Rompuy: Kosova bëri një hap të madh drejt BE-së

16:44 / 1.07.2013

(E plotësuar 17:50) Presidentin e Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy, ka thënë se Kosova me marrjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, përforcon perspektivën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, ndërsa ka shtuar se me përmbushjen e kritereve do të hiqen edhe vizat për qytetarët kosovar. Ai ka përgëzuar kryeministrin e vendit, Hashim Thaçi për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, njëherë duke kërkuar siguri që zbatimi i saj të ndodh në terren.

Pas ceremonisë së integrimit të Kroacisë në Bashkimin Evropian, zyrtari i lartë evropian ka zgjedhur Kosovën që të vizitoj dhe të takohet me krerët më të lartë të institucioneve të Kosovës.

Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi gjatë të hënës ka pritur në një takim Van Rompuy, ku ky i fundit në emër të Bashkimit Evropian ka uruar Kosovën për fillimin e negociatave të MSA-së.

Van Rompuy ka theksuar se Kosova ka bërë një hap të madh në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian, me marrjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

 “Ai do të i mundësoj Kosovës që të nisë dialogun politik me Bashkimin Evropian dhe të arrij progres në reformat në drejtësi, në luftën kundër korrupsionit, në siguri, në politika ekonomike si dhe në fushën e bashkëpunimit në një varg fushash të gjëra. Marrëveshja do të përforcojë edhe më tej Kosovën në procesin e saj drejt integrimit në BE. E kuptoj rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Jam i impresionuar me punën që është duke u bërë për udhërrëfyesin për vizave, por kam besim se nëse zbatoni përpjekjet për të zbatuar këtë udhërrëfyes do të hiqen vizat”, ka theksuar Rampuy.

Ndërkohë duke folur për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se ky është një themel për të ndërtuar të ardhmen e dyja vendeve.

 “Dua që publikisht të përgëzoj kryeministrin Thaçi se u ngrit për të ju përgjigjur detyrës historike në rrugën drejt pajtimit dhe për një të ardhme të përbashkët me prosperitet me fqinjët tuaj. Ky ishte një themel i domosdoshëm nga i cili tani e tutje mund të ndërtoni. Pa këtë themel unë nuk do të isha sot këtu. Jemi të vetëdijshëm këto arritje vetëm duke i falënderuar përpjekjet e dyja palëve dhe jam mirënjohës për udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë për përkushtimin e tyre ndaj dialogut për frymën e tyre të sinqertë dhe konstruktive në të cilën ata kanë punuar me ne dhe homologët e tyre përkatës. Tani e dini se duhet të sigurohemi se marrëveshja të zbatohet”, është shprehur ai.

Kryeministri i vendit, Thaçi fillimisht ka falënderuar Rompuy për lëvizjen e Kosovës drejt perspektivës evropiane, në veçanti atë negocimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociim të Kosovës.

Ai ka shprehur zotimin se Kosova do të përmbush të gjitha kriteret, në mënyrë që të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës.

 “Unë ju zotova edhe presidentit Rompuy se Kosova gjitha angazhimet që do ti ketë, do të implementojë të gjitha kriteret dhe standardet evropiane në një afat rekord në mënyrë që të lëvizim në hapa tjerë në kapituj tjerë drejt së ardhmes evropiane duke punuar edhe maksimalisht që sa më shpejt të ndodh edhe liberalizimi i vizave. Vullneti i popullit të Kosovës dhe vizionit politik të qytetarët e Kosovës është e ardhmja evropiane e Kosovës, prandaj jemi duke punuar me të gjithë dhe këtu është jashtëzakonisht me rëndësi i nderuari Rompuy se në Kosovë ka unitet të qëndrueshëm qytetar, por edhe politik e gjithë etnik për të ardhmen evropiane”, ka theksuar Thaçi.

Gjithashtu ai ka informuar Rompuy për implementimin e marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, për hapat konkret të cilët është duke i bërë.

Pas ratifikimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi në parlamentin e Kosovës javën e kaluar me 2/3 e deputetëve, Thaçi ka shtuar se Ligji për amnisti  dhe gjitha përgjegjësitë që dalin nga kjo marrëveshje do të kryhen me kohë dhe nuk do të humbet as edhe një ditë.

 

Pas këtij takimi Rampuy ka zhvilluar një takim edhe me kryeparlamentarin, Jakup Krasniqi dhe presidenten e vendit, Atifete Jahjaga./Telegrafi /

----------------------------------------------------------------

(16.44) Presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy, ka deklaruar se Kosova ka bërë një hap shumë të madh drejt Bashkimit Evropian, duke punuar me zell për të arritur përpara. 

Rompuy, gjithashtu tha se që nga vizita e parë e tij në Kosovë që e ka bërë në nëntor të vitit 2008 pas pavarësisë së Kosovës, po ndihet i lumtur që tani sërish e viziton Kosovën në një moment shumë të rëndësishëm.

“Ne vizitën time të parë këtu në Prishtine në nëntor të vitit 2008, kur iu adresova Kuvendit tuaj menjëherë pas shpalljes së pavarësisë në atë kohë isha vetëm kryetar i parlamentit belg dhe tani jam shumë i lumtur që iu vizitoj këtu në një moment shumë të rëndësishëm për vendin tuaj”, ka thënë Rompuy, raporton Kosovapress.

Rompuy, e ka përgëzuar kryeministrin Thaçi, për punën që e ka bërë deri sa është arritur marrëveshja Kosovë - Serbi, dhe tha se tani duhet të sigurohen për zbatimin e saj.

“Tani duhet të sigurohemi se kjo marrëveshje është e zbatueshme”, ka thënë Rompuy. Gjithashtu, ai tha se baronesha Ashton, ka luajtur një rol mjaft të madh për zbatimin e kësaj marrëveshje, e cila sipas tij, mundëson që Kosova të jetë e qëndrueshme ndaj BE-së. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.