Mehmeti: Nuk debatoj me ata që s’dinë të lexojnë

19:45 / 25.03.2013

E plotësuar - Publicisti Kim Mehmeti ka deklaruar për Telegrafin se nuk është i prirë që të debatojë me persona që lexojnë vetëm tituj nëpër portale informative e që bëjnë çmos të dalin nëpër media. Reagimi i tij pason deklarata të kancelarit të Ipeshkvisë së Kosovës, Don Shan Zefi dhe të deputetit Berat Buzhala, që cilët kanë reaguar për një deklaratë të Mehmetit rreth rolit të fesë islame për çështjen e identitetit fetar islam.

“Nuk debatoj as me ata që mbahen gjallë duke ia lexuar tjetrit mendimet, e jo atë që ai ka shkruar apo ka thënë! Nga kjo metodë diskualifikimi jam ngirë gjatë viteve të komunizmit! Pastaj në garën se cili religjion i ka më shumë hije shqiptarisë, unë nuk marr pjesë as si lojtar as si gjyqtar: le të maten mes veti në atë garë të gjithë ‘buzhallat e budallat’ që ka shqiptaria, po pa mua si lojtarë në të! Unë ndjehem madhërishëm në shumëngjyrësinë religjioze të shqiptarisë”, ka thënë Mehmeti për Telegrafin.

Ai ka shpjeguar se i qëndron mbrapa çdo fjale që ka thënë apo rreshti që ka shkruar në cilindo artikull apo libër, por jo edhe titujve të gazetave apo portaleve që sipas tij, në emër të lejueshmërisë apo të mbrojtjes së interesave partiake, janë të gatshëm të shkelin edhe mbi kufoma njerëzish.

“Pra, këta dy zotërinjtë le të mësohen të lexojnë libra e jo tituj portalesh, e pastaj le të komentojnë. Më në fund, nuk dua që në këtë moshë të tradhtojë parimin të cilit i kam qenë besnik që nga rinia: Atij që kupton, s’ke ç’ka i shpjegon, e atij që nuk merr vesh mos i shpjego asgjë, ngaqë ai i dinë të gjitha!”, ka thënë Mehmeti.   

Express kishte botuar një shkrim në të cilin publicisti shqiptar citohej si mbështetës i pretendimit për rolin pozitiv që të fesë islame për ruajtjen e identitetit kombëtar.

“Absolutisht, matematikisht, mund të dëshmohet, edhe nëpërmjet asaj që e thash ma parë, se islamizmi e ka shpëtuar shqiptarinë në disa vise shqiptare, absolutisht! Unë ua dëshmoj me këtë: ortodoksët shqiptarë nuk i keni, katolikët shqiptarë nuk i keni në Shkup. I keni vetëm shqiptarët myslimanë”, citohet të ketë thënë Kim Mehmeti.

Ndërkohë, kancelari i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Shan Zefi, i ka cilësuar si të pavërteta deklaratat që i atribuohen shkrimtarit Kim Mehmeti.

“Shqiptarinë nuk e ka shpëtuar islamizmi, por është Kisha Katolike ajo që ka mbajtur gjallë fijet e shqiptarisë. Islamizmi, konkretisht Perandoria Osmane, që ka shkatërruar gjithë trashëgiminë materiale, kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve”, ka thënë Don Shan Zefi.

Deklarata që i atribuohet Mehmetit u bë gjatë promovimit të Librit “Shkupi”, një nismë e përbashkët kjo e shtëpisë botuese Logos-A me Lëvizjen Vetëvendosje. I pyetur nga Express për këtë çështje, Glauk Konjufca nga Vetëvendosje, ka thënë se në një shoqëri të lirë dhe demokratike, secili intelektual i artikulon dhe i mbron qëndrimet e tij.

 “Kështu bën edhe Kim Mehmeti. Lëvizja Vetëvendosje nuk mban përgjegjësi për fjalën publike të intelektualëve, prandaj pyetja juaj fsheh një mendësi shumë të rrezikshme”, ka thënë Konjufca.  /Telegrafi/ 

------------------------------------------

Publicisti shqiptar nga Maqedonia, Kim Mehmeti ka thënë se është keqinterpretuar deklarata e tij rreth rolit të fesë islame për ruajtjen e identitetit shqiptar. Mehmeti ishte cituar në media të ketë thënë se “islami e ka shpëtuar shqiptarinë”. Por, në një deklaratë për Telegrafin, Mehmeti thekson se ky ishte një interpretim jo i qëlluar.

“Le ta shohin ata që kanë shkruar kështu se çfarë kam thënë unë, e pastaj jam i gatshëm që të hyj në debate për këto çështje”, ka thënë Mehmeti.

Express ka botuar një shkrim në të cilin publicisti shqiptar citohej si mbështetës i pretendimit për rolin pozitiv që të fesë islame për ruajtjen e identitetit kombëtar.

“Absolutisht, matematikisht, mund të dëshmohet, edhe nëpërmjet asaj që e thash ma parë, se islamizmi e ka shpëtuar shqiptarinë në disa vise shqiptare, absolutisht! Unë ua dëshmoj me këtë: ortodoksët shqiptarë nuk i keni, katolikët shqiptarë nuk i keni në Shkup. I keni vetëm shqiptarët myslimanë”, citohet të ketë thënë Kim Mehmeti.

Pasi ka cituar këtë deklaratë të Kim Mehmtit, ka reaguar kancelari i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Shan Zefi, i ka cilësuar si të pavërteta deklaratat që i atribuohen shkrimtarit Kim Mehmeti.

“Shqiptarinë nuk e ka shpëtuar islamizmi, por është Kisha Katolike ajo që ka mbajtur gjallë fijet e shqiptarisë. Islamizmi, konkretisht Perandoria Osmane, që ka shkatërruar gjithë trashëgiminë materiale, kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve”, ka thënë Don Shan Zefi.

Deklarata që i atribuohet Mehmetit u bë gjatë promovimit të Librit “Shkupi”, një nismë e përbashkët kjo e shtëpisë botuese Logos-A me Lëvizjen Vetëvendosje. I pyetur nga Express për këtë çështje, Glauk Konjufca nga Vetëvendosje, ka thënë se në një shoqëri të lirë dhe demokratike, secili intelektual i artikulon dhe i mbron qëndrimet e tij.

“Kështu bën edhe Kim Mehmeti. Lëvizja Vetëvendosje nuk mban përgjegjësi për fjalën publike të intelektualëve, prandaj pyetja juaj fsheh një mendësi shumë të rrezikshme”, ka thënë Konjufca. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.