IKSHP filloi shpërndarjen e vaksinës kundër Gripit A H1N1
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHP) ka filluar të hënën shpërndarjen e vaksinave kundër Gripit të ri pandemik A H1N1 (Focetria), të cilat një ditë ma parë, si donacion i Republikës së Turqisë kanë arritur në Kosovë.IKSHP, në mbledhjen e Bordit ka rekomanduar që vaksina të jepet me prioritet për dy grupet më të rrezikuara: punëtorët shëndetësorë dhe personat me sëmundje kronike (të indikuar nga mjeku klinicist).
Vaksinat kanë filluar t’u shpërndahen institucioneve shëndetësore (sipas listës së planifikuar) dhe do të monitorohen nga epidemiologët e Institutit.
Ndërkohë, IKSHP shpjegon se vaksina rekomandohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe EMEA (Agjencia evropiane për produkte medicinale) dhe Ministria e Shëndetësisë u kërkon institucioneve që të fillojnë me vaksinimin sipas kategorive të lartpërmendura.
Që nga paraqitja e rastit të parë të infektuar me këtë virus në muajin korrik të këtij viti, në Kosovë janë shënuar dy raste të vdekjes, ndërsa numri i të infektuarve deri tani ka arritur në 80. /Telegrafi/
Postuar: 11:26 / 23.11.2009 |
RSS