Hoxhaj: Çdo zgjidhje jashtë Pakos së Ahtisaarit, e papranueshme

10:05 / 27.03.2013

Ministri i Punëve të Jashtëm i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë në Paris se procesi i normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë duhet të përfundojë me anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Ai po ashtu ka thënë se dialogu ndërmjet dy shteteve sovrane është fillimi i ndërrimit të paradigmës në Ballkan. Sipas tij, nga një agjendë hegjemoniste dhe represive, Serbia ka filluar një agjendë të pranimit të realitetit gjeopolitik të Kosovës së pavarur.

“Normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë do të ketë vetëm atëherë kur Serbia do të nënshkruajë marrëdhëniet diplomatike me Kosovën, ose Serbia nuk do të pengojë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Vetëm atëherë mund të flasim për normalizim të plotë të marrëdhënieve”, ka thënë Hoxhaj.

Gjatë një ligjërate në Akademinë Diplomatike të Francës, Hoxhaj ka prezantuar të arriturat në Republikën e Kosovës dhe sfidat që e presin.

Duke folur për gjendjen në tri komunat e veriut të Kosovës, Hoxhaj tha se është i vetmi kënd në kontinentin e Evropës ku nuk ka sundim të ligjit.

“Prandaj, strukturat ilegale të financuara nga Serbia duhet të shpërbëhen”, ka thënë ai, duke shtuar se çdo zgjidhje që del jashtë Pakos së Ahtisaarit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës është e papranueshme.

“Oferta e jonë, Kushtetuta e Kosovës u ofron serbëve garancitë më të mëdha, në krahasim me çdo shtet tjetër në Evropë”, ka theksuar Hoxhaj.

Lidhur me pesë shtetet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, Hoxhaj ka thënë se integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian është i mundshëm vetëm nëse BE-ja reflekton unitet në pranimin e pavarësisë së Kosovës.

Ndërkaq, duke folur rreth proceseve euro-integruese, Hoxhaj tha se agjenda evropiane e Kosovës është shndërruar në një plan të veprimit për tërë shoqërinë, me qëllim të arritjes së synimeve kryesore siç janë stabiliteti politik, respekti për të drejtat e njeriut dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik.

“Agjenda e jonë evropiane nuk është vetëm një agjendë integruese, por një agjendë reformuese. Ky proces nuk ka filluar dje apo sot. Që nga Samiti i Selanikut në vitin 2003, Kosova ka përcaktuar rrugën e vet për integrim në Bashkimin Evropian”, tha Hoxhaj, duke u shprehur i nderuar që përfaqëson një shoqëri, e cila në masën mbi 90 për qind përkrah proceset integruese në BE dhe NATO.

“Kosova është gati që të hapë negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, pasi që ka përmbushur prioritetet afatshkurta në fushat e sundimit të ligjit, administratës publike, mbrojtjes së minoriteteve dhe tregtisë”, tha Hoxhaj.

Lidhur me liberalizimin e vizave, për ministrin Hoxhaj, Kosova po avancon edhe në këtë proces.

“Qeveria ime është thellësisht e përkushtuar të kompletojë këtë proces në të ardhmen e afërt, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të dalin nga izolimi që po e përjetojnë për më shumë se dy dekada”, tha Hoxhaj, duke shtuar se çdo asimetri në kushtet për Kosovën në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, do të dëmtonte besueshmërinë e tërë procesit. /Telegrafi/

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.