Thaçi përgatit terrenin për president!

9:40 / 23.04.2013

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi është duke pretenduar postin e të parit të shtetit. Këtë e dëshmon edhe fakti që PDK-ja po kërkon që zgjedhja e presidentit të bëhet përmes Kuvendit, e jo përmes zgjedhjeve të drejtpërdrejta.

Njëri nga drejtuesit e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i ka thënë “Zërit” në kushte anonimiteti, se Thaçi po ka frikë nga zgjedhjet e drejtpërdrejta, ngase e di se autoriteti i tij nuk shtrihet në gjithë territorin e Kosovës, ndërsa beson se me një marrëveshje me ndonjërën prej partive më të vogla mund të bëhet president.

“Nëse vendoset që presidenti i ardhshëm të zgjidhet nga vota e qytetarit, atëherë kryeministri me gjasë nuk do të garojë, por do ta kandidojë ndonjërin prej anëtarëve të PDK-së. Ai nuk dëshiron që pas dy mandateve si kryeministër të digjet në zgjedhjet presidenciale”, ka thënë ai.

Në fakt, edhe vetë shefi i qeverisë kosovare, Thaçi, kohë më parë ka paralajmëruar se më nuk ka interes që të bëhet kryeministër i vendit. Gjatë një interviste që ai e ka pasur në medie ka deklaruar se është e mjaftueshme për një kryeministër dy mandate. Ai ka thanë se tri mandate janë shumë, ndërkaq, një është shumë pak.

Kur ka filluar reforma zgjedhore në vend, liderët e partive politike patën deklaruar se synimi kryesor i kësaj reforme është që të krijohet bazë ligjore e cila do t’i evitojë situatat, sikurse ajo me ish-presidentin Behgjet Pacolli, i cili pasi ishte zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, zgjedhja e tij ishte cilësuar si antikushtetuese, ndërsa ai ishte larguar nga Presidenca.

Por, ndryshimi i qëndrimit të PDK-së, e cila fillimisht ishte për ndryshim të mënyrës së zgjedhjes së presidentit, i ka habitur edhe anëtarët e kësaj partie.

Njëri nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Behar Selimi, që ka qenë pjesë e Komisionit për Reformë Zgjedhore, thotë se qëndrimi i thënë herë pas here nga bashkëpartiakët e tij nuk është qëndrim përfundimtar dhe nuk reflekton qëndrimin e organeve të partisë. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.