Selimi: Çeku s’e përmend fjalën ushtri

9:51 / 27.03.2013

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, të martën gjatë raportimit para Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së për gjendjen e përgjithshme në FSK, asnjëherë nuk e ka përmendur fjalën Ushtri e Kosovës. Anëtari i këtij komisioni nga radhët “Vetëvendosjes” njëherësh njëri ndër themeluesit e UÇK-së, Rexhep Selimi, ka akuzuar ministrin Çeku se ndër 6 prioritet e tij askund nuk e përmend që FSK-ja të evoluojë në ushtri të Kosovës.

“Merreni transkriptin dhe shikojeni vet askund ministri Çeku nuk e përmend fjalën ushtri. Fjala ushtri nuk ka qenë në fjalorin e tij”, ka thënë Selimi, duke cituar ministrin Çeku të ketë thënë se “nuk do të thotë patjetër FSK-ja me pas emrin ushtri”, raporton “Zëri”.

“Prandaj, edhe pyetja ime sot ishte se njëri ndër 6 prioritetet që i kishte ishte edhe evoluimi i FSK-së, pyetja ime ishte a do të evoluojë FSK-ja në ushtri. Dhe ai nuk e pohoi, nuk e tha po”, shprehet Selimi i mllefosur. Ai këtë veprim të ministrit Çeku e konsideron si shmangie të objektivave të UÇK-së dhe të TMK-së.

“Po ashtu e nënkuptoj që e ka demantuar vetveten edhe sa ka qenë në UÇK, edhe sa ka qenë në TMK, ai opinionin e ka mbajtur me shpresë se një ditë do të bëhet Kosova me ushtri. Kurse qëndrimet e tij të fundit, rezultojnë që ai e ka demantuar vetveten dhe tash ka hequr dorë nga ushtria”, ka thënë Selimi.

Ndërkaq, në fjalën e tij para Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, Agim Çeku, u ka bërë një vështrim të gjerë angazhimeve aktuale të FSK-së, në realizimin e objektivave të parapara në mbështetje të ligjit.

Duke folur për masat për gatishmëri operacionale dhe nivelin e njësive, ai foli për Qendrën Rajonale të Kërkim-Shpëtimit, e cila ndihmohet nga SHBA-ja. Ndërkaq, përkitazi me synimin që FSK-ja të ndërtohet si një forcë e besueshme në shërbim të qytetarëve, Çeku tha se kujdes i vazhdueshëm i kushtohet përfshirjes së pjesëtarëve nga të gjitha komunitetet edhe në nivel oficerësh dhe udhëheqësish. Pastaj, ai foli për aktivitetet drejt forcimit të komponentës së FSK-së si forcë paqeje në të mirë të rajonit, duke përmendur pjesëmarrjen e pjesëtarëve të FSK-së në takimet e Adriatikut, në tri ushtrime rajonale në Shqipëri e Maqedoni etj.

Rezultatet nuk mungojnë as në prioritetin e pestë, që ka të bëjë me zhvillimin e kapaciteteve, sidomos në identifikimin e tyre, që bëhet në koordinim me SHBA-në. Duke i bërë një vështrim partneritetit me SHBA-në dhe NATO-n, Çeku pasi përmendi bashkëpunimin shumë të mirë e esencial me KFOR-in, theksoi se raportet me NATO-n ndërtohen në baza afatgjata. /Telegrafi/

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.