PDK vonohet për Prishtinën

8:32 / 2.05.2013

PDK ende nuk e ka formuar Kabinetin për Qeverisje të Mirë dhe nuk e di as emrin e kandidatit për garën e kryeqytetit. Kryetari i Degës së PDK-së në Prishtinë, Lirak Çelaj ka thënë se shpejt do ta zyrtarizojnë kabinetin dhe emrin e kandidatit për zgjedhjet lokale.

Trembëdhjetë muaj kanë kaluar prej kohës kur kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi ka paralajmëruar themelimin e Kabinetit për Qeverisje të Mirë për Prishtinën.

Kur e pati zyrtarizuar themelimin e alternativës për Prishtinën, Thaçi kishte deklaruar se ka për qëllim shpëtimin e Kryeqytetit nga krimi urbanistik, shkruan “Express”. Në atë kohë, ai pati thënë se gjithçka do të kryhet shpejt.

“Do të krijojmë Kabinetin për Qeverisje të Mirë për Prishtinën, por emrat e njerëzve që do ta udhëheqin atë nuk janë vendosur ende. Por, kjo do të bëhet shumë shpejt”, kishte thënë lideri i PDK-së.

Megjithëkëtë, PDK ende nuk e ka zyrtarizuar Kabinetin dhe as kandidatin për zgjedhjet lokale që do të mbahen në muajin shtator.

Kryetari i ri i Degës së PDK-së në Prishtinë, Lirak Çelaj ka thënë se janë vonuar me Kryeqytetin pasi kanë pasur edhe një proces të brendshëm zgjedhor.

“Kandidatura për Prishtinën nuk varet vetëm prej neve, por besoj se do të diskutohet së pari brenda Degës dhe Kryesisë Qendrore. Ende nuk jemi përcaktu, por nuk besoj se do të vonohemi shumë me kandidaturë”, ka paralajmëruar Çelaj.

Sipas tij, ka mbetur vetëm konsultimet me nivelin qendror për t’i finalizuar projektet që kanë të bëjnë me zgjedhjet lokale në Prishtinë.

“Besoj se shumë shpejt do të dalim me “Kabinetin për Qeverisje të Mirë”. Ndoshta është dashur që edhe para një viti e gjysmë me e formu një kabinet dhe me iu qas Prishtinës më ndryshe. Pas zgjedhjeve na u dashtë me u konsolidu radhët dhe tash jemi afër – vetëm po presim konfirmimin prej nivelit qendror – Kabineti është i gatshëm dhe shpejt do të zyrtarizohet”, ka shtuar ai.

Çelaj ka treguar se Dega e PDK-së në Prishtinë prej dy vitesh nuk ka pasur as zyra, ndërsa tash kanë marrë një objekt, të cilin do ta përurojnë gjatë ditëve të ardhshme.

“Tash sa i kemi hapur zyrën e re të Degës së PDK-së në Prishtinë. Ne do ta bëjmë një hapje solemne pasi kanë mbetur vetëm edhe disa detaje për të finalizuar gjithçka. Objektin me Kryesinë e re, me strukturën e kemi përuruar të martën”, ka treguar ai.

Ai ka thënë se brenda javës do të bëhet përurimi i objektit të Degës së PDK-së në Prishtinë, i cili ndodhet prapa Teatrit Kombëtar. “Ka dy vite që nuk ka pas Zyrë Dega e Prishtinës”, ka treguar ai. /Telegrafi/

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.