Presidenti Sejdiu uroi Baroneshën Catherine Ashton
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu uroi baroneshën Catherine Ashton, me rastin e emërimit në detyrën e përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.“Në emrin tim personal dhe në emër të institucioneve dhe popullit të Republikës së Kosovës dua ta përgëzoj Shkëlqesinë Tuaj me rastin e emërimit tuaj si Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri”, thuhet në urimin e presidentit Sejdiu.
Emërimi i Juaj i njëzëshëm në këtë post të rëndësishëm, vijon urimi, ka dëshmuar edhe njëherë zërin e përbashkët të Evropës dhe përkushtimin e saj për ta promovuar parimin themelor të saj: unitetin në diversitet.
“Republika e Kosovës u ka dhënë prioritet përpjekjeve të saj drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Ne presim me padurim që të bashkëpunojmë me Shkëlqesinë e Juaj në realizimin e vizionit të popullit të Kosovës për ta zënë një vend të merituar në BE dhe për t’iu bashkuar anëtarëve të tjerë të cilët i ushqejnë vlerat e njëjta. Ne mbesim mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që BE-ja ia ka ofruar Kosovës qe më shumë se një dekadë dhe presim me padurim që ta vazhdojmë këtë bashkëpunim të shkëlqyeshëm”, thuhet më tej në urim.
“Luteni t’i pranoni, Shkëlqesia Juaj, përgëzimet e mia të përzemërta për emërimin e Juaj në këtë post të rëndësishëm si dhe garancitë e mia për respektin dhe konsideratën time më të thellë për Ju”. /Telegrafi/
Postuar: 17:28 / 23.11.2009 |
RSS