Hoxhaj: UNMIK-u është i padëshiruar në Kosovë

16:31 / 17.08.2013

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, në një prononcim për Telegrafin ka deklaruar se stafi i UNMIK-ut i cili ka mbetur në Kosovë, e ka shumë të qartë se mandati i tyre është përmbushur dhe se atyre nuk u ka mbetur ndonjë punë substanciale për të bërë në Kosovë.

Sipas tij, prapa UNMK-ut qëndrojnë shtete të cilat publikisht e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës.

“Ky mision është zgjatje e politikës kundërshtuese karshi pavarësisë së Kosovës”, ka theksuar ai për Telegrafin.

Hoxhaj ka sqaruar se Qeveria e Kosovës kërkesën për përfundimin e misionit të UNMIK-ut e ka bërë publike në paraqitjen e Kosovës gjatë sesioneve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku debatohej për Kosovën.

“Aty e kemi thënë shumë qartazi se ka ardhur momenti që të mbyllet misioni i UNMIK-ut në Kosovë. Kemi kërkuar që të nxirret një rezolutë e re e cila e thekson përmbushjen e rezolutës 1244 dhe përkrah procesin e anëtarësimit të Kosovës në OKB”, shprehet ai.

Ministri i Punëve të Jashtme ka theksuar se kjo është aspiratë legjitime e qytetarëve të Kosovës, duke shtuar se procesi i përmbylljes së prezencës së UNMIK-ut në Kosovë kërkon përkrahje dhe koordinim ndërkombëtar i cili, sipas tij, po bëhet me partnerët strategjikë të Kosovës.

“Përmbyllja e misionit të UNMIK-ut do të ishte edhe në interes të OKB-së. Fillimisht OKB-ja do ta ruante kredibilitetin e saj, do të vinte në pah suksesin e arritura të këtij mekanizmi në shtetëndërtimin dhe paqendërtimin e në Kosovë, si dhe do të reduktonte shpenzimet e panevojshme financiare të cilat aktualisht UNMIK-u është duke i bërë në Kosovë”, ka shtuar Hoxhaj. /Telegrafi/

 

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.