Berisha: Arrestojeni Mujën
Ish-drejtuesi i Degës së PDK-së në Prizren, Zafir Berisha, e ka ftuar EULEX-in që të privojë menjëherë nga liria kryetarin e Prizrenit, Ramadan Muja, dhe bashkëpunëtorët e tij, të akuzuar për shpërdorim të detyrës zyrtare. Berisha ka thënë për Telegrafin se masa e arrestit është e nevojshme, sepse zyrtarët mund të fshehin gjurmët duke keqpërdorur dokumentet zyrtare ose duke shantazhuar dëshmitarët. Së fundi, zyrtarë të lartë komunalë të Prizrenit akuzohen nga Prokuroria e EULEX-it se gjatë ushtrimit të mandatit të tyre në disa raste kanë shpërdorur pozitën zyrtare ose autorizimin, të cilat më pas kanë rezultuar me shfrytëzimin dhe përfitimin e kundërligjshëm nga toka që i takonte Komunës së Prizrenit.
Zafir Berisha aktualisht është kryetar i Bashkimit Demokratik, një fraksion politik i shkëputur nga PDK-ja, pas thyerjes që pësoi dega e partisë në pushtet në qytetin e Prizrenit.
Ai deklaron se skandali i fundit dëshmon gjendjen e rëndë të krijuar për shkak të aparatit destruktiv të vendosur nga kryeministri Hashim Thaçi, e të cilin e ka pranuar Ramadan Muja.
“Më parë më vinte keq prej Mujës, sepse e kam pasur profesor. E më pas, gjendja eskaloi dhe u detyrova që të tërhiqem. Unë nuk e kuptoj se nuk japin dorëheqje dhe si mendojnë që prapë të kërkojnë votën nga qytetarët”, ka thënë Berisha, ndërsa vlerëson se në këtë situatë PDK-ja nuk do të ketë shanse që të fitojë prapë në Prizren.
Berisha, gjatë një emisioni televiziv ku ishte mysafir edhe Ramadan Muja, e kishte akuzuar kryetarin e Prizrenit se ai kishte harxhuar një shumë të madhe parash vetëm për të shikuar filma pornografikë gjatë një vizite që ai ka pasur në Amerikë. /Telegrafi/