Një delegacion i Parlamentit Evropian viziton Kosovën
Një delegacion ad hoc shtatë anëtarësh i Parlamentit Evropian, i drejtuar nga eurodeputetja gjermane, Doris Pack, do të qëndrojë në Kosovën me rastin e zgjedhjeve lokale që do të mbahen të dielën, më 15 nëntor. Delegacioni do të arrijë të premten, më 13 nëntor dhe do të qëndrojë deri të hënën, më 16 nëntor.
Pack, para nisjes në Kosovë, u ka bërë thirrje votuesve kosovarë që të marrin pjesë në këto zgjedhje, të cilat janë zgjedhjet e para që administrohen plotësisht nga institucionet e Kosovës.
"Ne e mirëpresim përkushtimin e autoriteteve ndaj demokracisë dhe u bëjmë thirrje votuesve që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të së dielës", ka thënë Pack.
Delegacioni i PE nuk ka mandat për vëzhgimin e zgjedhjeve, por anëtarët e Parlamentit Evropian do të vizitojnë disa qendra votimi në Kosovë, duke përfshirë edhe disa prej komunave të sapoformuara. P
ara votimeve, delegacioni ad hoc do të takojë përfaqësuesit e qeverisë, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe disa kandidatë për zgjedhje.
Të hënën, më 16 nëntor, anëtarët e delegacionit të Parlamentit Evropian do të mbajnë një konferencë për gazetarë, ku pritet të japin vlerësimin e tyre lidhur me procesin zgjedhor. /qik/
Postuar: 18:35 / 10.11.2009 |
RSS