Pasurohet Wikipedia me informata për Kosovën

14:46 / 25.02.2013

Ka përfunduar projekti ‘Wikiakademia”, një projekt ky i trajnimit të të rinjve për përdorimin e enciklopedisë më të madhe në botë Wikipedia, që ka pasur për synim shtimin e informatave për Kosovën në këtë resurs të vlefshëm informativ.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Fondacionin IPKO, shoqatën kosovare “Open source FLOSS” dhe Ambasadën e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë kanë përfunduar garën e madhe kombëtare dhe ciklin e trajnimeve “Wikiacademy”.

Kjo garë është organizuar në kuadër të Strategjisë për Diplomaci Digjitale të Ministrisë së Jashtme dhe ka mundësuar pjesëmarrjen e mbi 200 garuesve të cilët janë shpërblyer me një fond total prej 10.000 euro shpërblime.

Nga 57 artikuj të ri për Kosovën dhe veçoritë e saj, 3 ishin fitues kryesorë. Artikulli mbi Teknologjinë Informative të Kosovës nga Dardan Ahmeti, pastaj për Muzikën Klasike në Kosovë nga Liburn Jupolli, Edona Vatoci dhe Mic Sokoli, ndërsa fitues ishte edhe artikulli për Arkeologjinë e Kosovës nga Atdhe Prelvukaj.

Po ashtu u përzgjodhën dhe fotot më të mira për Kosovën në Wikipedia. Fitues kryesor u shpallën: Bujar Gashi, Arben Llapashtica dhe Arben Islami.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, deklaroi se një nga problemet kryesore me të cilat përballet diplomacia kosovare është edhe mungesa e informatave nga Kosova dhe jo vetëm politike, por edhe të dhëna për kulturën, artin, ekonominë dhe jetën e përditshme të kosovarëve për t’i thyer paragjykimet, por edhe për të promovuar pozitivisht Kosovën me informata të sakta enciklopedike.

Ambasadori i Norvegjisë, Jan Braathu tha se ky është ndër projektet më të qëlluara që kanë bashkëfinancuar, duke inkurajuar participuesit të mbesin edhe një kohë të gjatë në Wikipedia për t’i kundërshtuar propagandistët që nuk ia duan të mirën Kosovës.

Theresa Crawford nga IPKO Fondacioni tha se WikiAkademia është një projekt që po organizohet në vazhdën e projekteve invoative si AppCamp dhe InstaKosova që synojnë të përmbushin zbrazëtirën e identifikuar në portalet online për Kosovën. /Telegrafi/

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.