Viktima e dhunuar gjatë luftës reagon ndaj deputetëve: I mbrojtëm ata kur hynin në kotec të pulave
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Alma Lama, përmes rrjetit social Facebook ka shkruar për SMS-in që ka marrë nga një grua e cila ka qenë e dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë. SMS-in ajo thotë se e pranoi debatit të sotëm në Kuvend, ku u diskutua për projektligjin që njeh statusin e viktimave të dhunimit seksual.“Emrin e saj nuk do ta bej të njohur. SMS-in ia shkruan e motra (gjithashtu viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës,) sepse ajo e ka humbur aftësinë për të shkruar si pasojë e traumave. Mesazhin do ta rregulloj nga ana gjuhësore”, shprehet Lama.
“Mirëmbrëma zonja Alma. Çfarë u bë sot në Kuvend për ne, se me sa e kuptova nuk ishin të pëlqimit për miratimin e ligjit. Sa të pashpirt ishin deputetët. Po sikur t’ju kishte ndodhur motrave ose grave të tyre apo nënave të tyre, a kishin heshtur? Ka plas motra duke qajt...
Motra ishte e vendosur sot të vinte e të hynte në Parlament e t\'ju tregonte deputetëve se ku kanë qenë burrat në luftë. Shumë jemi mërzitur se çfarë fjalë fyese flitej për ne. Ani ku, bash në Parlament. A mendojnë ata të gjorë se falë neve janë në ato karrika. Zonja Alma, nëse keni nevojë për ne, ne jemi te gatshme të ngremë zërin, por të lutem t’ju thuash deputetëve se gratë janë të ofenduara nga ju e nuk ua falin këtë ofendim, se kur ata na ofendojnë, kush na mbron neve? Ne i mbrojtëm ata kur hynin në kotec të pulave. Më kthe përgjigje kur do të mbahet seanca tjetër. Të përshëndesim shumë ne dy motrat, ty dhe vëllezërit në partinë tënde”. /Telegrafi/
