Shtyhen se cili është më patriot

13:35 / 3.04.2013

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti dhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Alma Lama, janë përplasur në Komisionin për Integrime Evropiane, se cili mund t’i shes njëri-tjetrit më shumë patriotizëm. Dhe krejt kjo përplasje është bërë kur është folur rreth Projektligjit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.

Gjatë kësaj mbledhjeje të Komisionit për Integrime Evropiane kanë qenë disa pika të rendit të ditës, por ajo që ka nxitur debat ka qenë Projektligji nr. 04/L-177 për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.

Anëtarja e Komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Alma Lama ka thënë se kjo është një çështje që nuk është e rregulluar me legjislacionin e BE-së.

Sipas saj, shtetet anëtare të BE-së këtë çështje e kanë të rregulluar përmes politikave të brendshme të tyre kombëtare, duke konsideruar se projektligji nuk është në kundërshtim me parimet e BE-së, transmeton “KosovaPress”.

Por nënkryetari i Komisionit nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti ka thënë se duke pas parasysh kompetencat aktuale kushtetuese të FSK-së, duke pas parasysh që nuk është pjesë e ndonjë aleance ushtarake, do të duhej të jetë e potencuar që të mos keqkuptohet nga të tjerët, se kinse Kosova po dërgon forca ushtarake në ndonjë vend.

Por me këtë nuk është pajtuar anëtarja e Komisionit, Alma Lama, e cila ka thënë se po përgatitet legjislacionit që FSK-ja të mund të ketë edhe misione ushtarake jashtë shtetit.

“Më vjen keq, por nuk mund të pajtohem me zotërinë Haliti. Natyrisht që janë të përcaktuara në projektligj kompetencat dhe qëllimet por do të ishte shumë mirë se ajo që po bëjmë ne po krijojmë infrastrukturë ligjore në mënyrë që FSK-ja të ketë mundësi të shkoj në misione qoftë edhe në misione ushtarake jashtë shtetit. Do të ishte shumë mirë, nëse aleanca e NATO-së ia ofron Kosovës një gjë të tillë. Nuk ka pse të frikësohet askush edhe nëse frikësohet...”, ka thënë Lama.

Por nuk ka dashur që të mbaroj tërë fjalën e saj nënkryetari Haliti, duke i thënë deputetes Lama që nuk mund t’i shes patriotizëm ngase nuk ka bagazh më shumë se ai.

“Jo nuk po du me mbaru se dhe herën e kaluar, unë nuk po flas për media. Unë po flas për ligjin dhe ti po flet për media. Ti po flet për me dhënë mesazh për media për patriotizëm. Unë e kam hallin që ne nuk jemi anëtar të paktit veri atlantik të NATO-së. Ne NATO-n e kemi për të ruajtur sigurinë në Kosovë dhe FSK-ja i ka kompetencat e veta. Edhe unë di me fol edhe mendoj që krahasuar me ju që po shitni patriotizëm edhe unë di me shit dhe kam bagazh për të folur si patriot. Problemi është që të jemi realist në nivel të kompetencave që kemi dhe duke respektuar dhe duke zbatuar Kushtetutën e Kosovës. Në qoftë se ju mendoni që ne mund të komandojmë edhe NATO-në unë plotësisht jam dakord”, ka theksuar Haliti.

Por deputetja Lama sërish ka replikuar, duke thënë se është në të mirën e FSK-së dhe Kosovës, nëse u bëhet një ftesë e tillë nga NATO-ja.

“Unë s’po flas për media, por edhe sikur të flisja është normale....po thoja këtë që ne po krijojmë infrastrukturën ligjore që në mënyrë kur FSK-së i kërkohet të dërgoj forca ose trupa në misione të ndryshme kjo të jetë e mundur. Nëse kjo i kërkohet FSK-së ky është nder për Kosovën është vlerësim për FSK-në. Jo çdo lloj ushtrie i kërkohet që të dërgoj trupa, sepse në radhë të parë kërkohet që kjo Forcë e Sigurisë duhet të plotësoj disa standarde që për shembull jon standardet e NATO-së.

Në qoftë se kjo nuk pritet mirë nga armiqtë e Kosovës, punë e madhe shumë, nuk na intereson neve”, ka deklaruar ajo. /Telegrafi/

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.