Mbrojtja: Procesi ndaj Limajt, me falsifikime

21:32 / 12.02.2013

Fitim Rexha, ish-polic në Njësitin për Krim të Organizuar, tani zyrtar i PTK-së, është përfolur për falsifikimin e mesazheve elektronike, një pjesë e të cilave janë publikuar në kuadër të aktakuzës në rastin e ashtuquajtur “Aferë korruptive në Ministrinë e Transportit”. Ai ka pranuar se i ka marrë mesazhet nga serverët e postës.

“Sms-ët të cilët janë nxjerrë nga Posta, janë bërë sipas një urdhri të një prokurori publik. Në këtë rast, unë nuk jam i implikuar. Këtë e dëshmojnë edhe kërkesat të cilat janë bërë. Mua më është dhënë urdhër nga eprori të shkoj në postë dhe t`i marr në mënyrë zyrtare sms-ët. Nuk e kam ditur të kujt janë ata, vetëm u jam përgjigjur urdhrave të eprorëve të mi”, ka theksuar Rexha në një intervistë dhënë RTK-së.

RTK ka mësuar se eprori i cili ka bërë kërkesën për nxjerrjen e këtyre mesazheve në atë kohë, është personi me inicialet L. H. Ai e kishte urdhëruar një gjë të tillë lidhur me një rast hetimi për drogë në rajonin e Gjilanit.

RTK ka siguruar listën e mesazheve zyrtare të dy të akuzuarve, ish-shefit të kabinetit të kësaj Ministrie, Endrit Shalës, dhe biznesmenit gjilanas, Florim Zukës.

Të akuzuarit thuhet se kanë komunikuar nëpërmjet mesazheve lidhur me tenderët e dhënë nga Ministria në atë kohë. Dokumentet e siguruara dëshmojnë të kundërtën. Lista zyrtare e telefonatave nga PTK-ja posedon vulën e kompanisë, emrin e përdoruesit të numrit dhe periudhën kohore të thirrjeve dhe mesazheve.

Ndërsa në letrën në bazë të së cilës është ngritur aktakuza që është letër e bardhë e formatit A4, janë transkriptuar mesazhet telefonike të shkëmbyera ndërmjet Shalës dhe Zukës, por nuk figuron askund vula e kompanisë së Postë Telekomit të Kosovës dhe as emri i përdoruesit të numrit. Madje, as fonti i shkronjave të mesazheve të ashtuquajtur të montuar, nuk korrespondon me origjinalin.

Mirëpo, në bazë të kësaj letre, një prokuror i EULEX-it kohë më parë ka ngritur aktakuzë për ish-ministrin Limaj dhe ish-zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Transportit, të cilën mbrojtja e quan të falsifikuar.

“E kemi thënë disa herë se mesazhet janë inekzistente. Kërkojmë nga prokuroria që urgjentisht ta hetojë këtë çështje. Këta sms janë baza e aktakuzës së Fatmir Limajt dhe me këtë po dëmtohen të gjithë të akuzuarit”, ka thënë avokati Arianit Koci.

“Në bazë të shkresave të lëndës, nuk shihet se prokurori ka pasur prova nga Posta. E gjithë aktakuza është bazuar në sms të falsifikuar”, ka deklaruar avokati Tomë Gashi.

RTK ka provuar të marrë një qëndrim nga Prokuroria e EULEX-it për të sqaruar nëse prokurori ka kërkuar edhe në ndonjë adresë tjetër zyrtare listën e mesazheve apo është bazuar vetëm në letrën e cila nuk posedon as vulë e as emër të ndonjë personi.

Zyrtarë të EULEX-it nuk kanë dashur të prononcohen, me arsyetimin se ende nuk ka filluar procesi gjyqësor. Ata nuk i janë përgjigjur as pyetjes nëse Prokuroria ka filluar ndonjë hetim në Postë Telekomin e Kosovës për të nxjerrë në pah të vërtetën e këtyre mesazheve. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.