregull, ndërsa ajo vdiq nga humbja e oksigjenit në tru”, thotë djali i të ndjerës, Kujtim Sadriu.

Në një bisedë për “Vesti”, ky shqiptar i Preshevës thotë se me rrëfimin e tij publik dëshiron të paralajmërojë për dukurinë e përhapjes së tregtisë me organe.

“Nuk kam asnjë dyshim se nëna ime ishte viktimë e tregtisë së organizuar të organeve, siç është bërë në klinikën private të Prishtinës Medicus. Kësaj mafie nuk ia ndien as për komb, e as për fe të viktimës, pos për paratë e mallkuara. Më paralajmëruan se nuk duhet të tallem me këtë mafi, por unë nuk kam frikë. Nëse më ndodh diçka, ky rrëfim do të tregojë se çfarë ka ndodhur”, thotë ky burrë, i cili me motrën dhe vëllanë punon në Gjermani e Zvicër.

“Kemi arritur ta shpëtojmë nga operacioni i panevojshëm, por atëherë jemi të ballafaquar me problemet serioze që ashiqare janë pasoja të maskimit të punës së kësaj klinike private”, thotë Sadriu.

“Një muaj më parë, nëna ime është operuar me sukses në Spitalin e Kardio-Kirurgjisë në Dedinje të Beogradit, ndërsa shërimi në Preshevë ka shkuar shumë mirë. Mirëpo, me 15 janar pasdite është ankuar për problemet e stomakut, për çka e kam dërguar në spitalin e Vranjës, ku sinqerisht më thanë se nuk i kanë aparaturat për ta vërtetuar shkakun. Për të mos e lodhur me udhëtimin në Beograd, rreth mesnatës e dërgova në Shkup, në një klinikë private ku nata kushtonte 300 euro. Natyrisht se nuk na ndiente për para, sepse në ato momente nuk mendohet kjo. Megjithatë, nuk na ka shkuar në mendje se mjekët nën plafin e ‘shërbimit kulmor’ do të tentojnë t’ia vjedhin veshkën”, thekson Sadriu, duke shtuar se atë natë ka folur shumë pak me nënën, duke mos e ditur se kjo do të ishte biseda e tyre e fundit. Nëna e tij bie në komë.

Kujtim Sadriu me nënën Zymryte, tashmë të ndjerë

Kujtim Sadriu thotë se ndonëse në Shkup e ka dorëzuar dokumentacionin e mëparshëm për nënën, të nesërmen gjithçka ishte e dyshimtë për të, kur ata nuk ia japin ilaçin Farin, i cili është obligativ pas operacionit të zemrës, sepse ndalon mpiksjen fatale të gjakut.

“Së pari thanë se nuk i lexojnë të dhënat mjekësore të mjekëve të tjerë. Ndërsa, pas insistimit tim thanë se nuk e kanë atë ilaç. Unë me nguti e mora në Preshevë dhe i luta që t’ia japin”.

Ditën e dytë për vizitë erdhi edhe djali tjetër që jeton në Zvicër, i cili nënën e gjen me shumë gypa në gojë, të paaftë për ta thënë një fjalë.

“Kur arritëm, ajo nisi të dridhet, sikur donte t’i hiqte gypat e të thoshte diçka. Menjëherë i kam alarmuar mjekët në spital, e ata me gjakftohtësi të madhe thanë se kjo është normale dhe se nuk duhet të shqetësohemi. As vet nuk e di se si dolëm nga spitali. Por, shoku vjen pasdite kur telefonova për të pyetur se si është. Mjeku kujdestar tha se po e bëjnë gati për operacionin e nesërm: heqjen e veshkës, gjoja se ka infeksion”.

Në ditën e tretë, më 18 janar, vëllait i bashkohet motra, Shqiptare Sadriu, që është mjeke në një spital të njohur në Dusseldorf. Ajo u habit me këtë mënyrë mjekimi. Asgjë nuk ishte si do të duhej të ishte.

“As nuk kishte diagnozë e as informacion se çfarë kanë bërë. Motra ime prezantohet dhe i kërkon këto, ndërsa ata të hutuar përgjigjen se gjoja dokumentet janë të klasifikuara. Në korridor e takuam një neurolog i cili tha se nëna jonë kishte sulm epileptik, ndërsa kurrë nuk e ka pasur këtë problem”, vazhdon Kujtimi rrëfimin e tij.

Sipas tij, këtu nuk përfundon rrëfimi i tmerrshëm i tij, sepse kur fëmijët vijnë pasdite, marrin vesh se nënës ia kanë bërë gastroskopinë dhe kolonoskopinë, trajtime që nuk duhet bërë pa pajtimin e familjes, e aq më shumë tek pacienti i cili kishte operacion të rënd, si ai i zemrës.

“Pas kësaj unë shkova si i çmendur tek shefi i spitalit dhe i thash gjithçka. Ia theva kompjuterin, sepse ai refuzonte të na tregonte listën e spitalit. Natyrisht, donin që aty ta mbarojnë rrëfimin dhe nën arsyetimin e operacionit të pasuksesshëm të realizojnë çka kanë menduar. Kuptuam se dilema e jetës dhe vdekjes është pranë dhe se duhet ta largojmë nga aty. Me automjetin e tyre e dërguam në Beograd. Paramendoje absurdin: nga Shkupi në Beograd ‘udhëtuan me urgjencë’ për më shumë se pesë orë, ndërsa u ndalën dy herë për të pushuar”, thotë Kujtimi i habitur.

Në Beograd, Zymryte Sadriu dërgohet në Qendrën Emergjence, e pastaj në Klinikën Infektive.

“Mjekët në Beograd që e pranuan ishin të shokuar me gjendjen e saj dhe diagnozën e përcaktuar. Tek Qendra Emergjente kanë kërkuar të flasin me mjekët që e sollën, por ata pas pranimit të nënës sime kanë ikur. I kam ndjekur deri te kufiri, por nuk ia dola t’i arrijë. Në Beograd kam kuptuar se edhe në fletë-lëshimin e klinikës private shkruan se nëna ka qenë në komë kur është pranuar, ndonëse ajo atje shkoi në këmbët e saj, e vetëdijshme për gjithçka. Disa ditë më vonë nëna vdes nga pasojat e ‘shërimit’ në Shkup”, thotë Kujtimi.

Si pasi tij, jo vetëm se mezi e ka larguar nënën nga klinika e Shkupit, por për “shërbime” disaditore është dashur të paguajnë gati 6000 euro.

“Edhe pse thanë se ata kushton 300 euro, në fund paguam 4500 euro për qëndrim dhe 1300 euro për transport në Beograd. Që absurdi të jetë më i madh, ata nuk lejuan që me shpenzimet tona nënën ta dërgojmë me aeroplan në Beograd”. /Telegrafi/

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.