Shumë sfida deri te liberalizimi i vizave

17:54 / 3.04.2013

Shtimi i numrit të azilkërkuesve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, por edhe nga e tërë bota, pastaj kriza ekonomike dhe financiare si dhe ndjenjat nacionaliste në Evropë, në njërën anë, po ndikojnë në krijimin e një atmosfere jo të mirë përbrenda Bashkimit Evropian rreth liberalizimi të vizave për Kosovën, dhe në anën tjetër, po rrit gjasat për suspendimin e udhëtimit pa viza për disa vende të rajonit, ka thënë deputetja sllovene në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon.

Fajon duke folur për “News TV”, ka thënë se Gjermania dhe disa vende të tjera së fundi e kanë rritur edhe më shumë presionin ndaj vendeve të tjera të Bashkimit Evropian dhe ndaj Parlamentit Evropian për të suspenduar përkohësisht udhëtimin pa viza për qytetarët e disa vendeve të rajonit Ballkanik, situatë kjo e cila, sipas saj, nuk i ndihmon aspak përpjekjet e Prishtinës për liberalizimin e vizave për Kosovën, qytetarët e së cilës ende mbeten të vetmit që duhet të marrin viza për të udhëtuar në zonën Schengen.

“Por më duhet ta them se gjithçka që duhet bërë në dialogun për vizat ndihmon faktikisht institucionet atje. Prandaj nuk duhet fajësuar as krizën në Evropë, e ndjenjat politike apo ndjenjat nacionaliste në vendet Evropiane ndaj emigrantëve apo azilkërkuesve, dhe duhet përqendruar në atë se çfarë duhet bërë në shtëpi (Kosovë)”, ka thënë Fajon, duke kërkuar kështu nga institucionet e Kosovës që përkundër kësaj atmosfere të zymtë përbrenda BE-së, ato të bëjnë maksimumin në përmbushjen e kushteve të përcaktuara nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave. 

Tanja Fajon, ka pohuar se aktualisht Kosova është shumë prapa në plotësimin e këtyre kushteve, mirëpo, sipas saj, edhe kur këto kushte të jenë plotësuar nga Prishtina, përsëri vendimtar do të jetë, siç thotë ajo ‘vendimi politik’ i vendeve anëtare të Bashkimit Evropian se kur do të mund të liberalizohen vizat.

“Nuk do të doja që të hyë në detaje sepse janë çështje shumë teknike dhe Komisioni Evropian po merret me autoritetet e Kosovës. Por, dua të them se është tjetër të miratosh çështje në letër, sepse pastaj duhet t’i zbatosh ato në praktikë dhe unë mendoj se këtu ka një zbrazëti e madhe. Këtu Kosova duhet që të bëjë përpjekje të mëtutjeshme. Mendoj se do të jetë një proces i cili do të marrë kohë. Sigurisht që situata aktuale nuk është shumë ndihmëtare për Kosovën, por duhet ta dimë se Kosova është e vetmja vrimë e zezë dhe ne këtu po flasim për lirinë e lëvizjes, e cila është një e drejtë bazike e njeriut. Unë shpresoj se kjo do të ngadhënjej, të merret parasysh kur do të ndërmarrim vendim politik për secilin nga hapat e tjerë për të ndihmuar vërtetë Kosovën në këtë drejtim”, ka thënë Fajon. 

Deputetja e Parlamentit Evropian, nuk ka qenë në gjendje që të parashikojë se kur do të mund të merret vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, por, sipas saj, përvoja me vendet e tjera të rajonit, tregon se bisedimet me Komisionin Evropian kanë zgjatur madje edhe deri në dy vite.

“Do të ishte gabim nga ana e ime çfarëdo që të them se sa gjatë do të marrë. Do të varet shumë nga ajo se sa shpejt do të zhvillohet procesi. Është një lloj procesi teknik nëpër të cilin duhet që të kalojë qeveria për të përcaktuar se çka është e nevojshme në dialogun me Komisionin Evropian. Unë shpresoj se … , sepse në rastin e vendeve të tjera procesi zgjati një vit apo dy, do të them madje edhe më gjatë, duke shkuar nëpër kriteret e ndryshme të udhërrëfyesit të përcaktuara nga Komisioni Evropian. Prandaj kjo varet nga përkushtimi. Mirëpo në anën tjetër për të qenë e sinqertë më duhet të them se shpesh është vendim politik krejt në fund….”, ka pohuar ajo.

Fajon ka thënë se përkundër kësaj situate dekurajuese të krijuar përbrenda BE-së, institucionet e Kosovës duhet që të mos ndalen së punuari në përmbushjen e kushteve për heqjen e vizave duke premtuar se Parlamenti Evropian do të vazhdoi që të ndihmoj vendin për këtë synim dhe do të bëjë presion ndaj Komisionit Evropian dhe vendeve evropiane për t’ia mundësuar udhëtimin pa viza në zonën Schengen qytetarëve të Kosovës, atëherë kur Prishtina të ketë plotësuar kushtet e vendosura në udhërrëfyesin, të cilin autoritetet e Prishtinës e morën në qershor të vitit të kaluar. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.