Qeveria demanton, Brukseli hesht

9:16 / 18.03.2013
Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës e kanë hedhur poshtë dhe e kanë vlerësuar si “jozyrtare” projektmarrëveshjen e publikuar të dielën nga e përditshmja serbe “Blic”, sipas së cilës Bashkimi Evropian dhe Prishtina janë pajtuar për një projekt prej 10 pikash për marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Njëjtë është deklaruar edhe kryeministri serb, Ivica Dacic. Kurse përfaqësuesit e Komisionit Evropian (KE) në Prishtinë nuk kanë dashur të komentonin mbi vërtetësinë e këtij dokumenti e përfaqësuesit e opozitës e kanë parë me dyshim atë, megjithatë kanë vlerësuar se ka vend për shumë kritika, po qe se del të jetë i vërtetë projekti i propozuar nga BE-ja, shkruan “Koha Ditore”.

Stojan Pelko, zëdhënës i Zyrës së KE-së në Prishtinë, ka thënë se KE-ja nuk komenton përmbajtje të tilla nga e përditshmja “Blic”. “Ne nuk komentojmë as përmbajtjen e as çështjen e vërtetësisë së mundshme të dokumentit të botuar në Blic”, ka thënë Pelko.

Për projektin në të cilin thuhet, ndër të tjera, se BE-ja dhe Prishtina propozojnë që në veri të Kosovës serbëve t’ju lejohet formimi i rajonit evropian – veriu i Kosovës, si dhe mosbllokim i anëtarësimit të Kosovës nga Serbia në organizata ndërkombëtare ku përmendet vetëm OSBE-ja, këshilltari politik i kryeministrit, Bekim Çollaku, e ka konsideruar si dokument jozyrtar që nuk i është prezantuar asnjërës palë në asnjë rast.

Edhe ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka mohuar ekzistimin e ndonjë projektmarrëveshjeje, e aq më pak të ngjashme me atë të publikuar nga mediat serbe. Ai tha se një dokument i tillë nuk ekziston as në Prishtinë, as në Beograd dhe as në Bruksel.

Ai nuk deshi të komentonte përmbajtjen e dokumentit të publikuar në media. Sipas tij, Kosova nuk do të lëvizë nga pozicioni i saj, dhe e vetmja kornizë e riintegrimit të tri komunave në veri do të jetë Kushtetuta, ligjet e Kosovës dhe Plani i Ahtisaarit.

Sipas tij, në raundin e ardhshëm të bisedimeve, pavarësisht deklaratave, nuk do të ketë lëvizje qëndrimi nga ana e Kosovës.

“Për Republikën e Kosovës e vetmja kornizë e riintegrimit të tri komunave në veri është Kushtetuta e Kosovës, ligjet e Kosovës dhe Pakoja e Ahtisaarit, dokumente këto që ofrojnë për komunitetin serb të drejta dhe privilegje, të cilat nuk mund t’i ketë një komunitet etnik në Evropë”, ka thënë ai, duke ilustruar me shembuj konkretë të drejtat e komunave në veri në arsimin e lartë, shëndetësi, e të cilat nuk i kanë komunat as në Evropë.

“Komuniteti serb që jeton në Kosovë do t’i ketë të drejtat e njëjta politike legale brendapërbrenda territorit të Republikës së Kosovës, kështu që nuk do të ketë republika serbe në veri, nuk do të ketë status të veçantë, nuk do të ketë autonomi territoriale, dhe nuk do të ketë ndarje të brendshme të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Edhe kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic ka deklaruar gjatë të dielës se marrëveshja për asociacionin e komunave serbe në Kosovë, i cili është publikuar nga mediat, nuk është autentik dhe ka theksuar se kurrfarë dokumenti apo letre zyrtare nuk ka pasur në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, dhe as që është ofruar nga baronesha Catherine Ashton. Ai këto deklarime i kishte bërë për mediat serbe duke shtuar se çdo rrëfim për atë marrëveshje dhe analizimi i pikave të saj absolutisht është i pakuptimtë, sepse “ajo nuk ekziston”.

Opozita në Kosovë një projektmarrëveshje të tillë e sheh të papranueshëm.

Ditë më parë edhe gazeta austriake “Der Standard” kishte publikuar një artikull sipas të cilit Kosova dhe Serbia janë shumë afër një marrëveshjeje, e cila i ngjason asaj mes dy Gjermanive.

Sipas kësaj gazete, më 20 mars edhe Ashton shpreson se do të hyjë në histori me këtë marrëveshje. Një diplomat i BE-së i kishte thënë kësaj gazete se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve në rastin me ideal parasheh që Kosova të pajtohet me asociacionin e komunave në veri.

“Asociacioni nuk duhet të ketë as parlament, e as sistem të drejtësisë. Mund të shprehen dëshira për mbulimin e funksioneve policore dhe të drejtësisë, por pushteti ekzekutiv i takon qeverisë qendrore në Prishtinë. Pra, pushteti ekzekutiv për veriun i takon Prishtinës”, i kishte thënë diplomati i BE-së gazetës austriake.

Gjithashtu në marrëveshje, sipas kësaj gazete, thuhet se Serbia do të jetë e obliguar që të tërheqë forcat e saj të fshehta të sigurisë, të shpërbëjë strukturat paralele, apo t’i legjitimojë ato me zgjedhje komunale, dhe të heqë dorë nga kundërshtimi ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe OKB-në. Diplomati i BE-së kishte thënë se në shkëmbim Serbia do ta marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. /Telegrafi/

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
Foto: Arkiv
Foto: Arkiv
 
 
Magazina
21:10 / 20.05.2013
Miley Cyrus, Foto: Getty Images

Miley paralajmëron këngën rikthyese

Këngëtarja dhe aktorja, Miley Cyrus, ka pozuar me kostume banje për të paralajmëruar këngën që do ta kthejë në skenë...
Teknologji
15:40 / 20.05.2013
Komisioni Evropian premton treg unik mobil, para vitit 2015

Komisioni Evropian premton treg unik mobil, para vitit 2015

Edhe pse Bashkimi Evropian promovon integrimin më të thellë mes shteteve anëtare, kjo gjë nuk vërehet tek çmimet e roami...
Ekonomi
18:10 / 20.05.2013

Ekspert Kosovar prezent në Balkan Venture Forum 2013

Pavarësisht se në listen e 36 kompanive të përzgjedhura që do të marrin pjesë në garën e veçantë në kuadër të ko...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.