Kuçi kthehet pa marrëveshje, Thaçi e Dacic takohen më 21 maj

17:34 / 8.05.2013

As dita e dytë e takimit në mes të ekipeve të Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel nuk ka sjellë planin e zbatimit. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka konfirmuar një gjë të tillë.

“Më vjen keq ta them se nuk kemi arritur që të kemi një plan të implementimit. Natyrisht që janë ofruar drafte edhe më datën 26 prill nga zoti Gentilini edhe ditën e sotme. Ne më 26 prill kemi dhënë pajtueshmërinë tonë. Sot kemi pasur vërejtje në qasjen e integrimit të strukturave ilegale të sigurisë. Ne mendojmë se ato duhet të shkojnë përmes një procesi të konkursit, ndërsa pala serbe ka qasje tjetër”, iu ka thënë Kuçi gazetarëve, transmeton Rel.

Ai ka thënë se pala serbe dëshiron që nga “kjo marrëveshje të arrijë një marrëveshje tjetër, apo ndryshe ta them të flasin për çështjet që nuk janë fare në marrëveshje”.

Zëvendësshefi i Qeverisë së Kosovës ka komentuar këtë si një humbje kohe dhe dhënie e përshtypjes se po diskutohet për gjëra të tilla para partnerëve ndërkombëtarë.

Andaj, ai ka propozuar që takimi i radhës të jetë në nivel kryeministrash.

“Jemi të interesuar që të diskutojmë për çështje konkrete, për zbatim të asaj që është arritur më 19 prill dhe besoj se një veprim i tillë tani duhet të kalojë në nivel të kryeministrave dhe zonjës Ashton”, u shpreh Kuçi, duke sqaruar se takimi i tillë mbase do mbahet më datën 21 maj.

Por, pala serbe ka akuzuar delegacionin kosovar se ka lëshuar takimin. Marko Gjuric, këshilltar politik i presidentit serb, Tomislav Nikolic, ka thënë se delegacioni serb, që ai e kryeson, ka pasur frymë konstruktive dhe ka pasur propozime konkrete.

“Delegacioni shqiptar i ka lëshuar bisedimet dhe më nuk do të marrin pjesë në këto bisedime. Do ta them publikisht atë që ua kemi thënë edhe direkt: i thërras që të kthehen në tryezën e bisedimeve, nuk ka vend dhe kohë më të mirë për të zgjidhur problemet tona, nuk ka rrethana më të mira për të hartuar planin e zbatimit, i cili do të jetë në interes të të dyja palëve. Dëshirojmë që kjo të kuptohet në Prishtinë dhe ky dialog të vazhdojë, pasi që është i një rëndësie të madhe për të dyja palët”, tha Gjuric.

I pyetur të komentojë propozimet e palës serbe që të hapen temat si çështjet si pozita e Kishës Ortodokse, kushtet për integrimin e bashkësisë serbe në institucionet qendrore dhe çështja e pasurisë, Hajredin Kuçi ka thënë se “Nuk kemi mandat për një gjë të tillë, nuk është çështje që duhet ta debatojmë”.

“Unë si në shaka kam thënë, por edhe seriozisht se atëherë po flasim për Luginën e Preshevës , për gjenocidin e Serbisë, për kohën e Millosevicit, dëmet e luftës, pastaj duhet të flasim për energjetikën, telekomunikacionin dhe të pagjeturit, dhe jo për tema që janë mbyllur dhe hapja e tyre hap telashe dhe nuk ka arsye që të jenë temë e përbashkët me Serbinë”.

Për këtë arsye, Kuçi ka theksuar se dialogu duhet të kalojë në nivel kryeministrash.

Nëpërmjet një komunikate, Qeveria e Kosovës ka reaguar duke thënë mes tjerash se "pala serbe ka pasur qëndrim për diskutim të temave jashtë marrëveshjes apo interpretim tjetër nga përmbajtja e marrëveshjes".

Një ditë më parë, Marko Gjuric nga pala serbe akuzoi delegacionin e Kosovës për mungesë fleksibiliteti.

Ndërkohë, diplomatët e shteteve anëtare të BE-së, kanë tërhequr vërejtjen se pa një plan të zbatimit të marrëveshjes dhe pa fillimin e zbatimit të saj, do të jetë shumë vështirë që shtetet anëtare të BE-së, në samitin e qershorit, të marrin një vendim pozitiv për t’i dhënë Serbisë datën e nisjes së negociatave për anëtarësimin.

Por, burime të BE-së kanë thënë se zbatimi i marrëveshjes nuk do të jetë i lehtë.

Pala kosovare, kohë më parë ka bërë të ditur se pret që të arrihet një pajtim për planin e zbatimit të marrëveshjes, dhe ai plan, së bashku me marrëveshjen, do të duhej të nënshkruhej nga të dy kryeministrat, Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic, si dhe baronesha Catherine Ashton. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.